Lajmet e fundit
Mbledhje e Kuvendit në shënim të 32-vjetorit të rënies së atdhetarëve Tahir dhe Nebih Meha
E Hënë, 13.05.2013
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, është mbledhur sot në seancë, në shënim të 32-vjetorit të rënies së atdhetarëve Tahir dhe Nebih Meha në betejën e Prekazit të Epërm.
Në cilësi të përfaqësuesit të iniciuesit të kësaj mbledhjeje, deputeti Ramiz Lladrovci, bëri një përshkrim të ngjarjes së 13 majit 1981, kur policia jugosllave sulmoi kullën dhe familjen e Tahir Mehës, duke shfrytëzuar pikërisht Ditën e Policisë së Jugosllavisë.
Lladrovci tha se Prekazi i Drenicës u bë atë ditë fushëbetejë dhe vulë e një vargu ngjarjesh të Pranverës '81.
"Pas arrestimeve të shumta të rinisë kosovare, anembanë vendit, gjatë demonstratave kosovare të atij viti, Jugosllavia e atëhershme kishte për synim të dëshmojë forcën mbi shqiptarët e Kosovës. Dhe, adresa e tyre ishin Mehajt e Prekazit. Por, një ushtri, një polici dhe një makineri e tërë, u thye atë ditë në Kullën e Mehajve, në çerdhen njëshekullore të rezistencës ndaj të gjithë krajlave", theksoi deputeti Lladrovci.
Rrethimi prej tre rrathësh i Kullës së Mehajve nga njësia speciale, ushtria jugosllave dhe pjesëtarë të policisë rezervë, shtoi ai, nuk e thyen assesi Tahirin, Nebihun dhe familjen Meha. Ata, tha më tej Lladrovci, qëndruan deri në fundin e natës, duke lënë të vrarë 24 pjesëtarë të njësive speciale jugosllave dhe shumë të plagosur, përkundër faktit që zyrtarisht ishin deklaruar vetëm 4 të vrarë dhe 3 plagosur.
"Kulla e Mehajve të Prekazit ishte po ajo kulla e gjyshit të Tahir Mehës, Emin Latit, që kishte qenë pjesë e çerdhes së Azem Bejtës dhe që asnjëherë s'iu dorëzua pushteteve antishqiptare. Tahir Meha, babai i tij Nebihu dhe të gjithë anëtarët e kësaj familjeje, ishin njëqind vjet më parë të betuar për të mos iu nënshtruar asnjë regjimi antishqiptar. Në vend të nënshtrimit ata zgjodhën rezistencën", u shpreh Lladrovci, duke shtuar se jo rastësisht, edhe heronjtë mëvonshëm, si Adem e Hamzë Jashari, u betuan pikërisht mbi varret e tyre, se jeta e tyre do të ecë rrugës dhe amanetit të Mehajve.
Në vazhdim deputeti Lladrovci kujtoi rezistencën e Komandantit Legjendar Adem Jashari e të familjes Jashari 10 vjet më vonë dhe në sulme të tjera, deri në rënien heroike në mars të vitit 1998, duke mos iu dorëzuar për asnjë moment, po të njëjtit regjim, po të njëjtave forca policore e ushtarake të Beogradit dhe duke tërhequr vëmendjen e tërë opinionit të gjerë ndërkombëtar, për të vërtetën se ç'po ndodhë në Kosovë dhe me shqiptarët.
"Është detyrë dhe privilegj i secilit prej nesh që të nderojmë dëshmorët e kombit, heronjtë e mëdhenj, ata që duke tejkaluar veten u bënë themel i lirisë, i shtetit dhe institucioneve që bashkë po i ndërtojmë. Beteja e 13 majit 1981, rënia e Tahir e NebihMehajt, babë e bir, në atë betejë, ishte rënie për lirinë tonë, për shtetin që sot e gëzojmë dhe e ndërtojmë bashkërisht, ishte frymëzim për gjeneratat e mëpastajme deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se si duhet të jetohet dhe se si duhet të vdiset për atdheun.
Ne sot nuk po e nderojmë veç një njeri, veç një ngjarje a po një moment. Mehajt dhe 13 maji i vitit 1981, i Pranverës së Madhe Shqiptare të Kosovës, ishte veç një nyje në një histori njëqindvjeçare", theksoi ndër të tjera deputeti Lladrovci.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke e marrë fjalën në këtë seancë, prezantoi gjendjen në Kosovë të asaj kohe dhe veprimet që i paraprinë betejës së Prekazit të Epërm. Krasniqi tha se gjendja, si në gjithë Kosovën, më 1981 ishte e rëndë edhe në Universitet, ku studentët u ngritën fillimisht për të kërkuar kushte më të mira të studimit, por demonstratat e 11 dhe 26 marsit u bënë shkëndija për të ndezur zjarrin e revoltës së popullit kryengritës.
Në fillim të prillit 1981, shtoi tutje kryetari i Kvuendit, nën parullën "Kosova-Republikë", tërë Kosova u ngrit në këmbë me kërkesën për t'u bërë e barabartë me njësitë tjera të federatës jugosllave.
"Në pranverën e vitit 1981 në Kosovë ndodhi demonstrimi plebishitar i vullnetit politik të shqiptarëve, në njërën anë dhe hyrja në luftë e forcave serbe e jugosllave me popullin duarthatë, por liridashës, në anën tjetër.
Demonstratat paqësore u kthyen në ngjarje të përgjakshme nga makina shtypëse jugosllave që po i shërbente politikës hegjemoniste e ekspansioniste të Beogradit", theksoi kryetari Krasniqi, duke shtuar se kryengritja u vulos me gjakun e militantëve të Lëvizjes së organizuar, Naser Hajrizi e Asllan Pireva dhe të demonstruesve të tjerë, si Xhelal Maliqi e Salih Abazi, Ruzhdi Hyseni e Salih Mulaku, Rizah Matoshi e Sherif Frangu, të të rinjve Nesimi Dervishdana, që u vra në Gjakovë e të Ibrahim Krasniqi e Afrim Abazi, të mbytur në burgjet jugosllave.
Ende pa u tharë gjaku i dëshmorëve të demonstratave, më 13 maj 1981, shtoi tutje Krasniqi, forcat speciale të policisë jugosllave, të shoqëruara edhe me trupa ushtarake të blindura dhe me helikopterë gjuajtës, ia mësynë Prekazit legjendar të Drenicës, për ta zhbërë familjen kryengritëse të Tahir Mehës.
"Ditën e festës së saj, policia dëshironte ta shënonte pikërisht në Prekaz, duke vrarë atdhetarë e provokuar Drenicën dhe mbarë Kosovën.
Tahir Meha, bashkë me babain e tij dhe familjen, të fortifikuar në kullën e tyre, vendosën të qëndronin, sipas amanetit të Emin Latit e Ahmet Delisë, të Kamer Loshit e Azem Galicës, duke rezistuar me armë në dorë.
Luftimet vazhduan gjatë gjithë asaj dite të majit të vitit 1981, midis një familjeje në vatrën e saj dhe një soldateske të tërë gjakpirëse, me armatimin më modern", tha kreu i Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi vlerësoi se pushkët e Mehajve të Prekazit më 13 maj 1981 jehuan si kushtrim Drenice për rezistencë kundër pushtuesit, duke shënuar faqe lavdie të historisë sonë. Shembulli i Tahir e Nebih Mehës, tha më tej Krasniqi, edukoi brezat vijues të Kosovës për t'ia kthyer pushkën armikut, pavarësisht fuqisë së tij. Krismat e Prekazit dërguan në mbarë botën mesazhin e një populli të robëruar, që herët a vonë do të ngrihej me armë në dorë për lirinë e tij.
"Kryengritja e vitit 1981 dhe qëndresa e Prekazit u bënë forcë shtytëse e zhvillimeve në procesin e çlirimit të Kosovës nga sundimi serbomadh dhe pararendëse të luftës për liri, të kulmuara në epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari", tha ndër të tjera kryeparlamentari Krasniqi.