Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Mërkure, 15.05.2013
Zbatimi i rekomandimeve për të drejtat e fëmijëve, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në qershor 2012, ishte temë e debatit të sotëm në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Për rekomandimet e miratuara nga Kuvendi (tetë sosh), të cilat obligojnë Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), fillimisht foli kryetarja e Komisionit, Suzan Novobërdali. Ajo me këtë rast u shpreh e bindur se në bazë të rekomandimeve, të cila Kuvendi i ka miratuar pothuajse para një viti, ministritë përkatëse i kanë përmbushur detyrimet ndaj tyre.
Lidhur me zbatimin e këtyre rekomandimeve në emër të MASHT-it, njoftoi këshilltari i ministrit të kësaj Ministrie, Ragip Gjoshi. Për sa i përket kësaj Ministrie, ai u shpreh se janë përmbushur plotësisht rekomandimet, duke vënë në pah edhe pengesat që kanë hasur në realizimin e tyre. Ai tha se MASHT-i në vitin 2011, ka hartuar Planin Strategjik për sektorin e arsimit 2011-2016. Pjesë e këtij Plani, tha në vijim ai, është edhe edukimi parashkollorë (edukimi në fëmijëri të hershme). Ai po ashtu vuri në spikamë bashkëpunimin e mirë që kanë me UNICEF-in, respektimin e kodit të mirësjelljes nëpër shkolla dhe trajtimin adekuat, për të mos vënë në pikëpyetje dinjitetin e grup-moshave nga linja deri në 18 vjeç.
Lidhur me rekomandimet për MPB-në, ndërkaq, foli ministri Bajram Rexhepi. Ai me këtë rast u angazhua lidhur me rekomandim kyç të kësaj Ministrie, i cili ka të bëjë me riatdhesimin e familjeve që kanë fëmijë. Ai tha se kjo Ministri implementon marrëveshjen e ripranimit, Strategjinë e Personave të Riatdhesuar dhe Rregulloren për riintegrimin e personave të riatdhesuar. Familjet që kanë fëmijë dhe riatdhesohen, MPB-ja i trajton si kategori të veçantë gjatë trajtimit institucional para dhe pas riatdhesimit, tha Rexhepi. Kujdes të veçantë, tha ai, Ministria i kushton Programit të Edukimit dhe përfshirjes në programet e risocializimit dhe mësimit të gjuhës. Ai po ashtu njoftoi se rexhistrimi dhe pajisja me dokumente përkatëse e fëmijëve të riatdhesuar, bëhet në procedurë të shpejtë. Në vijim, ministri Rexhepi shpalosi edhe një statistikë të fëmijëve të riatdhesuar.
Për mbrojtjen sociale të fëmijëve në nevojë, sipas rekomandimit të pestë, në vijim njoftoi ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq. Fillimisht, ai njoftoi për hartimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe skemën sociale nga e cila përfitojnë fëmijët në nevojë. Ai foli edhe për standardet për mbrojtjen e fëmijëve pa përgjegjësi penale si dhe për standardet mbrojtëse të fëmijëve me aftësi të kufizuara, për mbrojtjen dhe sigurimin nga puna e fëmijëve të mitur, për mbrojtjen e fëmijëve nën përkujdesje dhe për caktimin e kujdestarëve në raste të veçanta. Ai foli edhe për të dhënat statistikore të kësaj Ministrie, ku u vu re se në vitin e kaluar kjo ministri ka ndarë ndihmë për 26 fëmijë në nevojë, ndërkaq, shqetësues paraqiti faktin se gjatë vitit të kaluar 65 mijë fëmijë në mënyrë indirekte i janë nënshtruar dhunës në familje.
Në emër të Këshillit të Pavarur për Media (KPM), foli kryetari i këtij këshilli, Shefki Ukaj. Ai me këtë rast njoftoi se shumica e televizioneve në Kosovë, kanë bërë shkelje të Rregullores për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në mbrojtjen dhe respektimin e dinjitetit të fëmijëve.
Pas debatit, Komisioni vlerësoi se MASHT-i, duhet të organizojë trajnime dhe fushata vetëdijësuese, në mënyrë që nxënësit, mësimdhënësit dhe stafi menaxhues në shkolla të respektojë në plotësisht kodin e etikës nëpër shkolla.