Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi u prit në Fondin e Kuvajtit për Zhvillim dhe në Bankën Kuvajtiane për Investime

E Marte, 07.05.2013




Në vazhdim të vizitës zyrtare në Kuvajt, delegacioni parlamentar i Kosovës, i prirë nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, u prit sot në takime të ndara në Fondin e Kuvajtit për Zhvillim dhe në Bankën Kuvajtiane për Investime.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillim, Ghanem Al-Ghenaiman, e njoftoi delegacionin e Kosovës për Fondin dhe veprimtarinë e tij shumëvjeçare.

Kryeparlamentari Krasniqi pasi i njoftoi mikpritësit për gjendjen në Kosovë, paraqiti nevojat e shumta zhvillimore që ka Kosova, sidomos në fushën e bujqësisë, energjetikës, infrastrukturës dhe shëndetësisë, për të cilat kërkoi mbështetjen e Fondit. Me qëllim të njohjes nga afër me mundësitë e mbështetjes në projekte të caktuara, Krasniqi ftoi një delegacion të Fondit për vizitë në Kosovë.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit, shprehu mirëkuptim të plotë për kërkesat e Kosovës dhe kërkoi hartimin e projekteve përkatëse për to nga ana e Qeverisë së Kosovës. Të dy palët u dakorduan që në vijim lidhjet dhe komunikimi i Fondit të bëhen me dikasteret përkatëse të Qeverisë së Kosovës.

Me qëllim të fillimit të procedurave, mbështetjes dhe studimit të projekteve, Ghanem Al-Ghenaiman theksoi se në të ardhmen e afërt, një delegacion i Fondit, i kryesuar nga Drejtori Rajonal për vendet e Azisë Qendrore dhe Evropës, Yousef G. Al-Bader, do ta vizitojë Kosovën dhe shfaqi shpresën se në vitin e ardhshëm Fondi do të nënshkruajë një marrëveshje për bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, për realizimin e projekteve prioritare.

Delegacioni parlamentar i Kosovës, në përbërje të të cilit janë edhe nënkryetarët: Sabri Hamiti e Glauk Konjufca, dhe deputeti Nait Hasani, përfundon sot vizitën zyrtare në Kuvajt.

 

Kryeparlamentari Krasniqi u prit në Fondin e Kuvajtit për Zhvillim dhe në Bankën Kuvajtiane për Investime