Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Mërkure, 24.04.2013
Raporti vjetor i aktiviteteve të EULEX-it për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ishte temë e debatit në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Kryetarja e Komisionit, Suzan Novobërdali, pasi vuri në spikamë se zbardhja e fatit të të pagjeturve vazhdon të mbetet shqetësim i mëtejmë i Komisionit, njoftoi se periudha raportuese e këtij Raporti është nga data nëntë dhjetor 2011 deri më tetë dhjetor 2012. Ky Raport, tha në vijim ajo, është i hartuar në pesë kapituj, ku përfshihen rezultatet nga operacionet fushore, rezultatet e antropologjisë mjeko-ligjore dhe të identifikimit, raporti special i mbetjeve të paidentifikuara që mbahen në morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML), të zhdukurit, përkatësisht përshkrimi i situatës dhe Plani i Punës për vitin 2013.
Sipas këtij Raporti, numri i personave të zhdukur vazhdon të mbetet ai i raportuari në vitin e kaluar 1757, ndonëse janë kryer 46 gërmime fushore në kërkim të të zhdukurve. Kundruall këtij fakti, anëtarët e Komisionit vlerësuan se procesi i zbardhjes së fatit të të zhdukurve është duke u zhvilluar me ritëm shumë të ngadaltë, andaj, lidhur me këtë deputetja Rita Hajzeraj - Beqaj vlerësoi se kompetencat e kësaj fushe duhet t'i kalojnë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas saj, EULEX-i do duhej që në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë të punojë intesivishtë në hulumtimin e varrezave masive në territorin e Serbisë. Vërejtje për këtë Raport patën edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, të cilët vlerësuan se Raportit i mungojnë sqarime të qarta dhe të dhëna të sakta.
Pas këtyre konstatimeve, Komisioni vlerësoi se shqyrtimin e këtij Raporti Komisioni duhet ta bëjë në mbledhjen e radhës, në të cilën do të merrnin pjesë edhe përfaqësues të EULEX-it dhe drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore.
Më pas, deputetja Albana Gashi njoftoi me agjendën e grupit punues lidhur me aktivitetet për monitorimin e Ligjit për personat e zhdukur.
Në fund të kësaj mbledhje, Komisioni shqyrtoi edhe disa ankesa dhe peticione të qytetarëve.