Lajmet e fundit

U mbajt tryeza “Filozofia politike-kombëtare e Ukshin Hotit”

E Enjte, 16.05.2013




Grupi i Deputetëve të Rinj në bashkëpunim me Këshillin e studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në kuadër të aktiviteteve në nderim prof. Ukshin Hoti të përmbledhura në "Ditët e Kolosëve", mbajtën sot një tryezë me temën "Filozofia politike-kombëtare e Ukshin Hotit".
Veprimtari i çështjes kombëtare, z. Adem Demaçi ngriti lart figurën e Ukshin Hotit, duke e cilësuar si kryemjeshtër të përgatitur si në aspektin intelektual ashtu edhe me anë të përvojës jetësore. "Ukshin Hotin e zhduku Serbia, sepse e ndjeu rrezikun nga ai dhe sot më shumë se kurrë na duhet një Ukshin", tha mes tjerash Demaçi.
Motra e Ukshin Hotit, znj. Myrvete Hoti-Kosumi në emër të familjes luti përfaqësuesit e institucioneve të vendit që të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të tij, pasi që mungesën e Ukshin Hotit e ndjen me të madhe familja e tij dhe gjithë Kosova.
Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi potencoi se profesor Ukshin Hoti është politologu më i madh që ka pasur skena politike shqiptare ndonjëherë.
Tutje foli edhe profesor Agim Vinca i cili theksoi se Ukshin Hotin e karakterizonte guximi, përgatitja intelektuale e mirëfilltë dhe integriteti moral ku në shkrimet e tij përveç që kishte vlera shkencore dhe politike ato ishin dhe me vlerë të madhe letrare. Sipas tij profesor Hoti e vëreu i pari se Kosova do bëhej Republikë vetëm me anë të luftës.
Sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni, profesor Hoti ishte njeri shumëdimensional, njeri i parimeve, dinjitetit dhe intelektual i nivelit të Hasan Prishtinës e Luigj Gurakuqit. Profesor Hoti ishte njeri i angazhuar në institucione, por me shpirt disidenti dhe nuk bëhej servil, pasi që kishte thellësinë intelektuale dhe guximin për të vepruar. Ai më së miri kombinonte interesat imediate dhe ato strategjike-afatgjate të kombit, theksoi deputeti Hyseni.
Deputeti Nait Hasani tregoi momente nga kujtimet e tij të kaluara së bashku me profesor Ukshin Hotin në burg. Ai theksoi shpirtin guximtar të profesor Hotit që dallohej nga të tjerët dhe nga ku të burgosurit tjerë gjenin motivimin e nevojshëm për të vazhduar.
Kryetarja e Grupit të Deputetëve të Rinj, Ganimete Musliu, përshëndeti të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe kërkoi që faktet mbi veprimtarinë e profesor Ukshin Hotit të dokumentohen nga njerëzit kompetent. Ajo e cilësoi Hotin si pishtar ndriçues të një rrugë, që duhet ndjekur rinia e vendit.
Në këtë tryezë fjalën e morën edhe bashkëveprimtarë tjerë të Ukshin Hotit, ndër tjerët edhe z.Bislim Elshani, i cili vuri theksin në filozofinë politike të Ukshin Hotit dhe raportin që kjo filozofi kishte me ideologjitë, religjionin dhe bashkimin e kombit shqiptar.

U mbajt tryeza “Filozofia politike-kombëtare e Ukshin Hotit”