Lajmet e fundit

Komisioni për Siguri priti në takim Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi

E Premte, 19.04.2013




Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar, priti sot në takim ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Pasi shprehu falënderimin e tij për angazhimin, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin që ka pasur shteti maqedonas në raport me Kosovën, me theks të veçantë në mbështetjen për FSK-në, kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, dha një pasqyrë të fushëveprimit të komisionit parlamentar të sigurisë dhe foli për angazhimet dhe sfidat e gjertanishme të këtij komisioni.
Ndërkaq, duke folur për bisedimet Kosovë-Serbi, të cilat i quajti konstruktive nga pala kosovare, Isufi tha se çështja e veriut mbetet temë e pakalueshme në fazën në të cilën është vendi, megjithatë, shtoi ai, nga marrëveshjet gjatë këtyre bisedimeve do të mund të arrihet stabilitet në vend, si dhe rregullimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Me këtë rast ministri i Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se e gëzon fakti që Kosova është në fazën e përmbylljes së kufizimeve që dalin nga dokumenti i Ahtisarit, si dhe të përgatitjeve për formatimin e ri të FSK-së dhe transformimin e saj, në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Sa i përket ecurisë së bisedimeve Kosovë-Serbi, ministri Xhaferi përgëzoi Qeverinë e Kosovës e cila ka marrë guximin të hyjë në bisedime, në mënyrë që të krijojë një ambient të volitshëm në vend dhe në rajon. Ai po ashtu uroi që Kosova sa më shpejt të fitojë ulëse në Kombet e Bashkuara, duke theksuar faktin se këtë përcaktim të Kosovës e mbështetë Maqedonia.
Kurse, sa i përket çështje së veriut të Kosovës, ai tha se shpreson që kjo çështje të rezultojë me një zgjidhje të duhur, në interes të qytetarëve të Kosovës.
Duke shprehur mbështetjen e Maqedonisë në të gjitha drejtimet, ministri Xhaferi tha se çdo lëvizje pozitive e Kosovës, ndikon pozitivisht në raport edhe me Maqedoninë , ndërkaq çdo lëvizje jo e volitshme ka implikimet e saj edhe në Maqedoni.
"Jemi të interesuar që stabiliteti i Kosovës të jetë i theksuar dhe i arritshëm, në interes të Kosovës, rajonit dhe bllokut evropian. ", tha ministri Xhaferi.
Kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, tha se këto dy shtete duhet të bashkëpunojnë edhe në rrugën drejt integrimeve evropiane, si dhe në të gjitha instancat tjera.
Ndërsa, anëtarët e komisionit: Fatmir Xhelili, Goran Marinkoviq, Vjollca Krasniqi e Rasim Demiri, falënderuan delegacionin nga Maqedonia për bashkëpunimin dhe angazhimin e këtij shteti, me theks të veçantë në ndihmën që ka ofruar për FSK-në.

Ndërsa, nënkryetari i komisionit, Rexhep Selimi, duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit mes ministrive përkatëse të këtyre dy shteteve, tha se FSK-ja dhe ushtria maqedonase duhet të kenë partneritet dhe bashkëpunim të mëtejmë, meqë këto dy ushtri pretendojnë të jenë anëtare të NATO-s.

Krejtësisht në fund, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se ofertat dhe mundësitë e shkëmbimit të përvojave nga shteti maqedonase nuk do të mungojnë. "Do t'i vëmë në zbatim të gjitha mundësitë e bashkëpunimit dhe se do të intensfikohet bashkëpunimi në të gjitha sferat", tha ministri Xhaferi.

Komisioni për Siguri  priti në takim Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi