Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion parlamentar nga Turqia
E Marte, 23.04.2013
Me rastin e ditës së turqve në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga deputetë të komunitetit turk dhe ministri Mahir Yagcilar, ka pritur në takim një delegacion parlamentar nga Turqia, të kryesuar nga deputeti Hysein Burge.
Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mike dhe parlamenteve të tyre, si dhe për aktivitetet që janë shënuar në kuadër të festimit të ditës së turqve në Kosovë.
Kryeparlamentari Krasniqi çmoi lart bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi Kombëtar i Turqisë kultivojnë ndërmjet tyre, në funksion të forcimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve, si dhe të ngritjes së kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës.
Udhëheqësi i delegacionit turk, Hysein Burge, pasi falënderoi kryetarin Krasniqi për pritjen e ngrohtë e miqësore, shprehu kënaqësinë e tij e të Kuvendit Kombëtar të Turqisë, që 23 prilli festohet edhe në Kosovë. Bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve, ndërkaq, e konsideroi të shkëlqyeshëm.