Lajmet e fundit

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Hënë, 22.04.2013




Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit, raportoi kryeministri i Republikës së Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës për Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar me 19 prill 2013 nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Serbisë.
Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se me këtë marrëveshje Kosova vulosi shtrirjen e sovranitetit dhe kushtetutës në tërë territorin e vendit, duke shtuar se kjo marrëveshje është më e mira e mundshme në këto rrethana, edhe pse nuk është ideale. Duke e quajtur marrëveshjen si ndërshtetërore, ai tha se kjo i hap rrugë të sigurtë integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit të vendit. "Kosova ka vulosur shtetësinë dhe sovranitetin e saj", theksoi kryeministri Thaçi, duke vlerësuar tutje se kjo marrëveshje është për të ardhmen, paqen dhe integrimet evropiane. "Është marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Është marrëveshje ku Kushtetuta dhe ligjet do të funksionojnë në tërë territorin e vendit dhe do t'i japim fund strukturave ilegale në veri", theksoi kryeministri duke shtuar se Serbia e ka pranuar këtë fakt kur ka nënshkruar.
Ai tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, është jashtëzakonisht e rëndësishme, ngase sipas tij, është marrëveshja e parë që pritet të ratifikohet mes Kosovës dhe Serbisë.
Tutje, kryeministri shtoi se marrëveshja në asnjë pikë, nuk e cenon funksionalitetin e shtetit, ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, duke shtuar se ligji do të shtrihet në çdo cep të vendit tonë.
Më tej ai sqaroi se qeveria në bashkëpunim me KFOR-in e EULEX-in ka përgatitur një plan serioz për zbatimin e kësaj marrëveshje në praktikë.

Ai duke shpalosur radhazi pikat e marrëveshjes, mes tjerash tha se strukturat ilegale të Serbisë në veri të vendit, tani e tutje nuk do të ekzistojnë, pasi që kjo marrëveshje, sipas tij, zyrtarisht u jep fund atyre.
Ndërsa, tha se asnjëra palë nuk do ta bllokojë rrugën drejt integrimit në BE, duke përmendur faktin se presin që 5 shtetet e BE-së, ta njohin Kosovën. Madje, shtoi ai, këtë do ta bëjnë në një të ardhme të afërt dhe se Serbia nuk do të bllokojë përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. "Çdo përpjekje për të penguar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare do të ishte në kundërshtim me marrëveshjen", tha ai.
Ai tha se diskutimet lidhur me energjinë, telekomin dhe çështjen e përsonave të zhdukur do të intensifikohet nga dy palët dhe do të përfundojë deri më 15 qershor. Ndërkaq, shtoi se duhet të arrihet marrëveshja në fushën e energjisë dhe telekomit deri më 15 qershor.

