Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së vizitoi Qendrën e Situatave
E Mërkure, 15.05.2013
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga nënkryetari i komisionit Rexhep Selimi dhe anëtarët: Fatmir Xhelili, Anton Quni, Vjollca Krasniqi dhe Rasim Demiri, kanë vizituar Qendrën e Situatave, me [‘rast u takuan me drejtorin e Qendrës së Situatave, Shaqir Shaqiri.
Shaqiri fillimisht njoftoi anëtarët e komisionit rreth të arriturave të kësaj qendre që nga themelimi i saj dhe deri më sot. Po ashtu ai njoftoi ata për aktivitetet, hierarkinë e raportimit të punës së tyre si dhe bashkëpunimin e tyre me Agjencionin për Menaxhimin e Emergjencave, me qendrat emergjente komunale, si dhe me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që veprojnë në Kosovë.
Drejtori i Qendrës së Situatave, Shaqir Shaqiri njoftoi komisionin parlamentar për siguri edhe për sfidat me të cilat përballet kjo Qendër, duke përfshirë këtu edhe mungesën e fondeve dhe pengesat ligjore për të cilat kërkohet një harmonizim më i madh në mes të ligjeve.
Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së, duke falënderuar kreun e kësaj Qendre dhe stafin e tij për pritjen dhe bashkëpunimin, u premtoi atyre se do ta kenë mbështetjen e komisionit për tejkalimin e sfidave, si me rastin e rishqyrtimit të buxhetit, po ashtu edhe për harmonizimin e infrastrukturës ligjore.