Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Talat Xhaferi

E Premte, 19.04.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë në krye të një delegacioni të gjerë nga kjo ministri.
Duke e uruar ministrin Xhaferi për zgjedhjen e tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes dhe për procesin e fundit zgjedhor në Maqedoni, kryeparlamentari Krasniqi çmoi lart bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë, parlamenteve respektive.
"Vendet kanë më tepër pika përafrimi se sa ndarjeje. Ne duhet t'i gjejmë pikat afruese dhe t'i kultivojmë ato, në të mirë të të dyja shteteve tona dhe rajonit në përgjithësi", theksoi kryetari Krasniqi, ndërsa shtoi se vizitat e ndërsjella të delegacioneve të ndryshme të parlamenteve janë të shpeshta dhe kontribuojnë në këmbimin e përvojave.
Ministri Xhaferi, nga ana e tij, vlerësoi lart hapat që ka bërë Kosova në rrugën e saj të zhvillimit e të integrimit, ndërsa potencoi interesimin me të cilin ndiqen zhvillimet në Kosovë dhe rreth saj.
Ai konfirmoi ndihmën që institucionet e vendit që ai përfaqëson, i japin Kosovës në rrafshin e përfaqësimit ndërkombëtar të saj.

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Talat Xhaferi