Lajmet e fundit
Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Enjte, 02.05.2013
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniuqi, kryetar iu Kuvendit ( një pjesë të saj e ka kryesuar nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti e Sabri hamiti), ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka paraqitur interpelancë lidhur me gjendjen e arsimit në Kosovë ,me theks të veçantë për çështjen e përdorimit të drogave në shkollat fillore dhe të mesme. Kërkesën për këtë interpelancë e ka paraqitur deputeti Burim Ramadani ( mbështetur edhe nga 7 deputetë tjerë), i cili edhe e ka prezantuar kërkesën para deputetëve.
"Ne jemi seriozisht të shqetësuar me nivelin e lartë dhe tejet dëmtues të shpërndarjes dhe përdorimit të drogave nëpër shkollat e fillore dhe të mesme të Kosovës", ka theksuar Ramadani , duke vënë në pah se të dhënat dhe vlerësimet e përgjithshme të kohëve të fundit tregojnë për një nivel tepër të lartë të përdorimit të drogave nga nxënësit e shkollave, që janë fëmijët tanë.
Në mungesë të statistikave të paplota dhe gjithëpërfshirëse nga institucionet qeverisëse të Republikës së Kosovës, ai ka përfolur statistika nga institute të ndryshme vendore e ndërkombëtare që trajtojnë profesionalisht çështjen e varshmërisë nga drogat, si : rreth 20 për qind e nxënësve të shkollave të mesme përdorin lloje të ndryshme të drogave, se mosha e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë, dhe prek edhe moshën 12-13 vjeçare, përkatësisht klasën e 8 të shkollës fillore, se marihuana shpërndahet në shumicën e lokaleve rreth shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, se mësimdhënësit nuk janë të trajnuar për çështjen e drogave, prandaj nuk mund të kujdesen në mënyrën më të mirë. Ndërsa në shkolla mungojnë psikologë dhe se nuk ka Institut Kombëtar për Trajtimin e Sëmundjeve të Varshmërisë. Ai tutje ka konstatuar se megjithëse se ekziston një Strategji Kombëtare e Republikës së Kosovës kundër drogave, ajo strategji nuk është duke u realizuar për mungesë bashkëpunimi dhe koordinimit ndër-sektorial brenda Qeverisë së Kosovës, dhe sidomos në trekëndësihin MPB-MSH-MASHT.
"Objektivi ynë është që ta adresojmë këtë veprim në mënyrë efektive dhe dinamike në katër fushat bazë: 1) të përballimit të problemit; 2) në zbatimin e ligjit; 3) parandalimin, trajtimin e zvogëlimin e dëmit; dhe 4) edukimin, ka theksuar Ramadani , duke e propozuar edhe tekstin e mocionet me rekomandime.
Në interpelancën e tij ministri Ramë Buja ka theksuar se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po angazhohet që Kosova të jetë një shoqëri demokratike, e integruar në rrjedhat evropiane, që ofron kushte dhe mundësi të barabarta për zhvillim personal të të gjithë qytetarëve, duke pikasur se cilësia në arsim konsiderohet si prioritet. Ministri pastaj ka folur për implementimin e Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2011 -2016, duke pohuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka aprovuar dhe nënshkruar Strategjinë kombëtare për programin ‘Shkollat Promovuese të Shëndetit' 2009-2018 dhe Planin e Veprimit 2009-2013.
„MAShT ka qenë pjesë e grupit punues në hartimin e Strategjisë Kombëtare kundër drogave 2009 -2012 dhe 2012-2017, ku merr pjesë përmes programeve të rregullta, duke i realizuar objektivat e shëndetit publik nëpërmjet aktiviteteve shkollore dhe jashtëshkollore, në të cilat aktivitete mund të kyçen prindërit dhe komuniteti në përgjithësi", ka theksuar Buja.
Ai ka shtuar se në Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2011-2016 thuhet se shkollat kanë krijuar mjedise jo të dhunshme, miqësore për fëmijët në shkolla që janë përkrahëse, të kujdesshme dhe i kultivojnë vlerat demokratike te fëmijët dhe ofrojnë modele pozitive për të gjithë fëmijët.
„Nëpërmjet programeve shumësektoriale siç është programi ‘Shkollat promovuese të shëndetit' MAShT-i synon ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të fëmijëve në shkolla", ka pohuar ministri, duke përmendur edhe faktin e trajnimit të 60 mësimdhënësve të të gjitha niveleve për temat e edukimit shëndetësor, përfshirë këtu edhe temat mbi drogën. „MAShT -i i përkrahur nga UNICEF-i ka zbatuar lëndën zgjedhore "Aftësitë për jetën" në shkollat fillore klasa 8-të. Brenda këtij materiali, një modul i veçantë trajton temat për shëndetin me theks të veçantë dukuritë negative- drogat, ka theksuar Buja, duke konstatuar se temat për dukuritë negative janë pjesë edhe e planprogrameve në kuadër të lëndëve mësimore.
Në kuadër të projektit për parandalimin e përdorimit të substancave narkotike në institucionet shkollore,Buja ka përmendur edhe bashkëpunimin e MAShT-it me Policinë e komunitetit në bashkësisë është duke u
implementuar projekti "Thuaj jo Substancave Narkotike", i cili ka për qëllim: avancimin dhe ruajtjen e shëndetit të shoqërisë; formimin e një rinie të shëndoshë përmes porosive edukuese; sensibilizimin e opinionit për pasojat - efektet nga përdorimi i drogave, si dhe parandalimin e dukurisë së substancave narkotike.
Në përfundim të interperlancës së tij ministri Buja ka folur për bashkëpunimin me Organizatat Joqeveritare (OJQ) për realizimin e projekteve të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e sjelljeve të shëndosha te të rinjtë. „MAShT ka punuar mjaft në parandalim përmes bashkëpunimit me institucionet dhe OJQ-të, mirëpo sfidë për të gjitha institucionet mbetet vetëdijesimi i të gjithë shoqërisë për këtë dukuri negative", ka pohuar Buja.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Idriz Vehapi, ka theksuar se tema e ngritur në këtë interpelancë është shqetësuese për gjithë shoqërinë tonë. Ai ndërkaq ka përkrahur aktivitetet e MASHt-it për ngritjen e cilësisë së arsimit dhe ka shprehur lëvdata për sukseset e arritura në këtë fushë.
"LDK-ja vlerëson se dukuritë negative , si përdorimi i drogave në shkollat tona,viteve të fundit ka shënuar rritje shqetësuese", ka theksuar Sali Morina në emër të grupit të tij parlamentar, duke e fajësuar Qeverinë se nuk ka bërë asgjë për parandalimin e dukurive të tilla negative.
Afrim Kasolli, në emër të Grupit Parlamentar Vetëvendosje, ka theksuar se e gjithë sfera e arsimit në Kosovë ndodhet në krizë të gjithanshme, për shkak të mosogranizmnit, abuzimit dhe nepotizmit.
" Shkollat janë shndërruar në vende të arratisjes për nxënësit", ka theksuar ai, duke pohuar se ato janë bërë të pasigurta për fëmijët tanë.
Rritjen e përdorimit të drogave nëpër shkollat tona, Daut Haradinaj (AAK) e ka parë tek mosfunksionimi trinomit ministror: MASHT- Ministri e Shëndetësisë dhe Ministri e Punëve të Brendshme. "Policia gjithsesi e ka rolin e saj, por jo kryesorin", ka theksuar ai, duke kërkuar organizim më të mirë dhe vetëdijesim për pasojat e kësaj dukurie.
Jeton Svirca ( në emër të KKR-së) ka shprehur shqetësimin për shtimin e dukurive negative nëpër shkollat tona, si alkooli dhe drogat, por edhe i ka dhënë mbështetje Qeverisë dhe MASHT-it për veprimet e marra në fushën e arsimit.
Për temën, në emër të grupit Parlamentar 6+ ka folur Myfera Shinik, kurse debatit i kanë kontribuar edhe shumë deputetët të tjerë, nga të gjitha grupet parlamentare, duke shprehur shqetësimin për përdorimin e drogave shkatërruese nga një pjesë e të rinjve tanë, e duke un pajtuar se duhen ndërmarrë veprime urgjente dhe profesionale për flakjen e këtyre substancave nga të rinjtë e Kosovës. Ka qenë konstatim i përgjithshëm i deputetëve se ma shumë se sa marrja me pasojat e përdorimit të drogave, rëndësi ka parandalimi i tyre nga fëmijët tanë.
Në përfundim të debatit deputetët kanë miratuar mocionin me rekomandime përmes të cilave Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë këto veprime:
1. Të organizojë trajnimin e mësimdhënësve në tërë Kosovën për fushën e drogave për secilin vit shkollor.
2. Të investojë në hulumtime mbi të cilat do të ndërtoheshin veprime, strategji dhe politika efektive.
3. Të bashkëpunojë ngushtë me shoqërinë civile dhe organizatat e profesionalizuara në këtë fushë.
4. Të ndërmerret një fushatë sensibilizuese me nxënësit për rreziqet e drogës dhe pasojat që lë ajo në mentalitetin dhe edukimin e brezave.
5. Të ndërtohet Instituti Kombëtar për Trajtimin e Sëmundjeve të Varshmërisë gjatë vitit 2014.
Fare në fillim të seancës deputetët kanë bërë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe kasë shtruar pyetje parlamentare për punën e qeverisë së Kosovës. Në vazhdim, ndërkaq kanë miratuar marrëveshjen e deputetëve nga radha e komuniteteve tjera joshumicë dhe kanë zgjedhur deputetin Rasim Demiri nënkryetar të Kuvendit nga këto komunitete . Në vazhdim kanë shqyrtuar për herë të dytë dhe e i kanë miratuar: Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si dhe Projektligjin për Avokatinë
Në orët e pasdites deputetët kanë shqyrtuar: Raportin punës së Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2012, Raportin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, si dhe Raportin e të njëjtit Komision për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Vlerësimin Strategjik Mjedisor, raporte këto që e kanë marrë vlerësime kryesisht pozitive nga deputetët, por të cilët edhe i kanë miratuar.
Në përfundim të seancës deputetët kanë votuar për dy anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Anëtar nga komuniteti pakicë( turk) është zgjedhur Elif Tokmak, ndërsa asnjëri nga kandidatët e komunitetit shumicë: Nysret Pllana dhe Murat Musliu nuk kanë arritur t'i sigurojnë votat e mjaftueshme për tu zgjedhur anëtar i Bordit të RTK-së.