Lajmet e fundit

Mbledhja përkujtimore e Kuvendit me rastin e 14-vjetorit të zhdukjes së atdhetarit dhe diplomatit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti

E Premte, 17.05.2013




Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, shënoi 14-vjetorin e zhdukjes së atdhetarit dhe diplomatit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti. Duke iu drejtuar të pranishmëve , në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit , Jakup Krasniqi në fillim theksoi se seanca e sotme i Kuvendit të Republikës së Kosovës i kushtohet një figure të veçantë të kombit shqiptar. Ukshin Hoti, burri i madh i Kosovës, tridhjetë e dy vjet më parë, midis furtunës shoviniste u ngrit si Anteu, duke u bërë përfaqësuesi më i denjë i shtresës intelektuale të vendit dhe popullit të vet. I ndërgjegjshëm për rreziqet dhe pasojat që do të kishte, ai doli hapur në mbrojtje të të drejtave legjitime dhe të kërkesave të qindra mijë demonstruesve, të cilët nën parullën "Kosova-Republikë" ndesheshin nëpër barrikada dhëmb për dhëmb me forcat e errëta kriminale të pushtuesit barbar. Ukshin Hoti u bë shembulli i shkëlqyer i intelektualit vetëmohues dhe besnik i interesave jetike të popullit të vet.
Këtu e katërmbëdhjetë vjet më parë delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë i mungonte një anëtar. Gjatë gati një muaj e gjysmë, sa zgjati Konferenca, karrigia ngeli e zbrazët, pasi i zoti i saj, Ukshin Hoti mbahej në burg nga regjimi pushtues, duke u pamundësuar kështu pjesëmarrja e tij në bisedime. Qartësia politike dhe mendimi i thellë, logjika e hekurt dhe fuqia argumentuese, guximi intelektual dhe vullneti i pathyeshëm i Ukshin Hotit, i mungonin Kosovës në çastet vendimtare e historike për fatin e saj.
Mendja e ndritur e Ukshin Hotit i mungonte Luftës çlirimtare të Kosovës, sepse regjimi e mbante në kazamatet e tij për të dytën herë, me shumë vite burgim, për t'ia ndaluar veprimtarinë dhe mbase për t'ia marrë jetën. Por, Ukshin Hoti kishte një ideal, jetonte për një ideal dhe luftonte për një ideal, të cilin nuk mund ta vritnin, as mund ta ndalnin, u shpreh z. Krasniqi.
Në vijim kryekuvendari Krasniqi theksoi se Ukshin Hoti vazhdon t'i mungojë ndjeshëm dhe tmerrshëm Kosovës, Kosovës së tij që aq shumë e deshi dhe që aq shumë bëri për të. Nëna Kosovë, nuk di tash e katërmbëdhjetë vjet për birin e saj të madh, Ukshin Hotin, është syrgjyn gjallë apo syrgjyn vdekur. Bota intelektuale nuk di për dijetarin e kalibrit universal, bota çlirimtare nuk di për luftëtarin e paepur të lirisë, e bota demokratike nuk di për demokratin e humanistin e madh.
Ku është Ukshin Hoti, thërret e duhet të thërrasë më fuqishëm zëri i ndërgjegjes njerëzore, tha kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi.
„Edhe ne sot, të mbledhur këtu, ku padrejtësisht mungon Ukshin Hoti, të mbledhur për të nderuar figurën dhe personalitetin e tij prej atdhetari dhe intelektuali të shquar, pyesim me zë të lartë dhe protestues: Ku është Ukshini ynë?, tha kryekuvendari Krasniqi.
Në vijim z. Krasniqi shtroi kërkesën që institucionet përkatëse të Kosovës të përgatisin dhe të botojnë veprat që la ky personalitet e i madh, të cilat kanë vlera të çmueshme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Një intelektual që sapo lirohej, merrej prapë në burg

