Lajmet e fundit

Seanca e Kuvendit të Kosovës

E Marte, 30.04.2013




Në seancën e sotme të Kuvendi i Kosovës, kryesuar nga kryekuvendari Jakup Krasniqi, u shënua 14 - vjetori i rënies së heroit, gjeneral Ilaz Kodra, dhe të gjithë dëshmorëve të Brigadës 114 të UÇK-së, "Fehmi Ladrovci". Për shembëlltyrën e heroit Ilaz Kodra dhe për historikun e Brigadës 114 të UÇK-së, "Fehmi Ladrovci", para deputetëve foli deputeti Bekim Haxhiu, i cili pasi përshëndeti familjet Kodra, Jashari, si dhe tw gjitha familjet tjera të dëshmorëve, tha: "Sot më 30 prill, në 14 vjetorin e rënies heroike tw komandantit Ilaz Kodra , jemi mbledhur në këtë seancë nderimi dhe kujtimi për njërin nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të nderuar komandantin e Brigadës 114 të UÇK-së, heroin kombëtar Ilaz Kodra".

Frymëzimi atdhetar i Ilaz Kodrës buronte pikërisht nga Prekazi

Në vijim ai theksoi se Ilaz Kodra i përket plejadës së veprimtarëve të parë të UÇK-së, si bashkëluftëtari i orëve të para të komandantit legjendar Adem Jashari. Ilaz Kodra kishte vizion të qartë çlirimtar, ai ishte kreator i projektit më të rëndësishëm politik dhe ushtarak të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Frymëzimi atdhetar i Ilaz Kodrës buronte pikërisht nga Prekazi, në Prekazin e Ahmet Delisë, të Tahir e Nebih Mehës. Si shok i komandantit legjendar Adem Jashari, së bashku edhe me bashkëmendimtarë të tjerë idenë e çlirimit nga pushtuesi e kishin konkretizuar duke shkuar në Shqipëri për të filluar me ushtrimet ushtarake me qëllim të formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke folur për idenë e luftës që u përhap në tërë vendin,sidomos pas rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, ai tha se Brigada 114 e UCK-së është njëra nga brigadat më të lavdishme dhe me të veçanta të ushtrisë çlirimtare, kurdoherë në ballë të betejës nga dy prijësit e saj komandant: Ilaz Kodra e Fehmi Lladrovci. Komandantët Fehmi Lladrovci , Ilaz Kodra e Abedin Rexha mbetën shembull i shkëlqyer i kapedanëve të traditës shqiptare, të cilët ranë në ballë të betejës.
Ilaz Kodra me dinjitet dhe përgjegjësi të lartë e drejtoi këtë Brigadë në beteja gjatë viteve 1998 - 1999. Ai luftoi krah për krah me ushtarët e UCK-ës, e udhëhoqi dhe e bëri të lavdishëm emrin e Brigadës 114, të pagëzuar me emrin e nderuar "Fehmi Lladrovci".


E veçantë tjetër e Brigadës 114 të Zonës Operative të Drenicës është se nga trungu i saj ishin themeluesit e UCK-ës, komandanti legjendar Adem Jashari , Ilaz Kodra , Fehmi Lladrovci, Hashim Thaçi , Kadri Veseli, Sami Lushtaku , Fadil Kodra , Sahit Jashari , Besim Rama, Nuredin Lushtaku , Zenun Kodra , Ramiz Lladrovci, Jakup Nura e Rafet Rama.


Me 22 shtator të vitit 1998 në vijë të frontit ra heroikisht komandanti parë i brigadës 114 Fehmi Lladrovci së bashku me shoqen e tij të jetës dhe pushkës Xhevë Lladrovcin. Pas kësaj përgjegjësia e udhëheqjes së brigadës bie mbi Ilaz Kodrën, i cili deri me 30 prill të vitit 1999, kur ra heroikisht, e udhëhoqi këtë brigadë me dinjitetin dhe strategjinë më të lartë ushtarake e kombëtare.


Rrugën e komandantëve hero , rrugën e çlirimit e vazhduan ushtarët e brigadës 114 të UCK-ës , të prirë më pas nga komandant Nuredin Lushtaku , mbi të cilin bie me pas përgjegjësia e udhëheqjes se kësaj brigade të lavdishme deri në liri.

Brigada 114 e Zonës Operative të Drenicës, përpos në beteja me forcat armike, që u zhvilluan në shumicën e vendbanimeve që mbulonte, do të dëshmojë përkushtim të lartë në mbrojtje të popullatës civile , e cila mbështeste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për këtë ndëshkohej nga forcat ushtarake dhe policore serbe, theksoi Haxhiu.

"Me këtë rast kujtojmë dhe nderojmë edhe 167 dëshmorët e Brigadës 114 "Fehmi Lladrovci" që dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre, për lirinë e atdheut. Në shenjë mirënjohjeje për sakrificën sublime presidenca e Kosovës në vitin 2009 e ka shpallur Ilaz Kodrën- " Hero i Kosovës. Duke qenë edhe vetë pjesë e Brigadës 114 Fehmi LLadrovci , në emër të të gjithë ushtarëve të saj e them me mburrje dhe krenari, si ushtarë të atdheut e patëm nderin dhe privilegjin të ishim nën urdhrat e komandantëve hero: Fehmi Lladrovci e Ilaz Kodra", theksoi Bekim Haxhiu.


Brigada 114 "Fehmi Lladrovci" u bë mostër për riorganizimin e të gjitha formacioneve ushtarake të UÇK-së kudo në Kosovë.


