Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 08.05.2013




Raporti i Qeverisë së Kosovës për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2011, ishte pikë e parë e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit. Para Komisionit, Raportin e prezantoi Hatmane Lufi, udhëheqëse e Departamentit të Administrimit Civil në Ministrinë e Administratës Publike. Duke folur për të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet shërbimi civil në Kosovë, ajo theksoi se në këtë lëmë ekzistojnë ligjet përkatëse, si dhe Rregullorja e re e cila ka hyrë në fuqi. Mirëpo, ndihet mungesa e regjistrit qendror të të dhënave ,siç është çështja e burimeve njerëzore etj., por tashmë është siguruar një mbështetje bankare, që do të mundësojë realizimin e këtij projekti. Duke u përgjigjur në disa pyetje rreth gjendjes së shërbimit civil, ajo në vijim theksoi se viti 2012 ka shënuar një performancë të rëndësishme. Ajo këtë e ilustroi edhe me faktin se të gjitha aktet nënligjore janë miratuar për paga dhe përgjithësisht shërbimin civil, që krijojnë bazë të sigurt për të ecur përpara. Në debatin që u zhvillua nga ana e deputetëve u shtruan shumë çështje që kanë të bëjnë me funksionimin më të mirë të shërbimit civil, bëheshin vërejtje se ka mbingarkim të administratës me punëtorë, ndërsa u fol edhe për përbërjen gjinore dhe përfshirjen sa më adekuate të punonjësve nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Pas debatit Komisioni e përkrahu Raportin.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2012, për të cilin gjerësisht foli kryetari i këtij Këshilli Bajram Ajeti, i cili që në fillim theksoi se këtë raport e ka miratuar ky Këshill. Në fjalën e tij ai u ndal posaçërisht në çështjen e ankesave, të zbatimit të vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe të monitorimit. Në këtë vështrim ai tha se Këshilli merr vendimet në mënyrë të pavarur, por problemet dalin kur fillon faza e zbatimit të tyre, meqë vendimet lidhur me ankesat nuk zbatohen nga disa subjekte, megjithëse ligjet qartas i definojnë detyrimet e shkelësve të ligjit. Gjatë debatit anëtarët e Komisionit Raportin e vlerësuan si mjaft të mirë dhe vlerësuan pozitivisht punën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Pas debatit Komisioni e përkrahu këtë Raport.

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media