Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 16.05.2013
Kuvendi i Kosovës, në mbledhjen plenare të mbajtur sot, shqyrtoi në parim një mori ligjesh në lexim të parë dhe të dytë. Në këtë mbledhje, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi nënkryetari i parë i Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan edhe disa raporte të agjencioneve dhe institucioneve të pavarura.
Edhe mbledhja e sotme filloi me dy pikat e përhershme në mbledhje plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare. Në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Bajram Rexhepi, Mimoza Kusari- Lila, Fehmi Mujota, Hajredin Kuçi e Besim Beqaj, ndërkaq, kryeministri, Hashim Thaçi, sqaroi vendimin e Qeverisë për themelimin e komunës së Hasit. Sqarimi i kryeministrit pasoi pas kritikave, të cilat lidhur me këtë vendim të Qeverisë i ngritën deputetët nga radhët e opozitës, Sadri Ferati nga radhët e LDK-së dhe Afrim Kasolli, Vetëvendosje. Lidhur me këtë, kryeministri i Qeverisë vuri në spikamë nevojën e 42 fshatrave të asaj zone për shërbime më të shpejta, të afërta e cilësore, gjë që sipas tij arrihet me themelimin e Komunës së Hasit. Duke iu bërë thirrje deputetëve për përkrahje të këtij vendimi të Qeverisë, për të cilin u shpreh se nuk është i motivuar politikisht, në vijim kryeministri u shpreh:" Qytetarët e nderuar të Hasit, vendimin për themelimin e komunës e kanë vulosur me gjak gjatë luftës".
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve. Fillimisht deputetët shqyrtuan Projektligjin për tregun e naftës dhe produkteve të naftës në Kosovë, për të cilin grupi Parlamentar i LDK-së ngriti mocionin që ai t'i kthehet Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si sponsorizuese e tij. Mocionin e këtij grupi e arsyetoi deputetja, Teuta Sahatqija, e cila këtë Projektligj e cilësoi si antikushtetues. Ajo po ashtu vlerësoi se Projektligji krijon monopol dhe shkatërron tregun e lirë të naftës. Se si do të veprojë ky Grup Parlamentar, në rast se nuk miratohet mocioni i paraqitur prej tyre, foli edhe shefi i këtij Grupi Parlamentar, Ismet Beqiri, i cili bëri të ditur se në të kundërtën ata janë të vendosur të lëshojnë sallën. Të njëjtin qëndrim e paraqitën edhe Grupi Parlamentar i VV-së dhe ai AAK-së, të cilët pas qëndrimeve të paraqitura vendosën ta lëshojnë sallën e mbledhjeve.
Pas kësaj situate të krijuar, fjalën e mori kreu i Kuvendit, Krasniqi, i cili sqaroi se opozita sa do që mund të ketë të drejtë lidhur me përmbajtjen e Projektligjit, sipas Rregullores së Kuvendit, mocioni mund të ngrihet për shtyrje të kësaj pike të rendit të ditës, e jo për çështje të tjera. Sipas tij, vendimi lidhur me këtë Projektligj duhet të merret pas debatit, ndërsa duke i bërë vlerësim këtij Projektligji ai tha se nuk i përmbush nevojat e kësaj fushe dhe i bëri thirrje Ministrisë për tërheqjen dhe riformulimin e tij. Në vijim, kryeparlamentari Krasniqi, vendosi për një pauzë, pas së cilës shefat e grupeve parlamentare u dakorduan që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një mbledhje tjetër.
Në vijim, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi në parim Projektligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Në parim, po ashtu u miratua edhe Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, për të cilin foli deputetja, Alma Lama, me iniciativën e së cilës është sjellë ky Projektligj.
Në vijim të mbledhjes, në lexim të dytë, deputetët miratuan edhe këto projektligje: Projektligjin për transportin rrugor dhe Projektligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë, ndërkaq shqyrtimi i Projekt-rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, u shty për më vonë.
Pas kësaj u shqyrtua i Raporti vjetor financiar i buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2012. Këtë Raport para deputetëve e paraqiti zv. kryeministrja Mimoza Kusari-Lila. Ajo foli në hollësi për të hyrat dhe shpenzimet e vitit të kaluar. Sipas këtij Raporti, të hyrat kryesore në buxhetin e Kosovës ende sigurohen nga doganat, në kuotën prej 55% të buxhetit të përgjithshëm. Gjatë debatit lidhur me këtë Raport, opozita vlerësoi se ai nuk përmban transparencë të mjaftueshme. Pas debatit, Kuvendi miratoi Raportin vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2012.
Në vijim u shqyrtuan edhe këto raporte: Raporti vjetor i punës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2012, Raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2012 dhe Raporti i punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2012. Pastaj u shqyrtua kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e tarifave vjetore për vitin 2013. Kërkesën e këtij Fondi e paraqiti kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, e cila arsyetoi kërkesën e këtij Fondi dhe apeloi për miratimin e saj. Pas kësaj, në rendin e ditës ishte edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media. Në mungesë të kuarumit, për këto raporte Kuvendi do të votojë në vazhdimin e mbledhjes së nesërme që do të fillojë në orën 11:00.
Në këtë mbledhje, u bë e ditur se deputetë nga komuniteti kryesisht serb kanë themeluar Grupin Parlamentar, Zajedniqka Buduqnost. Kryetar i këtij grupi u tha se do të jetë deputeti, Goran Marinkoviq. Ky grup parlamentar është themeluar në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.