Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 21.05.2013
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Zenun Pajaziti (një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetarja, Teuta Sahatqija), në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK) për vitin 2012. Përfaqësuesi i AKK-së, Ahmet Krasniqi, foli në hollësi për Raportin, punën e deritashme, sfidat dhe sukseset që e kanë përcjellë AKK-në. Pas debatit lidhur me të, Komisioni e miratoi Raportin e AKK-së për vitin 2012, të cilin do ta procedojë tutje për shqyrtim edhe në Kuvend me rekomandimin për miratimin e tij.
Po ashtu, në këtë mbledhje u miratuan edhe dy projektligje: Projektligji për produktet e ndërtimit dhe Projektligji për treguesit gjeografik. Këto projektligje do të procedohen tutje për lexim të dytë në mbledhje plenare të Kuvendit.