Lajmet e fundit

Nga mbledhja solemne e Kuvendit të Kosovës

E Enjte, 02.05.2013




Për nder të sekretarit të përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Ekmeleddin Ihsanoğlu, Kuvendi i Kosovës nën kryesimin e kryetarit dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot mbledhje solemne. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit Hashim Thaçi, anëtarët e kabinetit qeveritar, përfaqësues diplomatikë në Kosovë dhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu, Naim Tërnava.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pasi përshëndeti të pranishmit, duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës përfaqësuesit të kësaj Organizate, theksoi: "Gjej rastin që Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe personalisht sekretarit të saj të përgjithshëm, zotit Ihsanoğlu, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës t'u shpreh mirënjohjen tonë të thellë për gjithë ndjenjën e miqësisë që kanë për Kosovën dhe për mbështetjen që na kanë dhënë". Duke folur për angazhimet e z. Ihsanoğlu dhe Organizatën që ai përfaqëson, Krasniqi në vazhdim tha se deri më tani, 31 nga 57 vendet anëtare të kësaj Organizate, e kanë njohur Republikën e Kosovës, duke vendosur marrëdhënie miqësie e bashkëpunimi.

Në fund të fjalës së tij Kryetari i Kuvendit nënvizoi se vizita e sekretarit të përgjithshëm, zotit Ihsanoğlu, paraqet më vete shprehjen e miqësisë, por edhe shpresën e thellimit të bashkëpunimit tonë me vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe të zgjerimit të njohjeve të Republikës së Kosovës nga ato vende që ende nuk e kanë bërë këtë.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ihsanoğlu, ndërkaq, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit, vuri në spikamë mikpritjen e ngrohtë që i është bërë atij nga populli dhe Qeveria e Kosovë. Duke falënderuar kreun e Kuvendit për mundësin e ofruar që t'u drejtohet deputetëve, Ihsanoğlu tha:" Vizita ime në Kosovë, paraqet zotimin Oraganizatës, po edhe timin, që të mbështesim marrëdhëniet bilaterale në mes të Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe Kosovës në mënyrë të frytshme". Në vijim të fjalës së tij, ai ndau kujtimet me të pranishmit, duke sjellë në mendje momentin kur i është bërë i ditur vendimi i Kuvendit të Kosovës për shpalljen e Pavarësisë. Ai foli edhe për angazhimet e tij në afirmimin e çështjes së Kosovës, sidomos tek vendet islamike. Si rezultat të këtyre angazhimeve, Ihsanoğlu vlerësoi edhe njohjet që ka siguruar Kosova nga shtetet islamike. Me këtë rast, ai iu referua faktit se 31 nga 100 shtetet që kanë njohur Kosovën, janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik. Ai, po ashtu shprehu bindjen se ky numër ditëve nën vijim do të vjen duke u rritur. Në vijim të fjalës së tij, ai përgëzoi institucionet e Kosovës për heqjen e Pavarësisë së mbikëqyrur, duke shprehur njëkohësisht besimin se marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve të të dyja vendeve, do të sjellë stabilitet për Kosovën dhe më gjerë.

Pasi foli për rëndësinë dhe rolin e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Ihsanoğlu tha:" Bota myslimane ka rezerva të bollshme të resurseve dhe ne duhet të luftojmë varfërinë, injorancën e sëmundjet. Këto, duhet t'i zhdukim nga bota myslimane. Vlerat tona janë për barazi e mosdiskriminim dhe këto vlera duhet t'i shpërndajmë në çdo kënd të botës dhe këtë mund të bëjmë përmes shembullit që mund të japim, e jo përmes perceptimeve. Ky është objektivi ynë, le të mos dështojmë në të", tha në fund të fjalimit të tij para deputetëve, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik , Ihsanoğlu .

Nga mbledhja solemne e Kuvendit të KosovësNga mbledhja solemne e Kuvendit të Kosovës