Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 20.05.2013
ë mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga nënkryetari i komisionit, Behar Selimi, u shqyrtua raporti vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2012.
Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, duke dhënë një prezantim të gjerë mbi aktivitetet e AKK-së, për vitin 2012, theksoi se është shënuar progres i vogël në luftën kundër korrupsionit. Ai vlerësoi se ka numër më të madh të kallëzimeve penale të ngritura nga AKK-ja, ka numër më të madh të personave të atakuar në këto kallëzime penale, ka rritje më të madhe të bashkëpunimit me prokuroritë vendore, si dhe raporte më të ngushta me prokurorinë e EULEX-it. Ndërkaq, shtoi se bashkëpunimi me EULEX-in qëndron edhe në fazën e hetimit final.
Mes tjerash Preteni tha se karakteristikat e shkeljeve të konstatuara gjatë hetimeve paraprake kanë të bëjnë me veprën penale, shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit të nenit 339 të Kodit Penal.
"Në rastet më të shpeshta veprimet apo mosveprimet i referohen shkeljes së procedurave të prokurimit, apo në raste me të këqija anashkalimi i tërësishëm i tyre, duke iu shmangur transparencës dhe konkurrencës lojale", tha Preteni.
Ai më tej sqaroi se shkeljet e procedurave të prokurimit paraqitën gjatë gjithë ciklit të prokurimit, duke filluar nga planifikimi dhe përgatitja e tenderëve.
"Në qoftë se në vitet paraprake kemi konstatuar se peshqit e mëdhenj nuk janë duke u trajtuar, në këtë periudhë më shumë se 50 zyrtarëve ose iu është ngritur aktakuza, ose janë bërë publike hetimet penale ndaj tyre, si rezultat i kallëzimeve penale të ushtruara nga AKK-ja dhe mekanizmat tjerë.
Janë së paku tetë kryetar të komunave kundër të cilëve është ngritur aktakuza, rreth 20 zyrtarë qeveritarë ndaj të cilëve është ngritë po ashtu aktakuzë, ose hetimet ndaj tyre janë bërë publike.". tha Preteni, duke theksuar më tej se po vërtetohet se për korrupsionin flitet shumë, hetohet më pak, kurse nuk gjykohet fare, duke përmendur faktin se nga gjykatat janë shqiptuar me vetëm 19 dënime me burg. "Këto 19 raste asnjëherë nuk janë bërë publike, pra se sa persona zyrtarë janë përfshirë në këto raste dhe se cila është lartësia e dënimeve ndaj tyre", tha kreu i AKK-së.
Gjatë raportimit të tij para anëtarëve të komisionit, Preteni përmendi edhe parregullsitë e formularëve të deklarimit të pasurisë, me ç'rast tha se janë problematik. "Ka mospërputhje mes të hyrave të deklaruara dhe pasurisë së patundshme që krijohet. Pasuria e patundshme shtohet, kurse nuk justifikohen të hyrat e rritura. Çdo i teti formular është me këto lloj probleme", tha ai duke folur më tej edhe për vendet e punës. "Janë identifikuar 869 zyrtarë që ushtrojnë më shumë pozita", tha Preteni. Ai tha se AKK-ja është duke përcjellë publikimin e tenderëve nga KRPP-ja dhe se opinionet e AKK-së për 19 raste të tilla janë pranuar, ndërsa shtoi krejtësisht në fund se në luftën kundër korrupsionit është shënuar një progres, por tha se mbetet akoma për të dëshiruar.
Pas një debati të gjerë të anëtarëve të komisionit, të cilët paraqitën shqetësimin e tyre për korrupsionin në vend, ata kërkuan një varg sqarimesh nga Drejtori i AKK-së për çështje të shumta. Pas këtij diskutimi, raporti vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2012, me shumicë votash mori mbështetjen e anëtarëve të komisionit.
Megjithatë, disa nga anëtarët e komisionit gjatë diskutimit të tyre vlerësuan se është shënuar regres në luftën kundër korrupsionit dhe se nuk ka vullnet politik për ta luftuar këtë dukuri.
Anëtarët e Komisionit shqyrtuan dhe përkrahën edhe dy raporte: raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-181 për produktet e ndërtimit, si dhe raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-187 për treguesit gjeografik.