Lajmet e fundit
U bë promovimi i Iniciativës për Bashkëpunim më të ngushtë Kuvend -Shoqëri Civile
E Marte, 21.05.2013
Organizuar nga OJQ të shumta, të mbështetura edhe nga OSBE-ja, sot në hotelin "Emerald", në Prishtinë, u bë promovimi i "Iniciativës për Bashkëpunim më të ngushtë Kuvendi i Kosovës -Shoqëri Civile" .
Këtë tubim, të cilin e kryesoi, Armend Bekaj përfaqësues nga OSB-ja, në emër të Kuvendit të Kosovës, i përshëndeti nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjofca. Ai foli për rolin e shoqërisë civile në procesin e demokratizimit të shoqërisë, ku me theks të veçantë vlerësoi rolin dhe bashkëpunimin e tyre me Kuvendin e Kosovës. "Shoqëria Civile është jetike për ngritjen e institucioneve të lira politike dhe mbarëvajtjen e punës së tyre", tha ai. Sot, tha në vijim, Konjufca, në botën e zhvilluar demokratike, shtetndërtimi i qëndrueshëm dhe institucionet e përgjegjshme, as që mund të paramendohet pa rolin vendimtar të shoqërisë civile. Ai po ashtu foli edhe për sfidat në të cilat has shoqëria civile në përmbushjen e misionit të saj, për ç'gjë kërkoi angazhim të të gjitha institucioneve.
Në vijim foli deputeti, Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës. Duke folur për bashkëpunimin në mes të Kuvendit dhe shoqërisë civile, ai vuri në spikamë praktikën e mirë të Komisionit që ai e udhëheqë. Me këtë rast ai bëri të ditur se Komisioni në bashkëpunim me OJQ-të dhe shoqërinë civile, jo vetëm që shqyrtojnë projektligjet, por në vijimësi së bashku bëjnë edhe monitorimin e zbatimit të ligjeve.
Duke u angazhuar rreth kësaj, deputeti, Sali Morina, vuri në dukje gatishmërinë e Kuvendit për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me shoqërinë civile. Ai ishte i mendimit se për të arritur një nivel edhe më të lartë të bashkëpunimit, duhet të veprohet sikurse me praktikën e deritashme të formimit të Grupit jo formal të të rinjve dhe të Grupit jo formal të deputeteve. Lidhur me këtë, për të krijuar një hapësirë më të madhe për angazhimin e shoqërisë civile, ai tha se duhet formuar një grup joformal me OJQ-të.
Në vijim, fjalën e mori Elaine Conkievich, drejtoreshë e Departamentit për Demokratizim në OSBE. Ajo foli për qëllimin e kësaj iniciative, për të cilën tha se parësore është forcimi i raporteve Kuvend- Shoqëri Civile. Me këtë rast, ajo premtoi angazhim të vazhdueshëm për realizimin e këtyre nismave. Pas kësaj, Philipp Annawitt, në emër të OSBE-së, prezantoi Raportin për Marrëdhëniet midis Kuvendit të Kosovës dhe Shoqërisë Civile. Pasi foli për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Kuvendit dhe Shoqërisë Civile, ai vuri në dukje përpjekjet e deritashme të Kuvendit për avancimin e këtij bashkëpunimi. Duke folur për Raportin, ndërkaq, Annawitt, vuri në dukje hapat që duhet të marrë Kuvendi për afirmimin edhe më të madh të bashkëpunimit. Lidhur me këtë ai tha se në Raport janë të paraqitura rekomandimet, me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë për qasje më të lehtë në dokumente publike.
Në emër të KDI-së, ndërkaq, foli Driton Selmanaj, i cili pasi përgëzoi për këtë iniciativë bashkëpunimi, vuri në pah nevojën e strukturimit të raporteve të Kuvendit me OJQ-të dhe Shoqërinë Civile.
Për nevojën e bashkëpunimit më të madh u shpreh edhe Arton Demhasaj, nga Organizata "Çohu" . Sipas tij, Kuvendi duhet të vendosë kritere të veçanta për trajtimin e rekomandimeve që vijnë nga OJQ-të dhe Shoqëria Civile, veçanërisht me rastin e shqyrtimit të projektligjeve.
Në vijim, Burim Ejupi, drejtor i Institutit për Zhvillim të Politikave, solli shembullin e mirë të bashkëpunimit në mes të Institutit që ai udhëheq dhe Kuvendit. Ne, tha ai, jemi shumë aktiv në procesin e shqyrtimit të projektligjeve, ndërkaq, rekomandimet që ofrojnë, në rastet më të shpeshta gjejnë zbatim nga Komisioni, duke veçuar atë të Zhvillimit Ekonomik. Për rëndësinë e bashkëpunimit të Shoqërisë Civile dhe institucioneve shtetërore, posaçërisht Kuvendit të Kosovës, foli edhe përfaqësuesi i BE-së, Patrick Schmelzer. Ai tha se rezultatet në bashkëpunimin në mes të Kuvendit dhe Shoqërisë Civile janë evidente, por tha në vijim ai, ky bashkëpunim duhet avancuar edhe më tutje. Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit, Schmelzer, përkujtoi se edhe në Raportin e KE-së për Kosovën bëhet thirrje për bashkëpunim të OJQ-ve, Shoqërisë Civile dhe institucioneve.
Pas kësaj, u zhvillua një debat i gjerë rreth hapave të mëtejmë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile .