Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri

E Marte, 07.05.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Zenun Pajaziti, u shqyrtua raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), për vitin 2012, të cilin e prezantoi kryesuesi i bordit, Halit Gara.

Mes tjerash Gara tha se edhe në vitin 2012, ARH-ja ka vazhduar aktivitetin e vet në përmbushjen e misionit të vënë sipas ligjeve në fuqi.
Ai sqaroi se Ligji i Hekurudhave është miratuar në fund të vitit 2011, duke shtuar se viti 2012 ka qenë shumë dinamik për këtë institucion në të gjitha aspektet dhe se kanë filluar me ristrukturimin. "Kjo nënkupton që ligji është më i miri që kemi pasur deri më sot, por aspak i lehtë për ta zbatuar në praktikë", vlerësoi Gara, duke shtuar se ndryshimet në këtë institucion kanë filluar konform ligjit dhe se kanë filluar me ndryshimin e rregulloreve ekzistuese edhe akteve tjera nënligjore, për zbatim të plotë të ligjit.

Pasi shpalosi aktivitetet e ARH-së përgjatë vitit 2012, të arriturat dhe sfidat me të cilat është përballur Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, kryesuesi i bordit, Halit Gara, si dhe Drejtori i përgjithshëm i ARH-së, Enis Berisha, u përgjigjën në pyetjet e shumta të anëtarëve të komisionit, lidhur me gjendjen e hekurudhave në vend, me theks të veçantë në pjesën veriore të Kosovës, si dhe për kodin, licencimet, statistikat e infrastrukturës, të hyrat vetanake dhe shumë çështje tjera.

Krejtësisht në fund, pas një diskutimi të gjerë rreth këtij raporti, komisionit aprovoi atë për procedim në seancë plenare, duke kërkuar nga ARH-ja që të sjellë një raport shtesë në komision për çështjet që u ngritën në këtë takim.

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri