Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Aldo Bumçi

E Enjte, 25.04.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi , me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe mundësinë e zgjerimit të mëtejmë të tij.

Duke e çmuar lart këtë bashkëpunim, ministri Bumçi e konsideroi atë si model për vendet e tjera të rajonit. Ai theksoi se ka hapësirë për rritjen e këtij bashkëpunimi, falë edhe lehtësirave të mëdha që ka krijuar ndërtimi i infrastrukturës rrugore në të dy anët e kufirit. Me këtë rast, ai vuri në spikamë rritjen e shkëmbimeve tregtare për shtatë herë.

Ministri Bumçi përgëzoi për marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën shfaqi besimin se ajo do të hapë perspektiva të reja evropiane për Kosovën dhe rajonin. Ai përshëndeti edhe vendimin e Parlamentit Evropian për heqjen e fusnotës për Kosovën, ndërsa konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare për të ofruar përvojën e Shqipërisë në procesin e integrimit euro-atlantik. Kryetari Krasniqi, duke e uruar ministrin Bumçi për detyrën e re në krye të diplomacisë shqiptare, shfaqi kënaqësinë për rritjen e komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Kryeparlamentari Krasniqi shtroi nevojën e krijimit të tregut të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, i cili, siç tha ai, do të ndikonte në një zhvillim më të hovshëm ekonomik.

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Aldo Bumçi