Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 22.04.2013




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që ta thërrasë mbledhjen plenare të enjten, më 25 prill.

Për këtë seancë është paraparë interpelanca e ministrit të Shëndetësisë, z. Ferid Agani, lidhur me gjendjen në shëndetësinë e Kosovës. Kërkesa për interpelancë është shtruar nga deputetja Time Kadrijaj, e mbështetur edhe nga 9 deputetë tjerë.

Në vazhdim të seancës do të procedohet me projektligjet. Do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për tregun e naftës dhe produkteve të naftës në Kosovë, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligj për administrimin e punës në zyrë, dhe Projektligji për provimin e jurisprudencës.

Në të njëjtën seancë do të provohet të zgjidhet (hera e tretë me radhë) nënkryetari nga radha e komuniteteve tjera joshumicë dhe joserb, si dhe do të zgjidhet anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore.

Si rëndom, në seancat e rregullta plenare të Kuvendit, në fillim do të procedohet me deklarime jashtë rendit të ditës dhe me pyetje parlamentare.

Kryesia në mbledhjen e sotme ka tumir kërkesën e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për debat parlamentar lidhur me gjendjen e pyjeve në Kosovë, i cili planifikohet të mbahet në njërën nga seancat e radhës. Anëtarët e Kryesisë i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, për miratimin e tarifave vjetore për vitin 2013.

Lidhur me procedimin e Projektligjit për Fshatin Zymi i Hasit (të propozuar nga deputeti Daut Haradinaj, i mbështetur nga deputetë të tjerë, Kryesia ka kërkuar nga komisioni funksional që ta hartojë sa më parë projektligjin e propozuar dhe t'ia dërgojë Qeverisë për mendim. Është mbështetur, ndërkaq edhe kërkesa e deputetes Alma Lama për procedimin e Projektligjit për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, duke kërkuar nga komisioni funksional ta hartojë sa më parë këtë projektligj.

Kryesia e ka tumir kërkesën për mbajtjen e një Seance të Kuvendit, në të cilën z. Ekmeleddin Ihsanoglu, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik , do t'iu drejtohet me një fjalë rasti deputetëve të Kuvendit (gjatë kohës së vizitës në Kosovë nga 1-3 maj).

Anëtarët e Kryesisë janë shprehur se edhe tri kërkesat deputetëve për seanca solemne lidhur me beteja e me figura të luftës çlirimtare, si: kërkesa e deputetëve Blerta Deliu-Kodra dhe Bekim Haxhiu të mbështetur edhe nga 5 deputetët tjerë për seancë solemne për nderim të Heroit-Gjeneral Ilaz Kodra dhe gjithë dëshmorëve dhe pjesëtarëve të Brigadës 114 "Fehmi Lladrovci"; kërkesa e deputetit Fadil Demaku i mbështetur edhe nga 6 deputetët tjerë për seancë solemne për nderim të "Betejës së Llapushnikut", si dhe kërkesa e deputetit Ramiz Lladrovci, i mbështetur edhe nga 6 deputetët tjerë, për seancë solemne për nderim të "Betejës së Prekazit të Epërm", të udhëhequr nga Tahir e Nebih Meha, i plotësojnë kushtet formale për tu mbajtur (suksesivisht: më 30 prill, më 9 dhe më 13 maj). Kryeparlamentari Krasniqi, por edhe anëtarë të tjerë pjesëmarrës në diskutim, kanë mbajtur qëndrim se seancat e tilla përkujtimore janë jashtë fushëveprimit të Kuvendit dhe se e pengojnë punën e legjislativit të vendit. Ndërkaq ka pasur edhe mendime që aktivitetet e tilla mund të organizohen nga Kuvendi, por të mbahen në godina të tjera.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës