Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 25.04.2013
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Ferid Agani, u është përgjigjur sot pyetjeve të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe problemeve të ngritura për gjendjen në shëndetësinë e Kosovës, në interpelancën e kërkuar nga deputetja Time Kadrijaj, mbështetur edhe nga 9 deputetë tjerë.
Gjatë kësaj mbledhjeje, të cilën e udhëhoqi kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë, nënkryetari Xhavit Haliti), Kuvendi miratoi dy projektligje në shqyrtim të dytë dhe zgjodhi një anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore.
Duke e arsyetuar kërkesën e saj e të deputetëve nënshkrues për ta ftuar në interpelancë ministrin e Shëndetësisë, deputetja Kadriaj tha se gjendja e rëndë në sistemin e shëndetësisë në Kosovë është e papranueshme, por jo edhe e papritur. Sipas saj, një qeveri që nuk e ka prioritet shëndetësinë dhe një ministri e cila gjithë mandatin merret veç me letra dhe ka qëndruar larg çdo përballje të drejtpërdrejt me problemet e shëndetësisë, nuk di më mirë ose nuk mundet. Ajo tha se ministri Ferid Agani, me marrjen e mandatit të ministrit të Shëndetësisë, u zotua se do të reformojë sistemin e shëndetësisë, duke ndërtuar mekanizma të kontrollit, fillimisht përmes ndryshimit të Ligjit për shëndetësi, miratimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, si dhe plotësim- ndryshimit të legjislacionit të brendshëm për mbarëvajtjen e punës së kësaj ministrie dhe institucioneve në vartësi të saj.
"Gjatë mandatit të tij e kanë karakterizuar një sërë aferash të cilat dëmtojnë rëndë buxhetin e Kosovës, por edhe e ulin imazhin e shëndetësisë në përgjithësi. Institucioneve shëndetësore iu është marrë autonomia e veprimit. Çdo hap i institucioneve shëndetësore është i kontrolluar nga kjo ministri. Fakti qëndron në refuzimin e zbatimit të vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës për rihapjen e konkursit për drejtorë të klinikave dhe shërbimeve në QKUK, i cili vendim sot e kësaj dite nuk po zbatohet. QKUK-ja punon me ushtrues detyre të klinikave dhe shërbimeve që nga viti 2010", theksoi deputetja Kadriaj.
Në vazhdim të fjalës së saj, ajo u ndal edhe në zhvillime të tjera në lëmin e shëndetësisë, me theks të veçantë, në çështjen e barnave, si: citostatikët, insulinat, penjve kirurgjikë, mungesën e anestetikeve, çështjen e specializantëve etj.
"Joprofesionalizmi i zinxhirit menaxhues të institucioneve shëndetësore, dhënia e kompetencave të dyfishta dhe moskontrollimi i efektivitetit të punës, shfaqin një pasqyrë reale të punës së kësaj ministrie", u shpreh ndër të tjera Kadriaj, duke kërkuar nga deputetët përkrahje për rekomandimet e propozuara.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ndërkaq, në fjalën e tij tha se gjendja në shëndetësinë e Kosovës cilësohet me vështirësi të shumta, por, sipas tij, është shumë më e mirë se para dy vjetëve, veçanërisht në aspektin e perspektivave për të arritur një sistem evropian të shërbimeve shëndetësore.
Rrugëtimi deri në këtë pikë, sipas ministrit Agani, ka qenë i përmbushur me probleme tejet serioze që në masën më të madhe ishin rezultat i sistemit anakronik të centralizuar dhe të politizuar shëndetësor, që si i tillë me kohë u korruptua në masë të madhe, veçanërisht në sektorin farmaceutik dhe sektorin e punësimit të njëkohshëm në sektorin publik dhe privat.
Administrata tejet fragjile shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë me probleme të shumta dhe të trashëguara në mes të mandatit, shtoi Agani, u godit edhe me arrestime dhe procedura hetimore e gjyqësore të zyrtarëve më të lartë shtetërorë për çështje që, sipas tij, nuk kishin të bënin me mandatin e kësaj ministrie.
"Situatën e bënte më të ndërlikuar nën-financimi tejet serioz i shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, përkundër rritjes së vazhdueshme të ndarjeve buxhetore, por jo në masën e duhur", u shpreh ministri i Shëndetësisë.
Në vazhdim të fjalës së tij para deputetëve, ai tha se që në fillim të mandatit të tij ka qenë i vetëdijshëm se e vetmja rrugëdalje nga situata aktuale është reformimi i sistemit aktual shëndetësor dhe reformimi i organizimit të brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, krahas vendosjes së shëndetësisë në prioritetet politike të Qeverisë dhe institucioneve të tjera relevante të shtetit.
"Jemi në ditët kur të dy këto mekanizma themelorë për tejkalimin e problemeve aktuale janë vendosur. Fillimisht pas më shumë se dy viteve të përpjekjeve do të hyjë në fuqi Ligji i shëndetësisë, që do të ndryshojë sistemin shëndetësor të vendit në mënyrë përmbajtësore dhe së dyti, dje u miratua në Qeveri Rregullorja e re për Organizimin e Brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë", theksoi Agani, duke përmendur edhe një varg ligjesh të kësaj lëmie, të cilët janë në procedurë parlamentare.
Ai tha se para miratimit në Qeveri është edhe Projektligji për sigurime shëndetësore, me të cilin, sipas tij, do të rrumbullakësohet korniza legjislative e cila përfundimisht do të ndajë shëndetësinë kosovare nga aktualiteti i mbijetesës.
Ministri Agani tha se i gjithë ky proces reformues është përgatitur dhe zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, OBSH-në, Komisionin Evropian, komunitetin e donatorëve dhe të gjithë faktorët e tjerë relevant ndërkombëtarë.
Në vazhdim, ai numëroi një varg arritjesh kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë në periudhën e kaluar dyvjeçare.
Ai tha se është i vetëdijshëm për vështirësitë dhe mangësitë e theksuara në sektorin e planifikimit, prokurimit dhe furnizimit me barna dhe material harxhues, që paraqesin edhe pjesën kryesore të kërkesës për interpelancë, por shtoi se Ministria e Shëndetësisë është duke punuar me vendosmëri të madhe që këto mangësi dhe vështirësi të tejkalohen.
"Shpresoj se pas paraqitjes të arritjeve kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë, veçanërisht në rrafshin reformues, është bërë e qartë se Qeveria e Kosovës ka mbështetur në plotni reformën në sektorin e shëndetësisë dhe se konstatimi se Qeveria nuk e ka pasur për qëllim ndryshimin e gjendjes në shëndetësi dhe se nuk bënë përpjekje serioze për të përmirësuar sistemin shëndetësor, nuk qëndron", theksoi Agani, duke e konsideruar, gjithashtu, të padrejtë vlerësimin se Ministria e Shëndetësisë nuk është përballë drejtpërdrejt me problemet e shëndetësisë dhe se merret vetëm me letra.
Sa i përket raporteve të Ministrisë së Shëndetësisë me Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, ministri tha se ministria që ai udhëheq është një prej ministrive që në mënyrë të përpiktë i ka zbatuar vendimet e këtij organi, mirëpo kur ka qenë në pyetje menaxhmenti i klinikave të QKUK-së, sipas tij, ka pasur vështirësi në interpretimin e dispozitave ligjore në aspektin e statusit juridik të drejtorëve të klinikave, si shërbyes civilë ose si nëpunës publikë.
Në vazhdim, ministri Agani dha sqarime në çështjet e ngritura në kërkesën për interpelancë.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputetja Flora Brovina i bëri një përshkrim të gjerë gjendjes në shëndetësi. Ajo tha se shëndetësia në Kosovë ka kohë që vuan nga një sëmundje kronike, të cilës nuk po i kushtohet vëmendje e duhur. Kërkesën për interpelancën e sotme, deputetja Brovina e konsideroi të paarsyetuar mjaftueshëm dhe të paarguemtuar mirë.
