Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 29.04.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetari i komisionit Lutfi Haziri, raportoi ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, lidhur me progresin në përmbushjen e kritereve afatshkurta në fushat e identifikuara në Studimin e Fizibilitetit për fillimin e negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe për rekomandimin e shteteve anëtare që të fillojë dialogu i MSA-së.
Me këtë rast ajo paraqiti progresin dhe angazhimet konkrete në këtë proces. Me theks të veçantë ajo u përgjigj në pyetjet e anëtarëve të komisionit, Alma Lama, Vjosa Osmani e Blerim Shala, lidhur me fillimin e negociatave për MSA pas marrjes së dritës së gjelbërt nga Këshilli i BE-së, për takimin e Këshillit të Ministrave në Luksemburg, Planin e Veprimit të kësaj ministrie lidhur me procesin e hapjes së negociatave për Stabilizim Asociim, veprimet e ndërmarra për procesin e liberalizimit të vizave, reformën në administratën publike, përgatitjet për IPA 2, thithjen e fondeve strukturore, si dhe çështje tjera.
Kryetari i komisionit, Lutfi Haziri, tha se është pritur një kohë të gjatë , gati një dekadë hapja e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asociimit, duke shtuar se tani është koha që këtij procesi t'i jepen impulse pozitive, në mënyrë që të zihet hapi i vonuar, ngase, shtoi Haziri, Kosova pa dashje ka mbetur në këtë shkallë të procesit të integrimeve.
Gjatë raportimit të saj para anëtarave të komisionit, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, fillimisht tha se java që shkoi ka qenë pozitive për Kosovën, në kontekst të integrimeve evropiane, duke përmendur faktin se Komisioni Evropian i prezantoi Këshillit të Ministrave për miratim hapjen e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asociim dhe se ky rekomandim i KE-së është pritur mirë nga Këshilli i Ministrave të BE-së, tha ajo. Ndërkaq,sqaroi se vendimi përfundimtar për këtë çështje pritet të merret me 28 qershor, ku pritet të mbahet takimi i liderëve të BE-së.
"Kosova e ka pritur këtë lajm tani e një dekadë. Ky është jetësim i zotimeve që janë dhënë në Samitin e Selanikut, Kuvendit të Ballkanit Perëndimor, ku është premtuar integrimi në familjen e përbashkët evropiane për Kosovën. Ky proces u vonua pothuajse për një dekadë për shkak të kontekstit politik, për shkak të mospajtimeve brenda BE-së", tha mes tjerash Çitaku.
Duke përmendur kriteret që duhet t'i përmbushë Kosova në studimin e fizibilitetit, ministrja Çitaku tha: "Këto kritere janë përmbushur pikë për pikë, ndërsa shtoi se pa marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dyshoj që KE-ja do të mund të rekomandonte hapjen e negociatave, madje Këshilli vështirë se do ta jepte këtë rekomandim", tha Çitaku.
Ajo më tej ka përmendur edhe takimet e shumta që ka pasur me ministrat e jashtëm dhe me Komisionerin për Zgjerim Stefan Fule, duke vlerësuar se është e inkurajuar me frymën që ka dominuar në Luksemburg dhe në Bruksel.
"Ne duhet te përqendrohemi në kryerjen e detyrave që kemi. Sfida do të ketë shumë, ndërsa tani me hapjen e negociatave do të vihet në test përkushtimi ynë i vërtetë në procesin e integrimit evropian. Do të kemi detyra eksplicite që duhet t'i përmbushim. Shumë prej tyre nuk do të jenë aspak popullore, një ndër to është reforma në administratën publike dhe mënyra se si do t'iu përgjigjemi sfidave që dalin nga negociimi dhe më pas konkludimi i stabilizim asociimit, do të reflektojë edhe përkushtimin tonë të vërtetë në këtë proces", tha Vlora Çitaku duke shtuar se pas publikimit të studimit të fizibilitetit qeveria ka ndërmarrë masa për përgatitjen e përmbushjes së kritereve afat-shkurtra, përgatitjen për strukturën negociuese,etj. Ajo përmendi edhe fillimin e trajnimit të zyrtarëve të cilët do të jenë bartës të këtij procesi.
"Presim që më 28 qershor rekomandimi të jetë pozitiv, e më pas të fillojë negocimi, i cili do të marrë kohë. Por, jam e bindur se nëse e mbajmë këtë tempo do të jemi në gjendje të përmbyllim shpejt negocimin e stabilizim asociimit. Është punuar edhe në përmbushjen e rekomandimeve që kanë dalë nga procesi i liberalizimit të vizave nga misioni vlerësues. Ndërsa, do të kemi takimin e tretë në nivel të zyrtarëve të lartë në muajin qershor dhe një mision të dytë gjatë muajve të verës. Është e rëndësishme të përmbushim detyrimet në mënyrë që raporti i ri të dalë shumë më pozitiv se sa raporti i kaluar", tha ministrja Çitaku.
Në vijim të mbledhjes komisioni shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin nr. 04/L-191 për Blegtorinë, Projektligjin nr. 04/L-181 për Produktet e Ndërtimit, si dhe Projektligjin nr. 04/L-187 për Treguesit Gjeografik. Të gjitha këto me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.