Lajmet e fundit

Ministri Makolli raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme

E Hënë, 20.05.2013




Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makolli, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Albin Kurti, kryetar, ka raportuar për angazhimet dhe aktivitetet e kësaj ministrie gjatë periudhës janar - prill 2013.

Duke bërë një bilanc të të arriturave të kësaj ministrie, Makolli e konsideroi Strategjinë e Diasporës dhe Mërgatës, si një nga objektivat kryesore të ministrisë, e cila, sipas tij, është në fazën përfundimtare të hartimit të saj. Ministri Makolli tha se për hartimin e kësaj strategjie, paraprakisht janë zhvilluar një sërë konsultash me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, të shoqërisë civile, institucioneve akademike e arsimore dhe ekspertëve. Në këtë funksion, sipas tij, janë organizuar edhe një sërë konsultimesh publike me diasporën në shtetet ku ka përqendrim më të madh të saj.

"Pas përpunimit të rekomandimeve, komisioni do të organizojë edhe një dëgjim publik, për të mundësuar pjesëmarrje sa më të gjerë në këtë proces", u shpreh ministri i Diasporës, duke kërkuar në këtë drejtim edhe përkrahjen e komisionit.

Objektivë të dytë të ministrisë që ai udhëheq, Makolli e konsideroi krijimin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës, i cili, sipas tij, del si obligim ligjor. Ai tha se koncept-dokumenti është miratuar nga qeveria dhe në bazë të tij, Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me institucionet e tjera, do ta përgatitë planin për krijimin e regjistrit të mërgimtarëve.

Një vëmendje të veçantë, ministri Makolli i kushtoi edhe organizimit të procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në vendet ku vepron diaspora, si dhe hapjes së qendrave kulturore të Kosovës për diasporën dhe mërgatën. Ai e njoftoi komisionin për hapjen e qendrës së parë kulturore në Stamboll të Turqisë dhe bëri të ditur se qendra të tilla së shpejti do të hapen edhe në Zvicër, SHBA, Gjermani dhe Francë.

Në vazhdim, kryetari i Komisionit, Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë, Hydajet Hyseni, Sabri Hamiti, Skënder Hyseni, Donika Kadaj-Bujupi dhe Emilja Rexhepi, ngritën një varg çështjesh dhe problemesh që i preokupojnë mërgimtarët, si dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit Makolli. Ata kërkuan sqarime lidhur problemet me të cilat ballafaqohen mërgimtarët gjatë iniciativave të mundshme për investime në Kosovë, krijimin e politikave të nevojshme për nxitjen e investimeve të tilla, përmirësimin e pajisjes së mërgimtarëve me dokumentacion të nevojshëm, inkuadrimin e mërgimtarëve të kualifikuar në politikat zhvillimore në Kosovë, pagesat për sigurimin e automjeteve, hapjen e qendrave kulturore, mësimin plotësues, çështjen e sigurimeve sociale në Zvicër, përkujdesjen për mërgimtarë të komuniteteve pakicë, rrezikun e shumëfishimit të përgjegjësive dhe angazhimeve nga ana e institucioneve në raport me mërgatën etj.

Duke u përgjigjur në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ana e deputetëve, ministri Ibrahim Makolli vlerësoi se falë komunikimit të drejtpërdrejtë me mërgimtarët, ministria që ai udhëheq ka identifikuar të gjitha problemet dhe vështirësitë me të cilat ata përballen. Ai tha se zbatimi i plotë i ligjeve, por edhe përmirësimi i tyre, paraqitet si nevojë për mundësinë e rritjes së investimeve në Kosovë nga ana e mërgimtarëve. Ai gjithashtu, bëri të ditur se ka kërkuar nga institucionet përkatëse krijimin e njësive lëvizëse konsullore në shtetet ku Kosova ende nuk ka konsullata, në mënyrë që t'iu lehtësohet mërgimtarëve pajisja me dokumentacionin e nevojshëm.

Në vazhdim, ministri Makolli theksoi përpjekjet për inkuadrimin e mërgimtarëve të kualifikuar në politikat zhvillimore në Kosovë, duke përmendur rastin e mjekëve. Ai dha sqarime shtesë edhe për angazhimet e ministrisë në sensibilizimin e mërgimtarëve për ndjekjen e mësimit plotësues nga fëmijët e tyre, ndërsa vlerësoi se ministria ushtron përkujdesje edhe për komunitetet pakicë. Makolli tha se Ministria e Diasporës është e përfshirë në angazhimet për zgjidhjen e çështjes së pensioneve të qytetarëve të Kosovës në Zvicër, ndërsa vlerësoi se nuk ka shumëfishim të aktiviteteve nga institucionet e vendit në raport me mërgatën dhe diasporën.

 

 

Ministri Makolli raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme