Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti sekretarin e përgjithshëm të OBI-së, z. Ekmeleddin Ihsanoglu
E Enjte, 02.05.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, z. Ekmeleddin Ihsanoglu. Pasi u falënderua për pritjen, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për bashkëpunim Islamik, z. Ekmeleddin Ihsanoglu theksoi se ka ndjekur me vëmendje shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa njëkohësisht u shpreh i impresionuar me rezultate e arritura në proceset e gjithmbarshme në Kosovë. Ndërkaq, marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve e quajti historike. Sekretari i përgjithshëm i OBI-së, z. Ihsanoglu në përfundim të fjalës së tij u shpreh: "E shoh një të ardhme të ndritur të Kosovës, do të angazhohem të inkurajojë proceset drejt zhvillimit të saj", theksoi ai.
Kryekuvendari Krasniqi e falënderoi, z. Ekmeleddin, për ndihmën e Organizatës Islamike që po i jepet Kosovës. Kosova, tha kreu i legjislativit të vendit, në shumë samite ka pasur vendin e merituar. Në vijim ai foli për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se nga 57 vende sa ka kjo organizatë, 31 tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kurse nga 26 shtete që ende nuk e kanë njohur, disa sosh janë në proces të kësaj njohjeje. Z. Krasniqi kërkoi që angazhimet e z. Ihsanoglu të vazhdojnë në procesin njohjeve të pavarësisë së Kosovës edhe nga shtetet tjera, pasi çdo njohje ka rëndësi të madhe për Kosovën. "Kontributi i juaj do të jetë i çmuar edhe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe shteteve të kësaj organizate. Në këtë aspekt na duhet një bashkëpunim më i ngushtë", tha z. Krasniqi. Në vijim kryekuvendari Krasniqi foli për marrëdhënie shumë të mira që ka Kosova me shtetet fqinje , pos me Serbinë, për orientimet e Kosovës drejt së ardhmes, si dhe për të arriturat në fushën e legjislacionit, me të cilin janë siguruar të drejtat e të gjitha komuniteteve,pra edhe ato fetare.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, kryekuvendari Krasniqi tha se ato janë shumë të mira, por ato duhet të forcohen edhe më shumë , sidomos në fushën e ekonomisë dhe të tregtisë. Kosova është e përcaktuar për integrime evropiane, por edhe për forcim të marrëdhënieve edhe me shtetet e të Organizatës për Bashkëpunim Islamik.
Në përfundim të takimit bashkëbiseduesit këmbyen edhe disa dhurata modeste.