Duke kërkuar nga deputetët pëlqimin e kësaj mërrëveshje tha se kjo marrëveshje është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se tani e tutje Kushtetuta dhe ligjet, do të zbatohen në gjithë territorin tonë.
"Jam thellësisht i bindur se kjo marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë do të reflektojë në gjithë rajonin për të mirë", tha kryeministri.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputeti Arsim Bajrami, marrëveshjen ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, e konsideroi një akt historik dhe moment të fillimit të një epoke të re e civilizuese, me ç'rast Kosova dhe Serbia, sipas tij, për herë parë, në mënyrë paqësore dhe evropiane, arrijnë një marrëveshje historike.
Ky moment historik, shtoi Bajrami, është fillimi i fundit të konfliktit shekullor midis Kosovës e Serbisë dhe fillimi i një epoke të re, në të cilën dy shtetet do të njihen reciprokisht dhe do të kenë një agjendë të përbashkët evropiane. Ai vlerësoi se nëpërmjet kësaj marrëveshje, e cila, sipas tij, nuk është perfekte, arrihet një kompromis real, me të cilin ruhen vlerat dhe interesat kombëtare e kushtetuese të Republikës së Kosovës.
"Kjo marrëveshje është plotësisht në pajtim me sistemin unik kushtetues të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, me të cilën Kuvendi ka autorizuar Qeverinë që të fillojë këto procese", theksoi Bajrami, duke shtuar se ajo nuk kërkon asnjë ndryshim kushtetues apo legjislativ.
Deputeti Bajrami theksoi se kjo marrëveshje i jep fund gjendjes së padurueshme në veri dhe përfundimisht shpërbëhen të gjitha strukturat jo-kushtetuese dhe jo-legjitimeve.
Në vazhdim, ai i bëri një analizë pikave të marrëveshjeve, duke dhënë shpjegime për përmbajtjen e tyre.
Duke prezantuar konkluzionet e GP të PDK-së, Arsim Bajrami tha se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Kosovës i trasohet rruga për konsolidimin e shtetit dhe fokusimin në problemet e brendshme të saj.
Në vazhdim, ai shpalosi një varg kërkesash të GP të PDK-së, duke dhënë përkrahje për hartimin e një plani të hollësishëm implementues, i cili do të përmbajë të gjitha afatet dhe veprimet që do të ndërmerren për zbatimin e saj.
"Kërkojmë që marrëveshja të ketë një monitorim të fuqishëm ndërkombëtar në implementim. Kërkojmë që Bashkimi Evropian të krijojë unitetin e nevojshëm dhe të bëjë presion që Kosova të njihet edhe nga pesë vendet e BE-së dhe të shpejtohet rruga evropiane e saj", u shpreh Bajrami, duke kërkuar, gjithashtu, që Kosova të kalojë procesin e stabilizim-asociimit dhe të shpejtojë procesin e liberalizimit të vizave, si dhe të fillojë procesi i anëtarësimit të saj në OKB.
Duke prezantuar qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i këtij grupi, deputeti Ismet Beqiri, tha se përkundër vërejtjeve që ka në pika të caktuara të kësaj draft-marrëveshjeje, LDK-ja jep pëlqimin e saj në parim dhe u bëri thirrje BE-së dhe SHBA-ve që ta garantojnë implementimin e saj.
"LDK-ja është e vetëdijshme se dialogu me fqinjët e saj është parim evropian dhe rrjedhimisht e përkrahim si parim. LDK-ja insiston dhe do të këmbëngulë në ruajtjen dhe mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e veçanërisht karakterin unitar të saj. Patjetër që duhet të vlerësojmë angazhimin e SHBA-ve, BE-së, Baroneshës Eshton dhe të NATO-s në të gjithë këtë proces", theksoi Beqiri, ndërsa shtoi se garancionet dhe mbështetja e SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s, janë arsyeja kryesore se pse LDK-ja përkrah në parim këtë draft-marrëveshje. Janë po të njëjtit faktorë, shtoi tutje Beqiri, që e përkrahën Kosovën në momentet vendimtare për lirinë, për shtet-formimin e Republikës së Kosovës dhe, shfaqi besimin se kjo do të ndodhë edhe në procesin e ndërtimit të shtetit.
"Ne si subjekt politik, si parti shtet-formuese dhe shtet-ndërtuese, interesat shtetërore dhe nacionale i vejmë mbi çdo interes tjetër. LDK-ja konsideron se ka ardhur koha që në Ballkanin Perëndimor, paqja e qëndrueshme dhe afatgjate duhet të vendoset", theksoi Beqiri.
Albin Kurti, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, është e turpshme dhe e padrejtë. Ai tha se me këtë marrëveshje po bosnjakzohet Kosova, duke u shndërruar në shtet jo funksional, drejt dështimit, ndërkaq vlerësoi se kjo nuk duhet të pranohet.
Kurti duke numëruar disa nga kushtet që është dashur t'i vihen Serbisë, tha se është dashur të kërkojë që ajo ta pranojë pavarësinë e Kosovës, të kërkojë falje, t'i kthejë trupat e të pagjeturve, dhe të pushojë me diskriminimin ekonomik dhe shtypjen, si dhe ta ndërpresë financimin e strukturave kriminale e ilegale.
Kurti tha se me këtë marrëveshje, veriu fiton forcën e vet policore si regjion i veçantë, ku ka ndarje të gjyqësisë, e që sipas tij, është autonomi e të gjithë serbëve në Kosovë, kjo sipas kërkesës së Beogradit. Më tej ai tha se veriu i Mitrovicës po bëhet si Banjalluka: Shqiptarët do ta kenë kryeqytet Prishtinën, e serbët veriun e Mitrovicës.

Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së foli deputeti Blerim Shala. Ai mes tjerash tha se nuk ka implementim pa pasur vendim të njëmendtë, duke shtuar se në këtë dialog i cili synon hyrjen në fazën e paparë të shqiptarëve dhe serbëve, atë të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, vendimi ka ndodhur, pikërisht me marrëveshjen e 19 prillit. Tutje, Shala tha se janë bërë shumë interpretime të marrëveshjes së saj edhe duke u përqëndruar në një detaj, duke e bërë një burim të koncepteve tashmë ekzistuese politike të tensionit të lartë në Kosovë, por edhe duke u përpjekur për ta kuptuar dhe për ta lexuar atë në kontestin politik të kohës sonë. Me këtë rast ai shtoi se mbase gjërat e tilla dhe tensionimet e tilla politike janë të pashmangshme në këto raste.
Shala tha se Serbia nuk e merr datën më 28 qershor, po që se nuk fillon implementimi i marrëveshjes, ndërsa sqaroi se së shpejti Baronesha Ashton do të hartojë planin për zbatimin e marrëveshjes.
Ai vlerësoi se brenda kësaj marrëveshje parashihet zgjidhja e temës së veriut të Kosovës, raportet mes dy shteteve, si dhe pozicioni ndërkombëtar ndaj Kosovës, në rrugën drejt integrimeve evropiane. Sipas Shalës me marrëveshjen në fjalë krijohen mundësitë ligjore dhe politike, për integrimin e veriut të Kosovës, pa dëmtuar legalisht shtetin e Kosovës. Ai ka shtuar se me këtë marrëveshje krijohen rrethanat ligjore dhe politike që qytetarët e Veriut të Kosovës të jenë kontribues në përgjegjësinë dhe gjyqësinë e Kosovës: të bëhen tatimpagues dhe votues, me të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Kosovës. Krejtësisht në fund Shala tha se fati i kësaj marrëveshje është zbatimi i saj i plotë.
Ndërkaq, sa i përket deklarimit të grupit parlamentar të KKR-së, kryetarja e këtij grupi parlamentar Myzejene Selmani, ia delegoi fjalën zv.kryeministrit të Kosovës, Behxhet Pacolli. Me këtë rast ai tha se në veriun e Kosovës kurrsesi Kosova nuk ka mundur të shtrijë sovranitetin në këtë pjesë, në asnjë formë tjetër pos përmes dialogut. Ai tha se sot me këtë marrëveshje Serbia tërhiqet nga kontrolli policor e administrativ i vendit. "Nuk e konsideroj këtë zgjidhje definitive, por vetëm udhërrëfyes i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Dita e firmosjes së kësaj marrëveshje do të jetë ndër datat më të rëndësishme të Kosovës", tha zv.kryeministri Pacolli duke shtuar se Kosovës iu hoqën pengesat për të ardhmen evropiane dhe për anëtarësimin në BE, ndërsa shoi se shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, tanimë do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Më tej ai duke përgëzuar kryeministrin Thaçi për kurajon dhe guximin që të marrë një veprim të tillë dhe të fillojë dialogun tha se tashmë duhet të fillohet implemetimi i kësaj marrëveshje, duke kërkuar nga deputetët që ta ratifikojnë këtë marrëveshje.
Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit, Petar Miletiq, duke folur në emër të grupit parlamentar SLS, tha se SLS përkrahë këtë marrëveshje. Ndërsa, shtoi se kanë pritur nga të dyja palët që do të nënshkruajnë një dokument. Ai tha se në Bruksel nuk ka të humbur apo të fituar dhe mosarritja e marrëveshjes do të ishte humbje për të dyja palët. "Vetëm me bisedime mund të arrihet marrëveshje për problemin e Kosovës", theksoi ai.

Në vijim të mbledhjes, foli edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi. Me këtë rast ai tha: "Se duhet një marrëveshie për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kjo është e kuptueshme, ajo i duhet edhe rajonit dhe BE-së. A është arritur një marrëveshje e tillë, historike, ku Serbia do ta njihte vërtetë Kosovën shtet, këtë duhet ta shohim ?! Nga informacionet që i kam, nuk mund ta them se kjo ka ndodhur. Ndoshta koha do ta bëjë të tillë, koha din edhe të bëjë zgjidhje të duhura, bile ndonjëherë edhe të mrekullueshme. Natyrisht, nëse kjo marrëveshje është e plotë, duhet përshëndetur. Dhe e plotë do të ishte kur Serbia heq çdo pengesë për anëtarësimin e Kosovës në KB . Kjo do të ishte Marrëveshje për Normalizimin e Marrëdhënieve të plota në mes Kosovës dhe Serbisë. Apo nënshkrim i traktatit të paqes, siç kanë thënë qeveritarët tanë. Nëse marrëveshja është në mes shteteve të pavarura ajo duhet të Ratifikohet në Kuvend, kështu e parasheh edhe Kushtetuta, por jo edhe për çështje të brendshme", tha me këtë rast kreu i Kuvendit.
Tutje, ai shtoi se marrëveshja do te ishte historike, sikur vërtetë do të shënonte një përmbyllje të plotë të çështjeve të pazgjidhura, në mes dy vendeve tona, e të cilat sipas tij, janë shumë. Ai tha se koha do të tregoj se e çfarë niveli është kjo marrëveshje. Sipas kryekuvendarit Krasniqi nëse vërtetë Serbia e ka njohur Kosovën shtet të pavarur, siç po thonë qeveritarët tanë, këtë gatishmëri nuk po e shohim nga ana serbe. Këtë duhet ta bëjë Serbia, përfaqësuesit e saj, tha Krasniqi, duke shtuar se besoj që Serbia nuk i ka autorizuar qeveritarët tanë që të flasin në emër të saj.
"Unë kam qenë për bisedime, jam për normalizim të plotë të marrëdhënieve me serbët e Kosovës e Serbinë, por kjo që e pamë të shkruar në 15 pika nuk është e tillë. Këto janë kushtet e Serbisë për t'i "shuar" strukturat e saj në Kosovë. Kush mund të na garantoj se politika në Beograd nuk do të veprojë ndryshe. Këto 15 pika nuk e përmbyllin kompromisin apo kompromiset tona, përkundrazi hapin shtigje për kompromise të reja dhe që krijojnë premisa të shumta në dëm të stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë. Këto kërkesa, kështu si janë do të duheshin të ishin reciproke me komunat shqiptare në Serbi. Ajo që duhet të vlente për serbët në Kosovë pse mos të vlente edhe për shqiptarët në Serbi?", tha kreu i Kuvendit.
Më tej ai vlerësoi se kjo marrëveshje kështu siç është konceptuar, është largim nga koncepti qytetarë dhe multietnik i Republikës së Kosovës dhe mund të shërbej si precedent për gjithë rajonin. Këto bisedime siç është thënë dhjetëra herë nga Kryeministri dhe vartësit e tij, kanë pasur për qëllim normalizimin e marrëdhëniet me Serbinë dhe se kjo marrëveshje do të përmbyllej me një traktat paqeje. "Po të ishte e tillë nuk besoj që do të kundërshtohej nga njerëzit e politikës në Kosovë. Këto bisedime janë zhvilluar në mjegull, thënë më se buti, dhe nuk mund të prodhonin diçka tjetër. Nuk ka dyshim se për këto dokumente jemi njoftuar më shumë nga korespodentët tanë në Bruksel, e fare pak nga raportimet që Kryeministri u ka bërë opozitës së urtë, presidentes dhe së fundi dhe Kuvendit, institucionit përfaqësues të qytetarëve të Kosovës i cili është kthyer në institucion për miratimin e ligjeve me 31 vota. Dhe në fund Dokumentin që e kemi përpara dhe po e debatojmë është dokument më shumë se gjysmak dhe nuk i jep të gjitha përfundimet e tija, vetëm len të hapura çështje të ndryshme. Çfarë dokumentesh politiko-ligjor prodhon ky dokument, ne nuk e dimë dhe me qëllim është i hartuar kështu. Kur të detajizohet ka mundësi të kuptojmë se ku fle djalli, por atëherë do të jetë vonë, tepër vonë.."."tha kryekuvendari Krasniqi duke shtuar se ndoshta kompromisi edhe mund të përbihej sikur marrëveshja të ishte e plotë dhe përfundimtare. Dhe e plotë, sipas tij, do të ishte sikur të përmbyllej me traktatin e paqes, me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe mekanizma të tjerë evropian e ndërkombëtar. Por kjo, sipas tij, nuk po ndodh, përkundrazi po kundërshtohet fuqishëm edhe nga vet bashkëbiseduesi i Thaqit, Daciqi. Mandej marrëveshja kështu siç është, nuk është ndërshtetërore, por për çështje të brendshme të Kosovës. "Kjo është jo vetëm kundër Rezolutës së Kuvendit, por edhe në kundërshtim me dokumentin bazik të shtetit. Madje, as kështu si është nuk po gjen përkrahje të popullata serbe e pjesës veriore të Kosovës. Pra, nuk po na del se është marrëveshje, përveç emrit që e ka marrëveshje. Pse marrëveshja nuk është e plotë?! Vet fjala se po flitet për kompromis, kjo do të thotë se është shkuar përtej Dokumentit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, përtej Kushtetutës dhe ligjeve që i kemi miratuar. Ajo çka po mungon këtu është emri i vërtetë i kësaj autonomie. Sa është e thellë kjo autonomi më 15 pikat që kemi në shqyrtim e kemi vështirë ta themi.
Në pikën e dytë: garancitë juridike; sigurohen përmes ligjit në fuqi, nuk thuhet të ligjeve të Kosovës pastaj vazhdohet, të ligjit kushtetues më dy të tretat... Çka ka kontestuese të Asociacioni i komunave: të pika e tretë; AK ka kryetarin, zëvendëskryetarin, asamblenë, këshillin!
Pika pesë thotë: Asociacioni i Komunave do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht si delegohen nga autoritetet qendrore. Të kujt janë këto autoritete, pse nuk thuhet autoritetet qendrore të Republikës së Kosovës? Pa u zgjatur as pikat që kanë të bëjnë me sigurinë e drejtësinë nuk janë më të mira. Ndërsa pika e 14-të lë mundësinë për vazhdimin e politikave agresive serbe ndaj Kosovës. Kjo do të thotë se lihen mundësi të shumta për kompromise të reja. Kjo do të thotë se me këtë marrëveshje jo vetëm që nuk ka normalizim të marrëdhënieve, por sipas rrethanave edhe mund të acarohen.
Unë nuk do të hezitoja të kontribuoja për ratifikimin e një marrëveshje që do ti normalizonte marrëdhëniet Serbi-Kosovë edhe me këtë nivel të kompromisit, por jo këtë farë Marrëveshje të njohur si Marrëveshja Daciq-Thaçi, e cila thuajse nuk zgjidh asnjë problem as ndëretnik e as ndërshtetëror", tha kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi duke theksuar në fund se, le të rrumbullakësohet marrëveshja me të gjitha detajet, me të gjitha përfundimet dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve tona, atëherë përgjegjësia e obligimi ynë do të ishte tjetër.

Me këtë rast foli edhe nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti. Ai tha se kjo marrëveshje, që pas gjashtë muajsh, ka një tekst të plotë, qoftë i mirë apo i keq, shtoi ai, kemi një evidencë, dhe është hera e parë që sot kemi një letër, ndonëse sipas tij, kjo letër i ka ardhur 30 minuta para fillimit të kësaj mbledhje. "Edhe ky dokument nuk ka përkthim zyrtar dhe tri variantet janë kaq të ndryshme sa që e qojnë njeriun në lajthitje. Nga kjo që duket, janë 15 pika dhe në të vërtetë kjo nuk është marrëveshje për parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve", tha mes tjerash nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, duke shtuar më tej se kjo marrëveshje është për statusin e bashkësisë serbe në veri të Kosovës.
"Këto 15 pika nuk merren me asgjë tjetër, pos me statusin, organizimin, veprimin e serbëve në veri të Kosovës. Këto 15 pika tregojnë që në të vërtetë prodhojnë një pushtet plus për komunat me shumicë serbe në veri", tha ai duke theksuar se kjo i bie për statusin serb në komunat. Ai shtoi se nëse i jepet pushtet plus kësaj pjese të popullatës, duke vënë në pah faktin se ky pushtet plus, patjetër që e prek Kushtetutën e ligjet.
Mes tjerash Hamiti tha se ne sot nuk duhet të ngutemi dhe të bëjmë votime të nivelit kushtetues, ngase do të bëjmë gabim fatal, meqë shtoi ai, ka implikime kushtetuese edhe ligjore, duke kërkuar më tej që këto pika të kthehen në program të detajizuar dhe të sillet si tekst total. Hamiti tha se, pa e njohur minoriteti serb i Kosovës Pavarësinë e Kosovës dhe pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës nuk do të implementohen këto marrëveshje. "Kjo është marrëveshje për mosmarrëveshjen", tha krejtësisht në fund nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.

