Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi ngushëllon kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, John A. Boehner
E Marte, 21.05.2013
Pas stuhisë së madhe që ka goditur shtetin Oklahoma të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila mori jetët e dhjetëra qytetarëve dhe la të lënduar shumë të tjerë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka ngushëlluar kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, z. John A. Boehner.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
"I nderuar Zoti John A. Boehner,
Me keqardhje të thellë mësuam lajmin për stuhinë e madhe dhe erërat e fuqishme që kanë goditur shtetin Oklahoma të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat morën jetët e dhjetëra qytetarëve dhe lanë të lënduar shumë të tjerë.
Lajmi për këtë fatkeqësi natyrore ka prekur thellë në shpirt popullin e Kosovës, i cili bashkëndien dhimbjen dhe solidarizohet me qytetarët e SHBA-së.
Në emër të Kuvendit dhe të popullit të Kosovës, si dhe në emrin tim, ju shpreh Juve shkëlqesi, familjeve të viktimave dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, dhembjen e thellë dhe ngushëllimet e sinqerta për këtë fatkeqësi të rëndë natyrore, ndërsa të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë.
Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë".