Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 15.05.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, në fillim u shqyrtuan vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e universiteteve publike, në Gjakovë, në Gjilan dhe në Mitrovicë, si institucione publike të arsimit të lartë. Në fillim, kryetari i komisionit Idriz Vehapi njoftoi anëtarët e Komisionit se këtë çështje e ka shqyrtuar Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e cila përkitazi me këtë i ka dërguar këto përfundime këtij Komisioni:"Ngarkohet Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media,si komision funksional, që t' i shqyrtojë vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e universiteteve publike, në Gjakovë, në Gjilan dhe në Mitrovicë, si institucione publike të arsimit të lartë dhe Kuvendit t' ia paraqesë Raportin me rekomandime. Komisioni për Arsim të njoftohet , përmes transkriptit, me diskutimet e zhvilluara në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për vendimet e Qeverisë së Kosovës për themelimin e universiteteve publike në Gjakovë, në Gjilan dhe në Mitrovicë". Përkitazi me këtë pikë të rëndit të ditës në mbledhje ishte ftuar edhe ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me bashkëpunëtorë.

Duke folur për këto vendime të Qeverisë së Kosovës, Ramë Buja theksoi se vendimet për themelimin universiteteve publike janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në këto tri qytete tashmë janë njësitë e Universitetit publik të Prishtinës, ndërsa me këto vendime synohet që këto njësi të avancohen në universitete të pavarura, në mënyrë që të rinjve t' iu ofrohet arsim superior më afër vendbanimit, mirëpo me këtë rast nuk do të hapen degë të reja. Kapacitetet e objekteve për nga funksioni janë në nivel të duhur, madje në Mitrovicë ka filluar ndërtimi i objektit të Universitetit.

Gjatë debatit mjaft të gjerë shumica e anëtarëve të Komisionit përkrahën vendimet e Qeverisë së Kosovës për themelimin e këtyre universiteteve, por kishte edhe mendime se nuk duhet të ketë ngutje në procesin e hapjes së universiteteve, pasi nuk mjafton vetëm sigurimi i infrastrukturës për themelimin e tyre , duke theksuar se në mungesë të kuadrit mësimor nuk do të sigurohej cilësi e studimeve.

Përkitazi më këto shqetësime të ngritura ministri Buja tha:"Asgjë nuk arrijmë nëse presim së pari të formojmë kuadro e pastaj të hapim universiteteve. Këto universitete nuk janë universitete të mëhallëve, por janë universitete rajonale. Hapja e tyre nuk është duke u bërë për fushatë, ndërsa të gjithë kemi për synim cilësinë e studimeve". Në përfundim të debatit Komisioni me shumicë votash përkrahu vendimet e Qeverisë së Kosovës për themelimin e këtyre tri universiteteve publike.

Në vazhdim të mbledhjes ministri Ramë Buja paraqiti edhe një informatë para Komisionit lidhur me procesin e reformave në arsimin superior, me theks të veçantë në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës. Lidhur me këtë ai tha se është formuar një komision, i cili mbi bazën e shembujve më të mirë evropian propozon edhe masat e transformimit të Universitetit. Në këtë rrugë UP dhe Ministria po gjejnë përkrahje edhe nga strukturat përkatëse të BE-së, të cilat më parë kishin dhënë vërejtje lidhur me procesin e reformimit të universiteteve. Çështja e reformës universitare u tha se do të shqyrtohet më gjerësisht në një mbledhje të ardhshme.

Komisioni në vijim shqyrtoi amendamentet e grupit punues në Projekt-Statutin e Universitetit Publik ''Ukshin Hoti'' në Prizren dhe të Projekt-Statutit të Universitetit Publik ''Haxhi Zeka'' në Pejë, të cilat i përkrahu dhe njëkohësisht procedoi këto dy statute në shqyrtim të dytë (miratim) në Kuvend.

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media