Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Hënë, 22.04.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetari i komisionit Lutfi Haziri, raportoi zv.kryeministrja dhe ministrja për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari- Lila.
Fillimisht, Lutfi Haziri, tha se sot është një ditë e mirë për Kosovën, meqë Komisioni Evropian ka miratuar rekomandimin për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën. Ai më pastaj përmendi edhe të drejtën e Kosovës për fonde duke theksuar se kjo pjesëmarrje është e rëndësishme, sepse Kosova do të fillojë të absorbojë mjete për mbështetje nga fondi për komunitete dhe fonde tjera.
Në vijim ai sqaroi se njëra nga tri kushtet afatshkurtra në procesin e integrimeve evropiane, është edhe përmbushja e kritereve afatshkurtëra të MTI-së, dukë kërkuar më tej sqarime nga zv.kryeministrja Kusari lidhur me progresin, sfidat për përmbushjen e këtyre kërkesave.
Më këtë rast ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila tha se kjo është ditë e madhe për Kosovën për faktin është marrë drita e gjelbër për fillimin e negociatave për stabilizim asociim dhe kjo sipas saj është konfirmim i punës së të gjitha institucioneve. "Është një sinjal në Kosovë se puna substanciale dhe e mirëfilltë do të fillojë tani", tha ajo.

Duke theksuar se MTI-ja ka qenë pjesë e kritereve afatshkurtëra shtoi se këto kritere i kanë adresuar me shumë seriozitet. "Kanë qenë tri objektiva afatshkurtëra të cilat ministria që e drejtoj i ka pasur për obligim që t'i kryejë dhe t'i përmbushë deri në ditën kur është bërë vlerësimi dhe tanimë është konfirmuar që ato janë adresuar me sukses. Megjithatë, ato sfida me të cilat jemi ballafaquar ne kanë qenë jo të lehta.."tha Kusari -Lila, duke sqaruar më tej se aspekti i parë që ka kërkuar Komisioni Evropian nga MTI-ja është analiza, ndikimi i aspektit tregtar të marrëveshjes së stabilizim- asociimit. Ajo tha se sfidat me të cilat ballafaqohet edhe sot e kësaj dite Kosova është deficiti i madh tregtar dhe ecja përpara do të ndikojë drejtpërdrejtë në bilancin tregtar të Kosovës dhe se ky vlerësim preliminar gjithashtu edhe është dorëzuar. Ajo shtoi se ka pasur dy qëllime, qëllimi i parë ka qenë aspekti financiar, ndërsa qëllimi i dytë ka qenë mbështetja dhe identifikimi i prioriteteve negociuese për tregti të Kosovës në procesin e MSA-së.
Sipas saj në këtë proces është vlerësuar që një ndikim në buxhetin e Kosovës do të jetë në vlerë prej 65. 7 milionë euro , por ekzistojnë fonde të caktuara strukturore në kuadër të BE-së të cilat bëjnë kompensimin e kësaj vlere gjatë procesit të negocimit. Pastaj, në momentin kur të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes atëherë do të kemi një përgatitje më të madhe, tha ajo, duke u përgjigjur tutje para anëtarëve të komisionit edhe në çështjen e ristrukturimit, e cila ka hyrë në objektivat afatshkurtra të MTI-së, si një kërkesë sipas së cilës është adresuar me sukses, si dhe është në proces të finalizimit. Ndërkaq, tha se objektivat afatshkurtra janë adresuar me sukses nga kjo ministri.
Lutfi Haziri tha se njëra nga shqetësimet është që kapacitetet që duhet të ndërtohen për negociim duhet të jenë të garantuara dhe të siguruara që Kosova të këtë mundësi të udhëheqë më to, ndërkaq, anëtarët e komisionit Blerta Deliu, Vjosa Osmani, Blerim Shala, Ismet Beqiri, Albert Kinolli e nënkryetari Sasha Milosavljeviq kërkuan sqarime të shumta nga ministrja Kusari-Lila rreth segmentit të tregtisë brenda marrëveshjes së MSA-së, sistematizimin të vendeve të punës në MTI, fondin e kuadrove, thithjen e fondeve, shtetet me të cilat MTI-ja ka marrëveshje për tregti të lirë, si dhe për sfidat me të cilat do të përballet MTI gjatë viteve të ardhshme.
Ndërkaq, nënkryetari Xhavit Haliti kërkoi sqarime po ashtu nga ministrja Kusari -Lila, lidhur me alfatoksinën e qumështit, me ç‘rast theksoi se mënyra se si është zhvilluar ngjarja ka qenë krejtësisht një implikim, preferencial i dikujt për ta favorizuar tregun e ndonjë kompanie. Ai tha se është dashur të nxirret një vendim dhe të merren mostrat e të gjithë tregtarëve që shesin qumështin për të gjithë njësoj, e jo që një numri të caktuar produktesh t'u bëhet propagandë kundër këtyre kompanive. Më tej ai pyeti edhe rreth sasisë së qumështit pluhur që hyn në Kosovë, si dhe për analizat e naftës.

Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të Komisionit me zv.kryeministren Kusari-Lila, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën Projektligjin nr.04/L-179 për transportin rrugor,me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Komisioni po ashtu formoi edhe grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ripranim.

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane