Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 20.05.2013
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetari, Lutfi Haziri, u njoftuan me ecurinë e Reformave në Administratës Publike. Se në ç'masë janë duke u përmbushur këto reforma, të cilat dalin nga Plani i Veprimit për Negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, njoftoi ministri i Ministrisë së Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar. Ai më këtë rast vuri në dukje të arriturat e kësaj Ministrie, për të cilën tha se me sukses është duke përmbushur Strategjinë e Reformës së Administratës Publikë 2010- 2013. "Sa i përket kritereve afatshkurtra që dalin nga Agjenda për Integrim Evropian, Ministria e Administratës Publike i ka përmbushur të gjitha obligimet në afat të paraparë", tha Yagcilar. Lidhur me këtë, ai njoftoi se janë aprovuar dy rregullore: Rregullorja për kushtet e kufizimit të së drejtës për grevë në shërbime të veçanta në Shërbimin Civil dhe Rregullorja për procedurat e përkujdesjes për nëpunësit civil për shkak të paaftësisë fizike apo mendore ose problemeve shëndetësore. Ndër të arriturat e tjera të kësaj Minisrtrie, Yagcilar, njoftoi edhe për legjislacionin sekondar dhe zbatimin e tij. Ai po ashtu foli edhe për rregulloret e miratuara nga kjo Ministri, ku vëmendje të posaçme i kushtoi Rregullores për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil. Duke folur për Projektligjin e pagave për shërbyesit e lartë publik, ndërkaq, ministri njoftoi se ky Projektligj së shpejti do dërgohet në Kuvend. Lidhur me rekomandimet që dalin nga Plani i Veprimit për Negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e që kanë të bëjnë me Institucionin e Avokatit të Popullit, Yagcilar tha: "Lidhur me Avokatin e Popullit, ne i kemi shqyrtuar të gjitha opsionet e mundshme për akomodim. Së fundmi, kemi vendosur që Institucioni i Avokatit tët Popullit të akomodohet në objektin ku Gjykata Kushtetuese është deri më tani (ish ndërtesa e TMK-së)". Ministri iu përgjigj edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e Komisionit, përkatësisht ,Vjosa Osmani, Blerta Deliu, Blerim Shala dhe Albert Kinolli. Lidhur me integrimin e serbëve të Mitrovicës së veriut në institucionet e Kosovës, ministri tha se do të veprohet në bazë të rekomandimeve të Qeverisë, në harmoni edhe me Ligjin për shërbyesit civil që aktualisht është në fuqi. Ndërkaq në pyetjen e ngritur nga kryetari i Komisionit, Haziri për numrin e shërbyesve civilë që janë në lista të pagave e që nuk vijojnë punësimin, ministri premtoi se do të njoftojë pasi të jetë i informuar hollësisht me rastet e tilla. Në fund të debatit, Komisioni vlerësoi se për tu njoftuar nga afër me ecurinë e Reformës në Administratën Publike, duhet formuar një grup punues për monitorimin e aktiviteteteve të Ministrisë.
Pas kësaj, Komisioni miratoi Projektligjin për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.