Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Premte, 26.04.2013




Raporti financiar vjetor i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2012, ishte temë qendrore e diskutimit në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj.

Komisioni shqyrtoi edhe një varg raportesh të tjera dhe projektligjesh.

Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, i cili para komisionit paraqiti raportin financiar të qeverisë, dha një pasqyrë të përgjithshme të të hyrave dhe shpenzimeve të të gjitha institucioneve shtetërore, gjatë vitit të kaluar. Ai tha se raporti prezanton performancën e pakontestueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e menaxhimit të parasë publike.

Duke paraqitur veçoritë kualitative të raportit, zëvendësministri Avdiu tha se ai karakterizohet me ngritje substanciale në të hyra, tejkalim të planit për të hyrat në disa kategori dhe ngritje kualitative në kategorinë e investimeve kapitale.

Në vazhdim, zëvendësministri i Financave shpalosi hollësi rreth të hyrave dhe shpenzimeve.

"Të hyrat e grumbulluara gjatë vitit 2012, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve dhe fondet në mirëbesim, kanë qenë 1 537 955 000 euro dhe paraqesin 96.3 për qind të planit të përgjithshëm vjetor. Kjo tregon se realizimi ka qenë në nivel të planit vjetor, ndërsa kemi një rritje prej 18 për qind, krahasuar me vitin 2011", theksoi Avdiu.

Ndërkaq, sa i përket shpenzimeve, ai tha se pa përfshirjen e granteve të përcaktuara të donatorëve dhe fondeve në mirëbesim, ato kapin shifrën prej 1 466 457 000 euro dhe paraqesin 92 për qind të planit të përgjithshëm vjetor.

Avdiu vlerësoi se raporti është një tregues lehtësisht i matshëm për suksesin e institucioneve të Republikës së Kosovës në këtë periudhë raportuese, si dhe një dëshmi e pakontestueshme për potencialin e tyre, në rrugëtim të sforcimit të shtetit të Kosovës dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, vlerësoi se raporti përmban të gjitha të dhënat e përcaktuara me ligj dhe i plotëson standardet ndërkombëtare të raportimit.

Anëtarë të komisionit dhanë vlerësime pozitive për raportin, por gjithashtu, pati edhe vërejtje nga ana e disa deputetëve të tjerë.

Pas diskutimeve, raporti u përkrah nga komisioni dhe iu rekomandua seancës për miratim.

Mbledhja e komisionit vazhdoi me shqyrtimin e katër raporteve vjetore financiare të institucioneve dhe rregullatorëve të pavarur.

Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu raportin financiar të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, të cilin e prezantoi anëtari i bordit, Ibush Jonuzi, dhe atë të Zyrës për Ujësjellës dhe Kanalizim, i cili u paraqit nga drejtori Raif Preteni.

Ndërkaq, për raportet e Zyrës Rregullative për Energji dhe të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, komisioni kërkoi sqarime shtesë dhe vendosi që raportet i plotësuara t'i rishqyrtojë në mbledhjet e ardhshme.

Në vazhdim të mbledhjes, komisioni përkrahu Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr. 03/L-221 dhe nr. 04/L-116, duke i rekomanduar seancës plenare miratimin e tij në parim.

U përkrahën gjithashtu, edhe Projektligji për transportin rrugor dhe ai për Blegtorinë, me amendamente të komisioneve funksionale.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa