Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisioni për Bujqësi ...
E Mërkure, 08.05.2013
Dëgjimi publik është mundësi e veçantë për përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, organizatave joqeveritare, ekspertëve, shoqatat e ndryshme dhe grupet e interesit që të ofrojnë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre për projektligjet. Kështu tha nënkryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Liburn Aliu, në hapje të diskutimit gjatë dëgjimit publik të organizuar në bashkëpunim me USAID-in .
Në këtë dëgjim publik, i cili u mbajt në hotel "Emerald", përpos përfaqësuesve të disa komunave, merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), përfaqësues të Asociacionit të komunave të Kosovës dhe arkitektë.
Fillimisht u diskutua për Projektligjin e planifikimit hapësinor, me ç'rast për objektivat që synohen të arrihen me këtë projektligj foli sekretari i MMPH-së, Arben Çitaku. Ai foli edhe për angazhimet e kësaj Ministrie, për të cilën tha se ajo mbetet e përkushtuar në reformat legjislative për të ndryshuar dhe adaptuar ligjet sipas nevojave të qytetarëve, duke i përshtatur edhe për interesat e biznesit.
Përfaqësuesi i MBPZHR-së, Shefki Zeqiri, ndërkaq, u angazhua që Ligji të ofrojë mbrojtje adekuate për tokën bujqësore. Lidhur me këtë ai premtoi angazhim të pakursyer të Ministrisë që përfaqësonte gjatë fazës së amnendamentimit të Projektligjit. Pas kësaj, lidhur me këtë qëndrimet e tyre i paraqitën përfaqësuesit e komunave, të cilët ngritën edhe shqetësimet për implementimin e Projektligjit. Përfaqësuesit nga komuna e Prishtinës, Ferizajt, Gjilanit e të Vushtrrisë, tërhoqën vëmendjen në sfidat e implementimit të Projektligjit, ndërsa shprehën bindjen se nxjerrja me kohë e akteve nënligjore do të mundësonte më lehtë zbatimin e Ligjit. Ata po ashtu vlerësuan se disa nga nenet e projektligjit nuk kanë saktësi të duhur dhe kërkuan riformulimin e tyre.
Vlerësimin e saj për këtë Projektligj, në emër të Këshillit për Trashëgimi Kulturore e paraqiti Gjejlane Hoxha. Ajo pati vërejtje në titullin e Projektligjit, sipërfaqet e mbrojtura dhe në nocionet e përdorura në tekstin e Projektligjit.
Pas shterimit të debatit lidhur me këtë Projektligj, kryesuesi i debatit, Aliu, i ftoi pjesëmarrësit që vërejtjet dhe rekomandimet e tyre t'i dërgojnë edhe me shkrim në Komision.
Pas kësaj, debati i zhvilluar kishte të bënte me Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Edhe për këtë Projektligj foli sekretari i MMPH-së, Arben Çitaku. Ai tha se ky Projektligj, në fokus të tij ka sigurinë e banorëve, të cilët janë të vendosur në ndërtesa të banimit, ku ndërtesat mund të mos kenë pasur leje ndërtimi. Përfaqësuesit e komunave ndërkaq, thanë se Projektligji duhet të jetë në harmoni me nevojat e kohës. Po ashtu, ata tërhoqën vëmendjen se trajtimi i ndërtimeve pa leje, nuk duhet nënkuptuar edhe legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje. Sipas tyre, legalizimi i ndërtimeve pa leje duhet të bëhet vetëm për ato objekte që janë në harmoni me planifikim hapësinor dhe rregulloret përkatëse të komunave. Duke shfaqur dyshimet në implementimin e këtij Projektligji, të pranishmit nuk u pajtuan me konstatimin e sekretarit Çitaku, i cili pohoi se në Kosovë të gjitha pronave u dihet pronari.
Pjesëmarrësit e këtij dëgjimi publik, u zotuan se vërejtjet dhe rekomandimet e tyre lidhur me këtë Projektligj, do t'i dërgojnë me shkrim në Komision. Nënkryetari Aliu, ndërkaq, i siguroi ata se rekomandimet e tyre do të trajtohen dhe inkorporohen në Projektligj.