Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë

E Hënë, 20.05.2013




Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që seanca e ardhshme e rregullt e Kuvendit, të mbahet më 23 maj të këtij viti. Pas pikave të rëndomta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje do të jenë: shqyrtimi i Raportit vjetor të punës i Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2012, shqyrtimi i Raportit vjetor të punës i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2012 dhe debati parlamentar lidhur me gjendjen e pyjeve në Kosovë, sipas kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.

Në vijim Kryesia vendosi që mbledhja përkujtimore në nderim të heroit të Kombit, Rasim Kiqina dhe të dëshmorit të Kombit, Ali Ajeti, sipas kërkesës së deputetëve Ramiz Lladrovci dhe Latif Gashi, si dhe të deputetëve nënshkrues,të mbahet më 31 maj.

Kryesia vendosi që të alokojë 30 mijë euro për blerjen e Mamografit Mobil, mjete këto të parapara me buxhet të Kuvendit për vitin 2013.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe lidhur me disa propozime e kërkesa për të cilat ndërkohë do të vendoset se në cilat seanca vijuese të Kuvendit do të radhiten për shqyrtim.

 

 

 

Mbledhja e Kryesisë