Në vijim të seancës fjalën e mori kryekuvendari Krasniqi, duke theksuar se në raste të këtilla, si ky i sotmi pashmangshëm ndodh një përzierje e ndjenjave të krenarisë dhe të dhimbjes njerëzore për gjithë të rënët në luftën çlirimtare. Emri i Komandantit Ilaz Kodra, theksoi ai,tashmë është i njohur si mishërim i idealit të lirisë, i guximit dhe i heroizmit vetëmohues. Ditën e rënies së tij, në një distancë të përafërt kishte rënë edhe veprimtari i vjetër Ajet Rrukiqi. "E gjej këtë moment për të falënderuar familjen Rrukiqi për mikpritjen që i bëri një pjese të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shtatorin e vitit 1998, si edhe të gjitha familjeve që na strehuan. Përkundër shkallës së lartë të rrezikshmërisë, nuk mungoi mikpritja e tyre bujare për anëtarët e SHP të UÇK-së.


Ilaz Kodra i përket plejadës së veprimtarëve të hershëm të UÇK-së. Si i ri, ai kishte përcaktim të qartë e të vendosur politik e jetësor, kishte qartësi për rrugën që duhej ndjekur për arritjen e aspiratës shekullore e legjitime të popullit të vet. Ilaz Kodrën e gjeje në organizime politike e patriotike, por edhe në radhën e formacioneve të para të armatosura të Adem Jasharit. Ai ishte njëri ndër organizatorët dhe strukturuesit e Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ilaz Kodra e udhëhoqi dhe e bëri të lavdishme Brigadën 114, të komandantit emblematik të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, emrin e të cilit e mbajti me krenari kjo brigadë, theksoi kreu i legjislativit të vendit.


Ilaz Kodra e ka një meritë të veçantë, se arriti ta riorganizojë brigadën "Fehmi Lladrovci", në kohën kur shumëkush mendonte se UÇK-ja ishte shpërbërë, e ndonjëri se ishte shuar dhe nuk kishte më UÇK, e të tretët i fërkonin duart se ishte hapur rruga e një zgjidhjeje të çfarëdoshme politike për shqiptarët dhe Kosovën. Por, këtë buzëqeshje cinike ua ngriu në fytyrë e buzë, komandanti Ilaz Kodra. Brigada 114 "Fehmi Lladrovci" u bë mostër për riorganizimin e të gjitha formacioneve ushtarake të UÇK-së kudo në Kosovë.


Ilaz Kodra ra dëshmor në agun e lirisë, me gjoksin digë përballë ofensivës armike, duke i ringjallur shembujt e traditës së lavdishme të qëndresës shqiptare ndër shekuj.


Po kështu, kishte rënë edhe komandanti pararendës i Brigadës 114, veprimtari e atdhetari i madh,sypatremburi Fehmi Lladrovci. Sepse para tyre, kështu, përballë tytave të topave të armikut, kishte rënë duke dhënë shembullin më të veçantë, Kryekomandanti legjendar, Adem Jashari dhe Jasharët e lavdishëm, tha kryekuvendari Krasniqi.


Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,

Kujtimi për dëshmorët është dëshmi e shpirtit fisnik, por edhe detyrë morale e patriotike e çdo qytetari që i gëzon frytet e gjakut të derdhur për liri.


Atdheut ynë, dje kishte nevojë për gjakun e bijave e të bijve të vet më të mirë, për flijimin e tyre në themelet e lirisë, ashtu si bëri Komandanti Ilaz Kodra e shumë dëshmorë të tjerë të kombit, sot Atdheut tonë i duhet fuqia mobilizuese e ndërtuese e jetës së re, të lirë e demokratike, i duhen mendja dhe përkushtimi i qytetarëve të saj të ndershëm e të ndërgjegjshëm, për ta renditur Kosovën tonë në radhën e vendeve të përparuara, në radhën e anëtarëve të denjë të familjes së madhe evropiane. Ata ran për shtetin ligjor e demokratik, për shtetin e drejtësisë shoqërore.


Pavarësisht kësaj, jemi të vetëdijshëm se sado të bëjmë dhe sado të arrijmë, ne do t'i mbetemi gjithmonë borxh kujtimit të pavdekshëm të dëshmorëve dhe më shumë amanetit të tyre, sepse dimensionet e vlerave dhe të veprave të tyre ishin aq të gjera, dhe majat e idealeve të tyre ishin aq të larta, sa vdektarët lakmiqare kanë të pa mundshëm t'i arrijnë ato maja.


Saherë i shënojmë përvjetorët e dëshmorëve, le ta kujtojmë veprën e tyre të madhe, për frymëzimin tonë në sfidat e rënda, le ta kujtojmë rënien e tyre për të marrë guximin qytetar e institucional, le ta kujtojmë amanetin e tyre për të qenë besnikë të tij, le ta kujtojmë amanetin e tyre deri në vetëmohim, për të qenë shëmbëllimi i tyre. Ilaz Kodra se bashku me gjithë plejadën e dëshmorëve, na i krijuan të gjitha mundësit për ndërtimin e institucioneve të shtetit, të institucionit përfaqësues, ligjbërës i cili ka për obligim parësor: Ligjësimin e Lirisë dhe të gjitha vlerat e obligimeve që ka sjellë Lufta çlirimtare.


Jeta, vepra dhe akti heroik i rënies së Ilaz Kodrës, Ajet Rrukiqit dhe dhjetëra dëshmorëve të Brigadës "Fehmi Lladrovci" dhe mijëra dëshmorëve të kombit, e përbëjnë mësimin e përjetshëm të të gjithë brezave të Kosovës për atdhedashurinë, deri në sakrificë sublime.


Lavdi e përjetshme Komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

 

Seanca e Kuvendit të Kosovës  Seanca e Kuvendit të Kosovës