Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Hënë, 29.04.2013




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryetares Safete Hadërgjonaj, ka shqyrtuar sot tri raporte vjetore financiare, dy projektligje dhe një kërkesë.

Komisioni shqyrtoi Raportin financiar të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2012, të cilin e prezantoi Shefki Ukaj, kryesues i këtij komisioni. Ukaj, gjithashtu, dha sqarime dhe iu përgjigj pyetjeve të shtruara nga ana e anëtarëve të komisionit, lidhur me shpenzimet e këtij komisioni.

Pas diskutimeve, komisioni përkrahu raportin dhe i rekomandoi seancës plenare miratimin e tij.

Në vazhdim, drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, Lavdim Krasniqi, paraqiti raportin vjetor financiar të këtij instituti, duke shpalosur hollësi nga përmbajtja e tij.

Anëtarët e komisionit e vlerësuan me tone pozitive përgatitjen e raportit, por njëkohësisht, dhanë vërejtje për tejkalime të shpenzimeve nëpër disa nënkategori buxhetore. Pas arsyetimit nga ana e drejtorit Krasniqi, komisioni i dha mbështetje raportit dhe e procedoi për shqyrtim dhe miratim në seancë.

Deputetët dhanë vërejtje edhe për tejkalimet e shpenzimeve nga ana e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, të prezantuara në raportin vjetor të saj.

Me këto vërejtje, komisioni përkrahu raportin dhe i rekomandoi seancës miratimin e tij.

Në vazhdim të mbledhjes, komisioni përkrahu kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e tarifave vjetore për vitin 2013, në lartësinë prej 0.15 për qind për taksën operacionale dhe 0.38 për qind për taksën investive.

Komisioni bëri plotësim-ndryshimin e nenit 4 të Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor dhe e procedoi në Komisionin për Legjislacion. U bë, gjithashtu, edhe plotësim-ndryshimi i po të njëjtit nen të Projektligjit për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa