Lajmet e fundit
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti, u takua me Korrespodentin evropian për Politika të Jashtme dhe Siguri të BE-së në MPJ të Gjermanisë, Andreas Kindl
E Hënë, 29.04.2013
Të hënën, më 29 prill 2013, në zyrën e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ishte për vizitë Korrespodenti evropian për Politika dhe Koordinim për Politika të Jashtme dhe Siguri të BE-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Gjermanisë, Andreas Kindl, i ngarkuari me punë në Ambasadën Gjermane, Matthias Kiesler, Florian Laudi dhe Alexander Roth. Ai u prit në takim nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi ngjarjet e fundit politike dhe ekonomike, si në Kosovë, po ashtu edhe në rajon. Një theks iu dha edhe dialogut politik në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe situatës së brendshme politike dhe socio-ekonomike, e posaçërisht papunësisë enorme në Kosovë.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme e ceku dëmin e madh që mund ta ketë Republika e Kosovës nga këto negociata politike që po mbahen në Bruksel ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit, që rezultuan edhe në marrëveshjen 15 pikëshe, e cila, siç tha ai, politikisht na bën të dukemi sikurse Bosnja.
Bashkëbisedimi ishte i hapur dhe u diskutuan edhe qëndrimet e përbashkëta, edhe dallimet në pikëpamje.
Andreas Kindl shprehu përkrahjen e tij për shtetin e Kosovës dhe integrimet evropiane për Kosovën. Të dyja palët shprehën gatishmërinë dhe interesimin për një komunikim të vazhdueshëm dhe për takime të përbashkëta edhe në të ardhmen.