Edhe nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se sot ndodhemi përballë marrëveshjes më të dëmshme për sovranitetin dhe shtetësinë e Republikës sonë që prej përfundimit të luftës më 1999. "Jemi dëshmitarë se që nga marsi i vitit 2011, kur filluan negociatat e padrejta me Serbinë, Qeveria e Hashim Thaçit i hyri një procesi të koncesioneve të pandalshme. Por këto kompromise të vazhdueshme u kurorëzuan me një marrëveshje të turpshme për Kosovën, e cila nëse do të kalojë apo jo varet plotësisht nga ndërgjegjja dhe përgjegjësia juaj. Kur shkoi në negociata kryeministri na premtoi se do t'i shpërbënte strukturat e Serbisë në veri.
Po ai u kthye me një marrëveshje që i amniston dhe i legalizon vrasësit e Enver Zymberit, dhe dhjetëra shqiptarëve tjerë nga strukturat kriminale të Beogradit prej shkurtit të vitit 2000 e deri sot. Kur filluan negociatat, Kryeministri tha ‘do t'i kthej të pagjeturit'. Por na e solli një marrëveshje e cila na e humb edhe një pjesë të territorit. Kur filluan negociatat Hashim Thaçi tha se do ta përfshinte çështjen e luginës së Preshevës, dhe të drejtat e shqiptarëve atje.
Jo vetëm që nuk e bëri këtë gjë, por i tradhtoi edhe shqiptarët e veriut të Kosovës.", tha Konjufca duke ju bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos e pranojnë një marrëveshje që i vendos themelet e autonomisë për veriun.


Pas një diskutimi të gjerë të deputetëve, në kohën kur kryeministri Thaçi po merrte fjalën për herë të dytë, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje! dolën para foltores së Kuvendit dhe shpalosën pankarta.

Mirëpo, në pamundësi të zhvillimit të mbledhjes, kryekuvendari Krasniqi kërkoi një pauzë.

Pas një pauze 10 minutëshe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, prezantoi rezolutën për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi për Marrëveshjen në Bruksel. Mirëpo , sërish në pamundësi të vazhdimit të punimeve seanca u ndërpre për një pauzë.

Pas një pauze të deputetëve, Rexhep Selimi, kërkoi nga kryekuvendari Krasniqi që të mos lejojë të vazhdohet kjo seancë dhe të mos miratohet kjo rezolutë, e cila sipas tij është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës.

Me 89 vota për, 5 kundër dhe një apstenim, Kuvendi miratoi rezolutën për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi për Marrëveshjen në Bruksel.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit