Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit, dr.Jakup Krasniqi mori pjesë në debatin e organizuar nga “Forumi 2015”, lidhur me reformën zgjedhore

E Marte, 21.05.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë në debatin lidhur me reformën e sistemit zgjedhor në Kosovë, të organizuar nga Forumi 2015, mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur (KFOS), që u mbajt sot në Prishtinë.

Temë diskutimi e këtij takimi ishte problemi zgjedhor në Kosovë dhe qasja praktike për të kthyer besimin në procesin zgjedhor. Me këtë rast, si panelist i këtij debati foli edhe kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, i cili vlerësoi fillimisht se gjithë zhvillimi i demokracisë dhe gjithë zhvillimi i institucioneve demokratike bazën e ka në zgjedhjet e lira. Kryekuvendari Krasniqi tha se zgjedhjet e fundit në vend kanë treguar se reforma zgjedhore dhe procesi zgjedhor është i lënduar rëndë, prandaj, shtoi ai, ka dalë nevoja për të kërkuar reformë. "Vetë mënyra se si është arritur marrëveshja pas zgjedhjeve të fundit të lira dhe vetë fakti se çka kanë prodhuar ato marrëveshje dhe ato zgjedhje, janë dëshmia më e mirë se në Kosovë nuk ekziston një vullnet politik për të bërë zgjedhje demokratike, nga të cilat rezultati përfundimtar do të ishte vullneti i qytetarëve të Kosovës. Prandaj, veç faktorit vendor në Kosovë ka qenë i përfshirë edhe faktori ndërkombëtar dhe ajo çfarë kemi parë, tek asnjëri faktor nuk ka ekzistuar dhe vazhdon të mos ekzistojë vullneti politik për të bërë reformë zgjedhore çfarë i duhet Kosovës, qytetarëve të saj dhe institucioneve të Kosovës, ndërkaq, shtoi se po të kishte një përfshirje të organeve përkatëse të Bashkimit Evropian për të ushtruar ndikimin e vet pozitiv fillimisht tek liderët e partive politike dhe tek partitë politike, reforma zgjedhore mund ta ketë finalen e vet, për faktin se ligji nuk ka qenë problemi, por problemi ka qenë tek mosgatishmëria për të respektuar vullnetin e qytetarëve që dalin nga zgjedhjet", tha gjatë këtij debati kreu i Kuvendit.

Tutje, Krasniqi vlerësoi se për t'u votuar shumë kandidatë nuk është problemi vetëm tek partitë politike. Problemi është i kandidatëve që janë në listë. Andaj, theksoi Krasniqi, kjo çështje është problem i qytetarëve që dalin në zgjedhje dhe mund të manipulohet vota e tyre. "Për të pasur një sistem vërtetë më pak të manipuluar, është e domosdoshme mbyllja e listave, ose zgjedhësit të bëjnë vetëm një përzgjedhje", tha ai duke shtuar se kjo do të mbyllte manipulimet e zgjedhjeve.
Ndërsa, sa i përket keqpërdorimeve të votave, ai tha se nuk mund të adresohet problemi vetëm tek një subjekt politik, meqë të gjitha partitë në pozitë dhe opozitë kanë qenë të rreshtuara në votim dhe se asnjë segment të shoqërisë nuk mund të amnistohet nga keqpërdorimet që janë bërë në zgjedhje dhe asnjë subjekt politik që ka qenë pjesë e sistemit zgjedhor. "Të gjitha segmentet e shoqërisë në Kosovë janë në një mënyrë të korruptuara për të prodhuar një sistem të tillë zgjedhor dhe ne kot përpiqemi që fajin ta adresojmë qoftë te një person, qoftë tek një subjekt politik. Prandaj, ne duhet ta shikojmë të vërtetën drejt në sy dhe ta evitojmë atë. Ne duhet ta analizojmë vetëm një çështje, çka prodhoi e çka e lëndoi këtë proces zgjedhor!? Unë mendoj që me gjithë drejtën e shoqërisë civile për t'i arsyetuar listat e hapura duhet ta dini se keqpërdorimi dhe dëmtimi më i madh që i është bërë demokracisë në Kosovë, kanë qenë listat e hapura dhe votimi i më shumë kandidatëve.", përfundoi kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi gjatë debatit lidhur me reformën zgjedhore.

Me këtë rast folën edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Lutfi Haziri, Albin Kurti, Ardian Gjini, Arsim Bajrami, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Petar Miletiq.

Kryetari i Kuvendit, dr.Jakup Krasniqi mori pjesë në debatin e organizuar nga “Forumi 2015”, lidhur me reformën zgjedhore