Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 13.05.2013
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seancën e rregullt të Kuvendit ta thërrasë për të enjten, më 16 maj, si dhe e ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.
Pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për tregun e naftës dhe produkteve të naftës në Kosovë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (të ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr. 03/L-221 dhe nr. 04/L-116), si dhe Projektligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për transportin rrugor dhe Projektligji për sigurinë dhe shëndetin në punë. Po për herë të dytë do të shqyrtohet edhe Projektrregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën seancë pritet të shqyrtohen dhe disa raporte të agjencive të ndryshme, si: Raporti vjetor financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2012, Raporti vjetor i punës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2012, Raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2012, si dhe Raporti i punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2012.
Në përfundim të seancës do të shqyrtohet kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e tarifave vjetore për vitin 2013.
Kryesia, në takimin e sotëm, ka shqyrtuar edhe një varg propozimesh dhe kërkesash, si: kërkesën për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, të cilin kërkesë ia ka deleguar Komisionit për Buxhet dhe Financa që të përgatisë për Kuvendin raportin me rekomandime; kërkesën për seancë solemne në nderim të atdhetarit dhe diplomatit të çështjes kombëtare, Ukshin Hotit (sipas kërkesës së deputetit Idriz Vehapi dhe të deputetëve nënshkrues), e cila është vlerësuar se i plotëson kushtet formale-juridike për procedim; kërkesën për debat parlamentar lidhur me Strategjinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Republikën e Kosovës 2009-2015 ( shtruar nga deputeti Xhevdet Neziraj dhe e mbështetur nga deputetë të tjerë nënshkrues), si dhe kërkesën për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari Komisionit të Pavarur për Media, duke kërkuar nga kryetarët e grupeve parlamentare që deri ditën e enjte t'i propozojnë nëntë emra për anëtarë të këtij Komisioni ( PDK-ja dhe LDK-ja nga dy anëtarë, kurse grupet e tjera parlamentare nga një anëtar)
Kryeparlamentari Krasniqi i ka njoftuar nënkryetarët e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare për tërheqjen e katër deputetëve (Milivoje Stojanoviq, Boban Todoroviq, Biserka Kostiq dhe Goran Marinkoviq) nga Grupi Parlamentar i SLS-së dhe për formimin (nga të njëjtit deputetë) e Grupit Parlamentar ("Ardhmëria e përbashkët"). Kryetar i këtij grupi është caktuar deputeti Goran Marinkoviq, ndërsa zëvendëskryetar, deputeti Sasha Gjokiq. Anëtarë të tjerë të këtij grupi parlamentar do të jenë edhe Sasha Gjokiq, Vesimir Saviq dhe Etem Arifi.
Deputeti Hamza Balje është tërhequr nga Grupi Parlamentar " 6+", kurse deputeti Sreten Ivanoviq i bashkohet Grupit Parlamentar të SLS-së.