Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Marte, 30.04.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim,Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, në fillim u shqyrtua Raporti vjetor i Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2012. Para anëtarëve të Komisionit lidhur me këtë Raport foli kryetari i Bordit të RTK-ës, Rrahman Paçarrizi. Në fjalën e tij ai u përqendrua sidomos në performancën e këtij institucioni gjatë vitit raportues, duke theksuar se viti 2012 për RTK-ën ishte një vit i vështirë edhe nga shkaku se Bordi nuk arriti të punonte me forum të plotë. Gjendjen në këtë institucion e vështirësonte edhe fakti se me ligj ende nuk është zgjidhur çështja e pronës së RTK-ës dhe çështja e financimit të rregullt të RTK-ës. Sa i përket performancës programore, ai atë e vlerësoi si të mirë, por në këtë aspekt është e nevojshme të punohet më shumë, theksoi ai.

Gjatë debatit ndër sfidat kryesore të transmetuesit publik u shtrua çështja e skemës programore, e cila sipas diskutuesve ka nevojë të begatohet. Në këtë vështrim kërkohej një përfshirje mw e gjerë e ngjarjeve e aktiviteteve që zhvillohen në vend, sidomos në komuna. Me theks të veçantë u thekua nevoja që më shumë hapësirë t' u krijohet emisioneve që kanë të bëjnë me arsimin dhe kulturën.

Vëmendja e diskutuesve u përqendrua edhe në aspektin e një balanci politik gjatë informimit, duke u angazhuar për një politikë redaktuese jashtë ndikimeve politike. Ndonjë deputet theksonte se ka margjinalizim të mendimit opozitar në emisionet e RTK-ës. Pas debatit Komisioni përkrahu Raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2012, duke e proceduar më tej në Kuvend.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2012. Përkitazi me të arriturat dhe sfidat e KPM-ës, në Komision foli Shefki Ukaj,kryetar i KPM-ës. Duke folur për objektivat e KPM-ës, z. Ukaj tha se prioritet është finalizimi i akteve ligjore, si dhe pranimi i KPM-ës në institucionet përkatëse ndërkombëtare. Ai paraqiti edhe nevojën e hartimit të Ligjit për digjitalizim.

Duke u përgjigjur në çështjen e ngritur nga deputetja Xhevahire Izmaku, rreth çështjes së zgjedhjes së tij në KPM, Shefki Ukaj tha se ai ka qenë zëvendësim në Asamblenë Komunale, ndërsa pas zgjedhjes në këtë post, ka dhënë dorëheqje nga Asambleja. Pas debatit dhe përgjigjeve në pyetjet e deputetëve, Komisioni përkrahu Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2012 dhe njëherësh e procedoi atë më tutje në Kuvend.

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media