Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Brendshme... mbajti dëgjim publik
E Premte, 10.05.2013
Në kuadër të monitorimit të zbatimi i Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot dëgjim publik.
Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), të Policisë së Kosovës (PK), të Inspektoratit Policor (IPK) e të shoqërisë civile, si dhe anëtarë të komisionit, të pranishëm në këtë dëgjim publik, kanë diskutuar gjerësisht rreth veprimeve që janë ndërmarrë në funksion të zbatimit të këtij ligji, si dhe vështirësive të identifikuara gjatë mbikëqyrjes së zbatimit nga ana e grupit punues të komisionit.
Kryetari i Komisionit, Ahmet Isufi, tha se ky dëgjim publik organizohet në kuadër të obligimeve kushtetuese të komisionit dhe të angazhimeve të tij, për komunikim me institucionet dhe agjencitë që ai i mbikëqyr.
Kryetari i grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, deputeti Rexhep Selimi, bëri një përmbledhje të angazhimeve të këtij grupi, ndërsa vlerësoi se të gjeturat gjatë vizitave e takimeve të ndryshme, do të përfshihen në raportin përfundimtar, i cili do të hartohet pas përfundimit të aktiviteteve të parapara.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se puna e institucioneve të vendit, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, ka përmirësime të vazhdueshme, por vërehen edhe të meta e mangësi të caktuara. Ai tha se të dy këto institucione janë në shërbim të qytetarëve dhe funksionojnë në bazë të ligjeve.
Në vazhdim, anëtarët e komisionit: Fatmir Xhelili, Anton Quni, Ganimete Musliu, Rexhep Selimi, Goran Marinkoviq, Rasim Demiri e Danush Ademi, ngritën një varg çështjesh që lidheshin me punën dhe veprimet Policisë së Kosovës, ndërsa në mënyrë të veçantë, të Inspektoratit Policor të Kosovës. Ata kërkuan hollësi nga përfaqësuesit e Policisë së Kosovës e të Inspektoratit Policor për një varg çështjesh që preokupojnë qytetarët e vendit, si: mënyrat e ankesave për sjelljet dhe veprimet eventuale të policëve, si dhe veprimet që Inspektorati ndërmerr në raste të tilla, për përshtatjen me ligjin e ri të Inspektoratit dhe rritjen e efikasitetit të policisë, përfshirjen e një pjesëtari të IPK-së në një nga protestat e vitit të kaluar, për qasjen dhe trajtimin e policëve në raste të tejkalimit eventual të përgjegjësive të tyre ndaj të arrestuarve apo protestuesve, për transferet e zyrtarëve nga Policia në Inspektorat dhe niveli i arsimimit të tyre, për përfaqësimin e komuniteteve pakicë etj.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, theksoi se Inspektoratin Policor, Policia e konsideron aset mbështetës në identifikimin e të gjitha mangësive dhe vështirësive, në realizimin e objektivave dhe avancimit të punës. Ai shtoi se IPK-ja ka mandatin për mbikëqyrjen e punës së Policisë së Kosovës, duke përfshirë inspektimet e rregullta dhe ato të jashtëzakonshme, ndërsa me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, edhe me hetimin e të gjithë zyrtarëve policorë, në rrethanat kur dyshohet se ata janë të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme apo në kryerjen e veprave penale.
Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani, dha sqarime dhe u përgjigj në çështjet e ngritura dhe pyetjet e shtruara nga ana e anëtarëve të komisionit, duke vlerësuar të arriturat e Inspektoratit, por edhe vështirësitë me të cilat ai përballet, apo mangësitë që mund ta përcjellin punën e tij. Për çështje të caktuara, ai tha se nuk është kompetent të flasë dhe se ato janë kompetencë e prokurorisë.
Në fund, kryetari Ahmet Isufi, i cili udhëhoqi këtë dëgjim publik, tha se raporti, i hartuar në bazë të të gjeturave, do të shkojë në seancë plenare dhe deputetët do të kenë mundësi të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, në funksion të zbatimit sa më të mirë të ligjit.