Lajmet e fundit
Oda Ekonomike e Kosovës fton bizneset për ta përkrahur blerjen e Mamografit Mobil
E Premte, 03.05.2013
Në vazhdën e takimeve për grumbullimin e fondeve për blerjen e mamografit mobil (Ma-Mo) , u mbajt sot një takim me bizneset e rajonit të Prishtinës. Për t' i dhënë përkrahje iniciativës për Ma-Mo vetë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Safet Grxhaliu, gjatë një vizite në GGD, ditë më parë, kishte shprehur gatishmërinë që të organizojë takime me biznese, për të bërë apel për të siguruar kontribute financiare.
Takimin e sotëm e hapi sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Berat Rukiqi, i cili njoftoi të pranishmit lidhur me qëllimin e këtij takimi, ndërsa pastaj kryetarja e Grupit të Grave deputete, znj. Teuta Sahatqija tha:" Ne duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore të grave dhe duke e parë se një numër shumë i madh i grave janë të goditura nga kanceri i gjirit kemi marrë iniciativë për blerjen e mamografit mobil. Ma-Mo është një aparaturë lëvizëse dhe do të jetë në disponim të grave anekënd Kosovës. Për këtë ka kohë që jemi duke mbledhur fonde dhe deri më tani kemi mbledhur mbi 150 000 euro, dhe po ashtu gati 50 000 janë të premtuara apo në procedurë të bartjes. Vlen të përmendet se donatori më i madh është Ambasada Norvegjeze, pastaj Ambasada Holandeze, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Diasporës, Presidentja, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Kulturës , ndërsa nga komunat: Prishtina, Gjakova, Podujeva, Kamenica, pastaj grupet parlamentare PDK, LDK, VV, disa deputetë, NLB, Raiffeisen Bank, Rotary Club- PR, Renault Tahiri, BKT, si dhe disa kontribuues individual", theksoi ajo.
Në vijim z. Islam Pacolli nga "Mabetex" përgëzoi deputetet për iniciativën dhe bëri thirrje që kjo iniciativë të përkrahet. Thirrje për ta përkrahur këtë iniciativë bënë edhe z. Ymer Pakashtica e z. Agim Kastrati etj.