Lidhur me konkurset për drejtorë të klinikave dhe shërbimeve në QKUK, ajo tha se është pritur miratimi i Ligjit për shëndetësi, me të cilin punëtorët shëndetësorë nuk do të jenë më shërbyes civilë, sikurse edhe drejtorët. Brovina tha se do ata të zgjidhen, sapo të hyjë në fuqi Ligji për shëndetësinë.
"Mungesa e hyrjes në fuqi të këtij ligji i ka ngadalësuar reformat dhe solli pengesa edhe për aprovimin e ligjeve që ndodhen në Kuvend, si: Ligji për odat e profesionistëve shëndetësorë, ligji për transplantimin e qelizave, Ligji për transplantimin e organeve, Ligji për produktet dhe pajisjet medicinale. Mund të konkludojmë se pas hyrjes në fuqi të Ligjit për shëndetësinë, në Kuvend do të vijë edhe Ligji për sigurimet shëndetësore, një ligj ky shumë i rëndësishëm për funksionin e shëndetësisë", theksoi deputetja Brovina në fjalën e saj.
Ajo përmendi të metat dhe dobësitë që e përcjellin aktualisht lëmin e shëndetësisë në Kosovë, por radhiti edhe një varg suksesesh dhe arritjes, si: miratimin e disa strategjive, organizimin e shërbimeve të reja, pranimin e 550 mjekëve për specializim gjatë vitit të kaluar, trajnime të shumta jashtë vendit, gjetjen e donatorëve për avancimin e shëndetësisë dhe krijimin e relacioneve të besueshme me FMN-në etj.
Deputetja Rita Hajzeraj, duke prezantuar qëndrimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, theksoi se partia që ajo përfaqëson mendon që të gjitha problemet që kanë ekzistuar deri më sot, vazhdojnë të ekzistojnë ende dhe madje duke u thelluar. Ajo tha se buxheti i ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë, në shumën, prej 128.4 milionë euro apo rreth 8.1 për qind e buxhetit të Kosovës, është jashtëzakonisht i vogël dhe nuk i plotëson as për së afërmi kërkesat e qytetarëve të Kosovës. Ajo tha se me këtë buxhet, shëndetësia nuk mund të jetë prioritet qeveritar.
"LDK-ja mendon se problemi kryesor në institucionet shëndetësore publike është mungesa e barnave, të cilat, shumica e pacientëve duhet t'i blejnë. QKUK-ja, si institucioni i vetëm i cili ofron shërbime shëndetësore të nivelit terciar në Kosovë, sot ballafaqohet me probleme serioze në të gjitha aspektet, duke filluar nga furnizimi me barna dhe material elementar shpenzues shëndetësorë, parakushte këto të domosdoshme për punë normale të një institucioni shëndetësorë", theksoi Hajzeraj.
Miratimi i Ligjit për shëndetësinë në Kuvend, sipas saj, pa Ligjin për sigurimet shëndetësore dhe pa sistemin informativ shëndetësor, e bën këtë ligj të pazbatueshëm në praktikë.
Deputeti Liburn Aliu nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, tha se reforma në shëndetësi ka qenë njëra nga temat e kësaj legjislature, e cila ka marrë energji dhe kohë të madhe, ka tërhequr vëmendjen dhe përkushtimin e deputetëve, por edhe të qytetarëve. Ai tha se ministri Agani ndërtoi shpresën për realizimin e reformës në shëndetësi që nga ardhja e tij, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, pati paralajmëruar se reforma në shëndetësi është shumë e vështirë pa u reformuar i tërë sistemi qeverisës në Kosovë.
"Sidoqoftë, ministri besonte se do ta realizonte reformën dhe për këtë shpresonte edhe në mbështetjen e Qeverisë. Qeveria i dha shpresën për mbështetje por jo më shumë. Dhe ky ia dha mbështetjen asaj në të gjitha projektet e saj", theksoi deputeti Aliu, duke shtuar se Komiteti për shëndetësi i Lëvizjes Vetëvendosje e ka trajtuar idenë e reformës që e kishte ministri, e po ashtu ka dhënë edhe idenë mbi ndryshimet e nevojshme.
