Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 23.04.2013
Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) për vitin 2012, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, në mbledhje ishte i pranishëm edhe drejtori i AAC-së, Dritan Gjonbalaj. Ai fillimisht i njoftoi anëtarët e Komisionit për misionin dhe vizionin e AAC-së. Me këtë rast, Gjonbalaj theksoi se AAC-ja i ka vënë vetes mision që të mbajë sa më lart nivelin e standardeve të sigurisë në Kosovë në fushën e aviacionit civil, duke pasur vizion që të ofrojë sistemin më të mirë të mundshëm të aviacionit civil. Ai njoftoi edhe për sistemin e menaxhimit të cilësisë që ofron AAC-ja, mundësitë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në ICAO, përshkrimin e hapësirës ajrore të Kosovës dhe aktivitete të tjera të këtij Autoriteti. Sa i përket sistemit të sigurisë, Gjonbalaj nënvizoi se gjatë vitit 2012, AAC-ja ka përfunduar të gjitha veprimet e nevojshme për ngritjen e sistemit për menaxhim të cilësisë, sipas Standardit Ndërkombëtar ISO 9001:2008. Pasi që sqaroi procedurat e anëtarësimit në ICAO, ai në vijim njoftoi edhe për hapat që kanë marrë për anëtarësimin e Kosovës në këta mekanizma të aviacionit ndërkombëtar. "AAC-ja, në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, ka filluar hulumtimet dhe kontaktet në nivel teknik për të përgatitur terrenin për dorëzim të aplikimit zyrtar për anëtarësim në ICAO nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës", tha Gjonbalaj. Duke dhënë sqarime për hapësirën ajrore të Kosovës, Gjonbalaj tha se ajo që nga shtatori i vitit 1999 është pjesë e Hapësirës së Përbashkët Operacionale të Ballkanit -JOA të NATO-s, nën kontrollin operacional të Qendrës së Kontrollit të Operimeve të Kombinuara Ajrore. "Kjo hapësirë ajrore është hapësirë e kontrolluar, në të cilën ofrohen shërbime për trafikun ajror", sqaroi ai. Po ashtu, Gjonbalaj njoftoi se hapësira e lartë ajrore e Kosovës, është e mbyllur për trafik komercial.
Në vijim të debatit, drejtori i AAC-së, iu përgjigj edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e Komisionit. Sa i përket Aeroportit të Gjakovës, ai sqaroi se atë e ka ndërtuar Qeveria italiane, por në fund të këtij viti, sipas Gjonbalajt ky Aeroport do t'i kthehet Qeverisë së Kosovës. Ai dha sqarime edhe për transportin ajror të mallrave të rrezikshëm, për taksat e sigurisë së pasagjerëve, për arsyen e çmimit të lartë të biletave të udhëtimit dhe për nivelin e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. Duke folur për numrin e udhëtarëve, ai tha se numri i atyre që kanë realizuar fluturime nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP)"Adem Jashari", është në rritje të vazhdueshme. Me këtë rast, ai njoftoi se gjatë vitit të kaluar nga ANP-ja kanë realizuar udhëtime më se 1.5 milion udhëtarë.
Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, pas diskutimeve që bënë dhe përgjigjeve që morën lidhur me interesimin e tyre, raportin e vlerësuan pozitivisht dhe e miratuan atë. Ata, po ashtu inkurajuan drejtorin Gjonbalaj dhe stafin e tij që të vazhdojnë me këmbëngulësi për të tejkaluar sfidat që paraqiten, duke i ofruar mbështetje edhe nga Komisioni.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi edhe dy projektligje: Projektligjin për produktet e ndërtimit dhe Projektligjin për treguesit gjeografikë. Amendamentet për këto projektligje i paraqiti deputeti, Hashim Deshishku.