Lajmet e fundit
Kryeparlamentari i Krasniqi priti familjare të martirëve të luftës
E Mërkure, 15.05.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot një delegacion të familjareve të martirëve të luftës, në përbërje: Fatime Gashi, Fahrie Hoti, Kumrie Shala dhe Zarife Shala, me të cilat ka biseduar për pozitën ekonomike dhe sociale të këtyre familjeve që i kontribuuan lirisë së Kosovës.
Përfaqësueset e familjeve të martirëve të luftës ia kanë përcjellë kryeparlamentarit Krasniqi mesazhin nënave dhe garave të martirëve në masakrat e Çyshkut, të Krushës së Madhe, të Reçakut, të Mejes e të Izbicës që institucionet e Kosovës të bëjnë më shumë për familjarët e martirëve.
Ato kanë përcjellë kërkesën që të ndryshohet Projektligji ( në procedurë parlamentare) për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre. Ato kanë kërkuar shprehimisht që emërtimi "Viktimë e luftës" të bëhet "Martir i luftës". Ato ndërkaq kanë kërkuar që të shtohen kontributet financiare për familjet e martirëve ( aktualisht janë 135 euro); të hiqen tatimet në pronë në gjendje të rëndë ekonomike; të hiqen edhe taksat gjyqësore e administrative për të gjithë familjarët, si dhe të krijohen lehtësi për shkollim dhe punësim të fëmijëve të këtyre familjeve.
Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur solidaritetin me familjarët e martirëve të luftës, duke theksuar se i mirëkupton kërkesat dhe brengat jetësore të tyre.
Ai është shprehur i bindur se kërkesa për ndryshimin e Projektligjit për dëshmorët... është e realizueshme dhe se kjo kërkesë do të kalojë nëpërmjet komisionit funksional që është duke e shqyrtuar projektligjin në fjalë. Krasniqi ka theksuar se i0 kupton edhe n nevojat ekonomike dhe sociale të këtyre familjeve, por ka përkujtuar gjithashtu për vështirësitë financiare të Kosovës. " Me gjithë buxhetin varfër të Kosovës, gjithherë ka mundësi që me një ndarje me drejtësi të këtij buxheti të gjenden mjete për mbështetjen e të gjitha kategorive të shoqërisë në nevojë", ka thënë Krasniqi.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe deputetja, Teuta Haxhiu, e cila ka marrë për sipër që të iniciojë procedurat për ndryshimin e Projektligjit për dëshmorët...në favor të familjarëve të martirëve të luftës.