Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Mërkure, 08.05.2013




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdali, shqyrtoi Raportin vjetor të aktiviteteve të EULEX-it për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Lidhur me këtë Raport, anëtarët e Komisionit u njoftuan nga përfaqësuesi i EULEX-it, Allen Robinson dhe nga drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërgjaliu.

Përfaqësuesi i EULEX-it, duke iu referuar Raportit të përgatitur nga ana e tyre rreth kësaj problematike, fillimisht vuri në dukje bashkëpunimin e mirë që kanë me Ministrinë e Drejtësisë.

Raporti, tha në vijim Robinson, është i hartuar në pesë kapituj, ku përfshihen rezultatet nga operacionet fushore, rezultatet e antropologjisë mjeko-ligjore dhe të identifikimit, raporti special i mbetjeve të paidentifikuara që mbahen në morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML), të zhdukurit, përkatësisht përshkrimi i situatës dhe Plani i Punës për vitin 2013. Sipas këtij Raporti, numri i personave të zhdukur vazhdon të mbetet ende i lartë (1754), ndonëse janë kryer 46 gërmime fushore në kërkim të të zhdukurve. Ai po ashtu njoftoi se në morgun e Prishtinës ende qëndrojnë 250 trupa dhe 1010 pjesë të trupave. Këto mbetje mortore, sqaroi Robinson, i përkasin kohës së gërmimeve që vite më parë kishte realizuar Tribunali i Hagës. Lidhur me këto mbetje mortore, po ashtu u tha se janë të dëmtuara, përkatësisht të djegura, gjë që bënë të pamundshëm identifikimin e saktë të tyre. Duke folur për agjendën që synojnë të realizojnë në këtë vit, Robinson u shpreh optimist se do të realizohen gërmime hulumtuese edhe në territorin e Serbisë, përkatësisht në Rashkë. Lidhur me këtë, ai tha:"Kemi bërë edhe përgatitjet shkencore në atë zonë". Ndër sfidat e Zyrës që ai udhëheq, Robinson, si pengesë në punën e tyre vuri në spikamë perceptimin e përgjithshëm të opinionit se, Zyra Ligjore e Eulex-it, nuk bën asgjë për zbardhjen e fatit për persona të pagjetur. Këtë perceptim të opinionit ai e vlerësoi si të pabazë, ndërkaq, bëri thirrje që të mbështetet Departamenti i Mjekësisë Ligjore, si i vetmi institucion që ka përgjegjësinë për zhvarrosjen, identifikimin dhe rivarrosjen e personave të pagjetur. Pas kësaj, Robinson e Gërgjaliu iu përgjigjën edhe pyetjeve që shtruan anëtarët e Komisionit.

Duke u përgjigjur në pyetjen se në çmasë janë të dëmtuara mbetjet mortore, drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërgjaliu, shpjegoi se të gjitha mbetjet mortore që nuk i janë nënshtruar zjarrit është e mundshme të identifikohen.

Pas kësaj, anëtarët e Komisionit, falënderuan përfaqësuesin e EULEX-it dhe atë të mjekësisë ligjore, duke ju premtuar ndihmë dhe përkrahje të pa rezervë.

Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi edhe kërkesën e punëtorëve të ndërmarrjes" Morava e Binqës". Gjatë shqyrtimit të kërkesës së punëtorëve të kësaj ndërmarrje ishte i pranishëm edhe drejtori i Bordit të AKP-së, Blerim Rexha dhe një grup ish punëtorësh të kësaj ndërmarrje të prirë nga Kurtesh Ajeti.

Lidhur me kërkesën e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, Rexha njoftoi se ajo është duke u shqyrtuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Të drejtat e tyre, tha në vijim ai, punëtorët e ndërmarrjes" Morava e Biqës" do t'i realizojnë në bazë të vendimit të kësaj Gjykate.

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...