Në vijim fjalën e mori , deputeti Idriz Vehapi, në emër të parashtruesit të kërkesës për këtë mbledhje përkujtimore. Në fillim ai paraqiti një biografi të thukët të figurës së Ukshin Hotit. Ukshin Hoti ka lindur më 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Prizren dhe Prishtinë. Shkencat politike i kreu në Zagreb, kurse 2 vite pasuniversitare i kreu në Beograd në seksionin për marrëdhënie ndërkombëtare politike dhe ekonomike. Pastaj specializoi një vit edhe në Universitetet amerikane: në Chicago, në Universitetin e Harvardit në Boston si dhe në Washington D.C.
Në vitet e '70-ta ishte në pozita të ndryshme të jetës politike dhe arsimore të Kosovës.
Më 19 Nëntor 1981, pas një diskutimi në një mbledhje në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, ku ai haptas i mbrojti kërkesat e studentëve shqiptarë për Republikë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, u dënua me 9 vjet burg, duke vijuar më pastaj që të gjykohet edhe në tri procese të tjera gjyqësore. Një intelektual që sapo lirohej, merrej prapë në burg, duke ndërruar qelitë si këmishët e trupit.
Pas lirimit nga burgu u kthye në vendlindje me statusin e njeriut të izoluar.
Më 1990 punoi në Lubjanë (Slloveni) në revistat shqiptare "Alternativa", "Republika" dhe "Demokracia Autentike - DEA", si redaktor deri më 1991, kur u mbyllën ato.
Në mars të 1993 u burgos për herë të dytë pasi që një vit më parë kishte organizuar homazh për martirët e demokracisë në Brestovc.
Më 17 maj 1994 e dënuan me 5 vjet burg për arsyen se ishte pjesëmarrës i lëvizjes për Republikën e Kosovës.
Më 16 maj 1999 kishte mbaruar afati i vuajtjes së dënimit politik prej 5 vjetësh. Të burgosurit shqiptarë dëshmojnë se në përcjellje të tre zyrtarëve të sigurimit serb atë ditë ai është nxjerrë nga burgu i Dubravës në Istog, ku ishin sjellë më parë të burgosurit shqiptarë nga burgu i Nishit.
Pas bombardimeve të NATO-së më 19 maj 1999, në burgun e Dubravës ka ndodhur masakra më e përgjakshme ku janë ekzekutuar e masakruar 173 të burgosur shqiptarë nga forcat serbe, ndërsa për fatin e prof. Për Ukshin Hotit prej asaj kohe, pra prej vitit 1999, nuk dihet më asgjë!
Ai është autor i dy librave të botuar në fushën e mendimit politik: "Lufta e ftohtë dhe detanti", (1975) dhe "Filozofia politike e çështjes shqiptare", (1995), theksoi Idriz Vehapi

 

Sfidonte bashkëkohësit e vet me mendimin e tij të padruajtur.

Në vijim z. Vehapi tha:"Ukshin Hoti është i zhdukur në rrethana misterioze nga forcat e shtetit okupues serb, për të cilin pandehim - dhe lutemi, për të qenë gjallë, ndërsa që ne kur flasim për të përplasemi me dhembje e dyshim - të themi, në kuptimin e të qenit gjallë në këtë botë - Ukshin Hoti, ishte...; Ukshin Hoti, është... Ne lutemi për të, siç lutemi për mijëra shqiptarë të zhdukur për të cilët ende nuk dimë gjë", u shpreh ai.

Ukshin Hoti është intelektuali më konsekuent i sërës në mendimin bashkëkohor në Kosovë. Mendimi i tij politik është koherent dhe vepra e tij sot lexohet si e një profetiku në kuptimin e parashikimeve që bëri për të ardhmen e Jugosllavisë, por dhe për fatin e të ardhmen e Kosovës.
Ukshin Hoti është intelektual që asnjë fuqi represive nuk ia mbylli dot gojën. Një njeri që ishte në një betejë të fuqishme të mendimit dhe i cili e pati fatin që të mos mund t'u shmangej vlerësimeve që krijoheshin për të, si intelektual problematik, tej mase i guximshëm, i paparashikueshëm, që nuk i bishtnon asnjëherë mendimit, ndërsa që nga shteti serb konsiderohej si njeri që shteti mund të rrijë me qetë kur ai është në burg. Ai përjetoi 4 procese gjyqësore dhe mbajti disa vjet burg në regjimin jugosllav e serb dhe kur lirohej nga burgu i imponohej izolimi.
Një intelektual që flijoi lirinë e vet dhe të mirat e veta, që mund t'i vinin prej dijetari që është në kërkime e në qetësinë akademike, për idealin dhe ëndrrën shqiptare për liri e pavarësi.
Ishte prej intelektualëve më të guximshëm që ka njohur Kosova, i cili i sfidonte bashkëkohësit e vet me mendimin e tij të padruajtur.
Një njeri i vetmuar, ndaj të cilit u zhvillua një luftë e vërtetë psikologjike kundër tij, nga mekanizmat e shtetit e të pushtetit jugosllav dhe serb, e, çuditërisht, siç thoshte edhe vetë, askush nuk e mbronte në mënyrë të hapur.
Duke qenë trim përballë regjimit represiv serb dhe një opozitar i fort në ide brenda për brenda nesh - në shoqërinë e Kosovës, ai u bë një intelektual jo i zakonshëm.
Ukshin Hoti ishte intelektual që thotë me tension e presion: zbatoje misionin e të qenit i lirë; bëhu i lirë edhe nëse nuk je, mendo dhe fol e shkruaj mos u ndal, për ta mundur represionin e terrorin i çfarëdo përmase qoftë ai. Në këtë kontekst, duke ia dhënë vetes lirinë - pa ia dhënë kush, ai nuk u struk në mendimin e matur e të druajtur, por foli troç, pra foli hapur e rreptë për të vërtetën.
Ishte një intelektual i deklaruar, i gatshëm të vdesë për fjalën e lirë dhe këtë e mbronte me mendjen e me gjuhen e vet - shumë të veçantë prej të tjerëve.
Ai ofron një sintezë të mendimit politik. Si të tillë, na intereson të vështrojmë se çfarë - pikërisht çfarë - e bëri Ukshin Hotin i sërës krejt të veçantë nga gjithë elita e intelektualëve të Kosovës, ndoshta pse ai nuk e përshtaste dot veten me idenë e mendimit as të urtë, e as finok (të zgjuar, dinak), por të mendimit që ka mësymjen - jo të revolucionarit, por të intelektualit të pakompromis, duke marrë mbi vete gjithë pasojën.
Liria dhe pavarësia e Kosovës mbeten postulatet e tij të shpallura prej kur nisi betejën e tij intelektuale dhe mund të thuhet se është emblemë e patriotizmit shqiptar të sakrificës, që kurrgjë më shumë se liria e kombit shqiptar, nuk i është dukur e vlefshme. Liria individuale për të, ka qenë veçse një mjet për të punuar e luftuar për lirinë, demokracinë e pavarësinë e Kosovës.
Për konceptin e Ukshin Hotit është e padenjë që të flasësh e të matesh se çfarë po flet për shkak se mund ta pësoje. Dhe, modeli i këtij intelektuali u dha zemër shqiptarëve për të rezistuar, për të mos u nënshtruar.
Ai e kishte shfryrjen origjinale, që nuk i dukej kund mllefi që gllabëron, por rezistenca e fortë. E donte mendimin që zbatohej, që bëhej veprim, për të mos e lënë të degradohej. Pra, në kuptimin e një sistemi të ndërlidhur të pikëpamjeve, përveç reflektimit teorik e politik, ai mendimin politik e kuptonte si një bazë që shërben për veprim politik.
Ukshin Hoti më shumë se kushdo tjetër, i dha vlerën që i mungonte intelektuali të druajtur - duke e dhënë modelin e intelektualit të guximshëm.
Ai u bë zëdhënësi i qëndresës dhe i rezistencës ndaj represionit serb, por edhe shpjeguesi racional i pasojave që represion i zgjatur mund të shkaktonte në tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Në gjyqet serbe, sa herë që atij i ra fati të jetë edhe akuzuar edhe avokat i mbrojtjes së vet, ai ofroi një produkt intelektual e kulturor të njeriu që njeh deri në palcë sistemin e drejtësisë dhe sistemin e represionit e të gjykimeve politike. Duke marrë në shqyrtim mbrojtjen e vet, ai e komprometoi - si asnjë tjetër sistemimin gjyqësor serb në kuptimin etik e juridik.
Totalitarizmin komunist sllav, tiraninë e shërbëtorët e tij të zellshëm, ai i denoncoi me gjuhën e tij argumentuese.
Ukshin Hoti ishte një intelektual i çuditshëm, me karakterin e një shqiptari që ka kulturën dhe aftësinë e tij mendore e dashurinë e madhe për Kosovën dhe reagimin e një burri të Kosovës.
Në këtë rrugë jo të lehtë, më shumë se kushdo tjetër, Ukshin Hoti me veprën dhe jetën e tij, është simbol i rezistencës dhe sakrificës, i heroizmit, i trimërisë, i forcës e besimit, përballë dhunës, përballë persekutimit dhe terrorit serb, prandaj çdo diskutim për të - edhe ky në Parlamentin e Kosovës është një respekt për vlerat më të çmueshme të lirisë së Kosovës dhe të intelektualit që u krijua për Kosovën,theksoi Idriz Vehapi .

Mbledhja përkujtimore e Kuvendit me rastin e 14-vjetorit të  zhdukjes së atdhetarit dhe diplomatit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin HotiMbledhja përkujtimore e Kuvendit me rastin e 14-vjetorit të  zhdukjes së atdhetarit dhe diplomatit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin HotiMbledhja përkujtimore e Kuvendit me rastin e 14-vjetorit të  zhdukjes së atdhetarit dhe diplomatit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti