Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit me rastin e shënimit të 15-vjetorit të Betejës së Llapushnikut

E Premte, 10.05.2013




Në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Betejës së Llapushnikut, Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, është mbledhur sot në seancë, për të nderuar të rënët dhe luftën heroike të ushtarëve të UÇK-së në këtë betejë.
Në cilësi të përfaqësuesit të iniciuesit të kësaj mbledhjeje, deputeti Fadil Demaku, fillimisht tha se pas rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, Beteja e Grykës së Llapushnikut ishte sfida më e madhe dhe më sprovuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përballje me forcat pushtuese serbe. "Ishte organizimi i parë i sulmeve dhe luftimeve në një front të gjerë. Aty morën pjesë luftëtarët e orëve të para, ata që më pas ishin bartës të luftës çlirimtare në shumë beteja tjera anë kënd vendit. E shumë prej tyre tanimë janë dëshmorë të kombit. Në atë kohë organizimi i UÇK-së në tërë territorin e Drenicës e më gjerë ishte i ndarë në njësitë me emra që nënkuptonin diçka të përbashkët me pozitën gjeografike apo edhe me ndonjë cilësim tjetër.", tha me këtë rast deputeti Demaku.
Ai shtoi se në territorin e fshatrave për rreth Grykës së Llapushnikut vepronte UÇK-ja e organizuar në njësitet e Pëllumbit, Gurit, Çelikut dhe Lumit të cilat kishin filluar zgjerimin, forcimin dhe përgatitjet e nevojshme që të jenë në gjendje të përballen me forcat armike në atë rajon.
"15 vite më parë, më 9 maj 1998 që në mëngjes dukej qartë për lëvizjet e forcave armike në drejtim të Grykës, pasi një ditë më parë, më 8 maj 1998 njësitet e UÇK-së kishin sulmuar një kolonë të forcave serbe. Forcat serbe ishin të përcjellura edhe nga helikopteri i tyre që vazhdimisht sillej mbi territoret tona. Si dukej udhëzonte forcat e tyre në teren për çdo lëvizje të radhëve tona dhe vazhdimisht atakoheshin nga predhat e minahedhësve të kalibrave të ndryshëm, me ç‘rast vështirësohej shumë depërtimi në pozicione më të favorshme në afërsi të rrugës kryesore. Këmbëngulja e pjesëtarëve të UÇK-së për tu pozicionuar, pavarësisht rrezikut ishte e jashtëzakonshme dhe këtë e bënin me sukses nga ora në orë. Artileria e forcave pushtuese serbe vazhdonte pandërprerë granatimin e gjithë fshatrave rreth Grykës së Llapushnikut. Gjithë popullata kishin dalë në rrugë. UÇK-ja ishte shpresa e vetme. Në fytyrat e tyre ishte i përzier entuziazmi për numrin në rritje të ushtarëve tanë, por dukej edhe shqetësimi për situatën tejet dramatike dhe të pasigurtë. Më kujtohet se si rrugët e fshatrave Krajkovë e Damanek ishin të mbushura me vetura, traktorë, qerre, e shumë të tjerë në këmbë si pleq, gra e fëmijë që kishin dalë siç kishin mundur nga shtëpitë. Ishin banorët e fshatrave të Grykës së Llapushnikut që granatoheshin pandërprerë që lëviznin në drejtim të fshtrave Baicë, Tërdevc e Abri, për të shpëtuar nga granatimet dhe plumbat që nuk ndaleshin gjatë tërë kohës. Artileria armike nuk kishte asnjë pozicion të caktuar, nuk njihnin as ushtarët, as civilët, as shtëpitë, gjithçka e jona ishte në shënjestër të tyre", tha Demaku duke shtuar se UÇK ishte në një luftë krejtësisht të pabarabartë dhe me përgjegjësinë më të madhe për popullatën tonë aty.
"Prezenca e popullatës në zonën e luftimeve ishte vështirësi e jashtëzakonshme për UÇK-në. E në anën tjetër ishte epërsi e madhe për armikun. Në të dyja anët e rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë ishin njësitet tona me një koordinim veprimesh për ta mbyllur Grykën. Aty për disa orë zhvillohen luftime të ashpra, ku ushtarët tanë arrijnë të shkatërrojnë mjete të blinduara të forcave armike dhe duke shkaktuar humbje të konsiderueshme në radhët e tyre.
Gjatë gjithë kohës së luftimeve ka vazhduar ardhja e luftëtarëve tjerë nga të gjitha njësitet e territorit të Drenicës e më gjerë, me ç‘rast pozicionet e UÇK-së vinin gjithnjë duke u forcuar. Forcat pushtuese serbe duke parë pamundësinë për të depërtuar tutje, në orët e pasditës fillojnë të tërhiqen.
Nga radhët e UÇK-së bie dëshmori Besim Halilaj dhe gjithashtu ishin dhjetëra të plagosur. Ishte ditë me dhimbje dhe tejet e lodhshme. Por, qëllimi ishte arritur. Rruga Prishtinë-Pejë ishte arterie e këputur për forcat armike dhe UÇK-ja këtë e shfrytëzoi maksimalisht ditëve në vazhdim", tha deputeti Demaku.
Ai shtoi se Betejat e Grykës së Llapushnikut që nga 9 maji e deri në fund të korrikut ishin bërë pikë takimi i luftëtarëve më të shquar të UÇK-së, në një arenë frontale përballë forcave okupatore, ku gjatë asaj periudhe armiku provoi edhe disa herë duke rritur numrin e mjeteve luftarake dhe të trupave të saj, por hasi në rezistencë të fuqishme dhe të organizuar.
"Gjatë atyre betejave të lavdishme patëm edhe humbje të luftëtarëve të shquar si Imer Alushani e Ali Zogaj dhe disa luftëtarë të plagosur. Gjithashtu, patëm të vrarë e të plagosur edhe nga radhët e popullatës tonë. Rajoni për rreth Grykës së Llapushnikut, gjatë gjithë luftës, deri në qershor 1999, ishte vatër e vazhduar e luftimeve. Gjatë atyre zhvillimeve, në periudha të ndryshme kohore kanë rënë dëshmor edhe dhjetëra luftëtarë të shquar. Rëndësia e Betejës së Llapushnikut ishte vendimtare për UÇK-në në vazhdim. Më 9 maj 1998 ku UÇK-ja merr nën kontroll magjistralen Prishtinë-Pejë në Grykën e Llapushnikut dhe e bënë të pakaluar për forcat pushtuese serbe, ishte ndër veprimet strategjike që kishte ndërmarrë UÇK-ja duke bërë lidhjen fizike të territoreve të saj, duke rritur mjaft hapësirën e kontrolluar dhe duke krijuar mundësitë reale, për një organizim shumë më të fuqishëm, në të gjitha segmentet e saj", tha Demaku.
Më tej ai shtoi se Beteja e Grykës së Llapushnikut mbetet njëra nga betejat më të rëndësishme të UÇK-së, jo vetëm për trimërinë e sakrificën e pjesëtarëve të saj, ku aty kanë bërë rezistencë shumica e emrave më të shquar, por edhe për rolin e saj shumëdimensional, që ka reflektuar për krejt luftën çlirimtare në ato rrethana.
"Gjatë asaj periudhe sa kishte funksionuar kjo lidhje, UÇK-ja ka arritur përparimin më të madh në shtrirje dhe fuqizim të saj, si për nga numri i pjesëtarëve ashtu edhe për furnizimin e tyre me armatim. Ishte krijuar korridori i lirë për të fuqizuar dhe furnizuar të gjitha zonat ku vepronte UÇK në nivel vendi. Dinamika rritet gjatë muajit qershor 1998. Me një fjalë ndodh masivizimi më i madh i UÇK-së.
Si rezultat i atyre zhvillimeve gjatë asaj periudhe formohen dhe zgjerohen shumë njësitë në shumë pjesë të territorit të vendit tonë, për të kulmuar në gusht 1998 me një organizim të mirëfilltë ushtarak, ku lufta merr përmasa të mëdha sidomos në rajonet e Drenicës, Dukagjinit, Llapit, Shalës e Pashtrikut. Gjatë asaj kohe UÇK-ja ka rritë fuqinë e saj vepruese dhe gjithashtu rolin e saj imponues si një faktor real dhe i respektuar edhe për opinionin e gjerë ndërkombëtar.
15 vite pas atyre zhvillimeve të jashtëzakonshme, më shumë se fjalët tona të tanishme që mund t'i thurim me qetësi dhe koncentrim të mjaftueshëm, flasin emrat e dëshmorëve të kombit të cilët lanë gjurmë të pashlyera në ato beteja.
