Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
E Premte, 17.05.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari Ahmet Isufi, u shqyrtua në parim Projektligji nr. 04/L-173 për Përgjimin e Telekomunikimeve.
Me këtë rast, kryetari i Komisionit, Ahmet Isufi, njoftoi anëtarët e komisionit se të gjitha angazhimet e grupit të punës për këtë projektligj kanë përfunduar dhe se projektligji duhet të dërgohet në seancë. Ndërkaq, tha se ka pasur shumë vërejtje nga komisioni dhe mekanizmat tjerë vendor dhe ndërkombëtar.
Disa nga anëtarët e komisionit vlerësuan se ky ligj nuk e siguron mbikëqyrjen demokratike dhe në bazë të saj krijohet mundësia e keqpërdorimit. "Të gjitha institucioneve që e kanë të drejtën e përgjimit, iu krijohet hapësira për shkak mungesës të kontrollit, që të keqpërdoret kjo mundësi për qëllime të ndryshme", tha anëtari i komisionit Anton Çuni, duke kërkuar që ky ligj t'i kthehet AKI-së.
Ndërsa, anëtari i komisionit, Fatmir Xhelili, mes tjerash vlerësoi se argumentet ligjore dhe mbrojta ligjore për materialin i cili përdoret prej produkteve të përgjimit është i kontrolluar nga gjykata, duke përmendur me këtë rast Kodin e procedurës penale. Ai shtoi se asnjë provë nuk merret në qoftë se nuk e merr lejen për përgjimin dhe kjo është mbrojtja më e mirë për qytetarët, për të gjithë ata që nuk janë të involvuar në aktivitete kriminale. Tutje, ai tha se po të shtohet edhe një nen që ka të bëjë me mbikëqyrjen nga komisioni parlamentar,e bënë këtë ligj të aplikueshëm dhe organet tona do ta kryejnë detyrën në mënyrë ligjore.
Xhelili tha se ky ligj duhet të shkojë në lexim të parë dhe se me një grup punues dhe serioz do të mundësohej që ligji të ishte i aplikueshëm dhe do të mbronte privatësinë e qytetarëve.
Pas diskutimit edhe të anëtarëve tjerë të komisionit, Vjollca Krasniqi, Goran Marinkoviq e Danush Ademi, Komisioni u dakordua që Projektligji nr. 04/L-173 për Përgjimin e Telekomunikimeve të procedohet në seancë plenare.