Në vazhdim ai paraqiti pjesë nga programi qeverisës i Vetëvendosjes, duke e ndërtuar reformën në shëndetësi në katër shtylla.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, u fokusua në problemet e përditshme me të cilat përballen pacientët në ambientet spitalore të QKUK-së, me theks të veçantë, në aspektin higjienik. Ai tha se për ta përmirësuar gjendjen në shëndetësi nuk mjafton të jesh njëri i mirë, ndërsa vlerësoi se të lëvizjet në këtë sektorë, të potencuara nga ministri në interpelenncë, do të mund të ndodhin edhe po të mos kishte ministri fare.
"Është e kotë të flitet për të arritura të mëdha, kur s'mund të gjendet zgjidhje për çështje të vogla", theksoi deputeti Gjini.
Deputetja Myzejene Selmane, kryetare e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re, konfirmoi mbështetjen për ministrin dhe përpjekjet e tij për zhvillimin e reformave dhe përmirësimin e gjendjes në këtë fushë. Duke shfaqur besimin se së shpejti në Kuvend do të vijë ligji për sigurimet shëndetësore, ajo tha se implementimi i Ligjit për shëndetësinë do të marrë kohë.
Interpelanca vazhdoi me diskutimet e deputetëve: Aurora Bakalli, Berat Buzhala, Haki Demolli, Albulena Haxhiu, Teuta Haxhiu, Hykmete Bajrami, Halit Krasniqi, Lutfi Haziri, Salihe Mustafa, Sali Asllanaj, Visar Ymeri, Kimete Bajraktari, Blerta Deliu, Shaip Muja, Bekim Haxhiu, Sadri Ferati, të cilët dhanë vlerësimet të ndryshme për gjendjen në shëndetësi, duke shprehur nevojën për një ndërhyrje të gjithanshme për ngritjen e kualitetit të shërbimeve në këtë sektor.
Ministri Agani, ndërkaq, duke dhënë sqarime në çështjet e ngritura nga deputetët, shprehu përkushtimin e tij shëndetësinë ta bëjë prioritet të qeverisë. Një reformë e thellë dhe shumëdimensionale, sipas tij, ka kërkuar një përgatitje serioze. Ai tha se ky është një proces në të cilin duhet investuar vazhdimisht dhe nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve. Vonesën në reformën e shëndetësisë ai e arsyetoi me vonesën e hyrjes në fuqi të Ligjit për shëndetësinë. Ai tha se e arritura më e madhe e Ministrisë së Shëndetësisë është fakti se reforma është e përgatitur në mënyrë shumë studioze, është e mbështetur në fakte shkencore dhe se e ka mbështetjen vendore e ndërkombëtare.
"Jam i bindur se në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për shëndetësinë dhe miratimin e ligjit për sigurime shëndetësore, do të kemi një situatë tjetër", theksoi ministri Agani.
Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi rekomandimet e paraqitura nga kërkuesja e interpelancës, deputetja Time Kadriaj, nëpërmjet të cilave kërkohet zbatimi i vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil për konkursin në QKUK dhe për zyrtarët e lartë në Ministrinë e Shëndetësisë që janë edhe specializantë, sjellja sa më e shpejtë në Kuvend e Ligjit të sigurimeve shëndetësore, respektimi i Ligjit të menaxhimit të financave publike, sidomos procedurat e tenderimit, raportimi i rregullt në Kuvend për gjendjen e informimit shëndetësor etj.
Në vazhdim, Kuvendi shtyu për mbledhjen e ardhshme votimin për Marrëveshjen e deputetëve nga radha e komuniteteve të tjera joshumicë dhe zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga këto komunitete, si dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit për tregun e naftës dhe produkteve të naftës në Kosovë. Ndërkaq, miratoi në shqyrtim të dytë Projektligjin për administrimin e punës në zyrë dhe atë për provimin e jurisprudencës, me amendamente të komisionit funksional.
Kuvendi emëroi Adem Vokshin anëtar në Komisionin për Kërkesa Pronësore.
Mbledhja e sotme filloi me pikën e zakonshme të deklarimeve jashtë rendit të ditës, ndërsa pyetjeve të deputetëve iu përgjigj ministri Ferid Agani.