Kuvendi i Republikës së Kosovës me këtë seancë nderon dëshmorët e kombit të cilët kanë marrë pjesë në të gjitha betejat e Grykës së Llapushnikut, nderon sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së në ato beteja, nderon gjithë qytetarët e rënë si; burra, gra, pleq e fëmijë, gjatë atyre betejave. Vlerëson të gjithë ata qytetarë të atyre zonave që gjatë gjithë luftës ishin atakuar dhe që ishin pjesë aktive e sakrificës së madhe me gatishmëri të jashtëzakonshme e me një qëllim të vetëm, gjithçka në funksion të luftës çlirimtare", tha krejtësisht në fund deputeti Fadil Demaku

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, në fjalën e tij tha se ndër ngjarjet më të rëndësishme të UÇK-së kanë qenë luftimet në Lagjen e Gjergjicës, e sidomos ato në Grykën e Llapushnikut, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka shkruar faqet e saj më të lavdishme. "Luftimet e përmendura janë të rëndësishme e karakteristike sidomos për efektet që arritën ato në thyerjen e mitit mbi policinë speciale e të blinduar të armikut, e cila, që nga viti 1981, në kontinuitet kishte vrarë, torturuar e frikësuar popullin e pambrojtur të Kosovës. Njësitet që i zhvilluan me një heroizëm të pashoq luftimet ishin: "Pëllumbi", "Çeliku", "Lumi" etj. Me arritjen e armatimit nga Shqipëria njësiti do të mbështetet me armatim dhe do të forcohet më tepër, me ç'rast një pjesë e tyre do të deponohet në shtëpinë time. Mendoj, edhe sot, se ai arsenal i tëri qe u soll është dashur të mbetej për mbrojtjen e Grykës, sepse, duke qenë nën presionin e "pikave", u bë shpërndarja e armëve, dhe kjo bëri që Gryka e Llapushnikut të mbetet pa mbrojtje të nevojshme. Luftëtaret e këtij njësiti kanë qenë shtylla kryesore e mbrojtjes në pjesën veri-perëndimore te Grykës. Në këtë pjesë ka vepruar edhe njësiti "Guri 3" që ishte pjesë e "Gurit".
Baza e njësitit "Çeliku" gjendej në fshatrat e Bjeshkës së Berishës, vend mjaft strategjik që pati rendësi të çmueshme për rrjedhat e përgjithshme të luftës e të ushtrisë. Në Malet e Berishës, nga qershori i vitit 1998 e deri në përfundim të luftës çlirimtare ka qëndruar selia e SHP të UÇK-së. As ushtaret e këtij njësiti nuk kishin ndonjë armatim cilësor, por asnjëherë nuk u mungoi guximi ushtarak.
Legalizimi i këtyre njësiteve do të bëhej pas 8 majit, në fillim i njësitit "Pëllumbi" e më vonë "Çeliku" e "Lumi". Më 26 prill 1998, nga pjesëtarë të njësitit "Lumi" e "Pëllumbi", në magjistralen Prishtinë-Pejë, mes fshatrave Gjergjicë e Balincë, me urdhër të SHP është sulmuar një kolonë ushtarake e armikut. Ky ishte sulmi i parë i UÇK-së mbi forcat ushtarake. Në këtë sulm armiku ka pësuar humbje njerëzore dhe materiale, kurse njësitet e UÇK-së nuk pësojnë dëme. Pas aksionit ushtarët janë tërhequr në fshatin Negroc, në bazën e UÇK-së. Ishte e arsyeshme se armiku nuk do te pajtohej me humbjen e 26 prillit, aq më tepër pasi aksioni kishte ndodhur në njërën nga arteriet kryesore të Kosovës. Me 8 e 9 maj 1998, forca të mëdha të armikut ia mësyjnë Gjergjicës dhe atje hasin në qëndresë të fortë të UÇK-së", tha kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi.
Ai shtoi se më vonë luftimet u shtrinë prej Gjergjicës deri në Grykë të Llapushnikut dhe se përveç njësiteve të përmendura, në luftimet në Grykën e Llapushnikut morën pjesë edhe shumë luftëtarë të njohur. "Në këto luftime erdhi në ndihmë edhe njësiti "Çeliku". Armiku u gjet i rrethuar dhe kishte vetëm një mundësi që të tërhiqej prapa. Armiku pësoi humbje të konsiderueshme kurse në radhët e UÇK-së kishte një të vrare e dy-tre të plagosur. Në mëngjesin e 29 majit armiku sulmon sërish Grykën e Llapushnikut. Sulmi do të jetë i rreptë, por edhe mbrojtja e luftëtarëve të UÇK-së do të jetë e tillë. Mirëpo, për dëmin që pësoi armiku, në shenjë hakmarrjeje ai do të djegë shumë shtëpi në Vukofc. Po këtë ditë është sulmuar dhe djegur Pokleku i Ri dhe janë zhdukur pa gjurmë rreth dhjetë persona. Isha i vetëdijshëm se armiku nuk do të hiqte dorë nga Gryka e Llapushnikut, nga arteria kryesore e Kosovës, e cila lidhte Prishtinën me Pejën, Gjakovën, Rahovecin dhe Prizrenin, përmes Klinës dhe Malishevës. Isha i bindur se heqja dorë e Serbisë nga kjo arterie do të thoshte heqje dorë nga Kosova, dhe një gjë të tillë Serbia nuk do ta bënte ashtu lehtë e lehtë. Çështja shtrohej se çka po ndodh rreth këtij problemi, çka po përgatitej apo më mirë të themi, çka po përgatiste Serbia dhe cili do të ishte hapi i saj i ardhshëm. Në SHP të UÇK-së po përpiqeshim t'i merrnim masat mbrojtëse, edhe pse mundësitë i kishim mjaft te kufizuara, luftëtarëve u mungonin mjetet financiare, na mungonte logjistika, furnizimin e kishim klandestin dhe bëhej kryesisht me njerëz dhe kafshë.
Veç këtyre që u thanë, punën udhëheqëse dhe komanduese, por edhe sistematizimin e armëve po e pengonte primitivizmi provincialit, si dhe dëshirat për të armatosur më mirë "njësitin tim", "fshatin tim", "zonën time" etj.
Natyrisht, në fund pasojat i pësojnë të gjithë, por këto pasoja ishin parë edhe më herët, prandaj SHP qe angazhuar në shuarjen e njësiteve dhe formimin e formacioneve ushtarake deri në formacionin e brigadës. Për ngritjen cilësore të UÇK-së në të gjitha aspektet, sigurisht që do të mësojë edhe armiku, prandaj edhe shpejton të sulmojë derisa nuk e kishte përfunduar ende strukturimin. Sulmin më të fuqishëm ushtarako-policor armiku e mori më 25 korrik 1998 në drejtim të Grykës se Llapushnikut, duke angazhuar një makineri nga më të mëdhatë dhe më modernet që kishte përdorur deri atëherë. Armiku kishte grumbulluar qindra tanke, praga, autoblinda, transporter e mjete të motorizuara. Armiku kishte më shumë mjete të motorizuara sesa ne që kishim armë dhe sulmonte në të dy krahët e magjistrales Prishtinë - Pejë. Sulmi po bëhej nga të gjitha llojet e armëve dhe pa pushim. Ushtarët e UÇK-së bënë një rezistencë heroike. Luftimet zgjaten dy ditë. Në vijat e para të frontit po merrnin pjesë edhe anëtarët e SHP të UÇK-së", tha me këtë rast kryekuvendari Krasniqi.

Me tej Krasniqi shtoi se në të gjitha luftimet që janë zhvilluar në Grykën e Llapushnikut, ushtarët tanë kanë treguar guxim dhe profesionalizëm të cilësisë së lartë. Ai theksoi se luftime të përmasave të ngjashme, pothuajse në të njëjtën kohë, janë zhvilluar përgjatë aksit rrugor Dollc-Kijevë-Mleqan e Cerovikë. "Në këtë pjesë dalloheshin njësitet: "Alfa" , "Zogu" dhe "Korbi" të përqendruara në Cerovikë, të cilat shpesh kanë kthyer prapa sulmet e policisë armike. Përgjatë këtij aksi rrugor janë zhvilluar luftime të ashpra, sidomos ne Gllarevë e Rigjevë. Edhe në këto luftime humbjet e armikut ishin të konsiderueshme. Mbyllja e Grykës së Llapushnikut, qe njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ndoshta bëri që Hollbruku të alarmonte botërisht mbi çështjen e Kijevës. Çelësi i Kijevës gjendej në Grykën e Llapushnikut dhe në Dollc (Malet e Gllarevës). Mbyllja e Grykës së Llapushnikut, jo vetëm që e shndërroi tërë Llapushnikun në territor të lirë, por ishte urë ndërlidhëse e të gjitha zonave të lira të UÇK-së.", përfundoi kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.

 

Mbledhja e Kuvendit me rastin e  shënimit të 15-vjetorit të Betejës së LlapushnikutMbledhja e Kuvendit me rastin e  shënimit të 15-vjetorit të Betejës së Llapushnikut