Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...

E Marte, 30.04.2013




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Zenun Pajaziti kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin vjetor të Komisionit të pavarur për miniera dhe minerale (KPMM) për vitin 2012.

Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Bordit të KPMM-së, Ahmet Tmava, i cili vuri në pah punën e deritashme dhe sfidat që e përcjellin KPMM-në. Drejtori Tmava, tha se në funksion të zbatimit të Ligjit për miniera dhe minerale, KPMM-ja në fokus të angazhimeve të veta ka mënjanimin e operatorëve ilegalë. Lidhur me këtë, ai njoftoi se KPMM-ja ka proceduar në gjykatë më se 200 lëndë dhe ka bërë konfiskimin e mekanizmit eksploatues të disa operatorëve ilegalë.

Drejtori Tmava, iu përgjigj edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e Komisionit. Për sa i përket licencimit të operatorëve, Tmava tha: "Askush nuk mund të pajiset me licencë duke mos zbatuar kriteret ligjore të licencimit". Duke folur për gjobat e shqiptuara nga gjykatat, ai ishte i mendimit se ato në rastet më të shpeshta nuk arrijnë efektet e kënaqshme në parandalimin e veprimtarisë kundërligjore. Ndërkaq, lidhur me renten minerare, përkatësisht rentën për qymyrin, Tmava vuri në spikamë se ajo nuk ndikon në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Pas kësaj, anëtarët e Komisionit vlerësuan se Raporti i KPMM-së përmban informata të bollshme për punën një vjeçare të KPMM-së, dhe e miratuan atë.
Po ashtu, në këtë mbledhje Komisioni miratoi edhe Projektligjin për transportin rrugor, i cili do të procedohet për shqyrtim final në Kuvend.

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...