Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 18.04.2013
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të saj e udhëhoqi Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit), deputetët zhvilluan debat parlamentar lidhur me ndërmarrjen "Trepça". Si zakonisht, edhe në këtë mbledhje, deputetët fillimisht proceduan me dy pikat e përhershme në mbledhje plenare: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, në të cilat pati polemika të ashpra lidhur me ligjshmërinë e privatizimit të PTK-së. Derisa ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pohonte ligjshmërinë e këtij procesi, duke u thirrur edhe në një vendim të Kuvendit të Kosovës, deputetët shprehën mospajtime me këtë konstatim dhe e vlerësun të pavërtetë atë.
Se për privatizimin e PTK-së Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë vendim, sqaroi edhe vetë kreu i Kuvendit, Krasniqi. Ai tha se Kuvendi ka miratuar Ligjin për bugjetin e Kosovës për vitin 2011, ku janë paraparë edhe mjetet nga shitja e PTK-së. Por, tha ai, miratimi i këtij Ligji ka qenë obligativ për Qeverinë e Kosovës, vetëm deri në dhjetor të të njëjtit vit, përfshirë këtu edhe nenin katër, përkatësisht mjetet e parapara nga shitja e PTK-së. Kryeparlamentari me këtë rast saktësoi:"Kuvendi nuk ka marrë vendim të veçantë për privatizim të PTK-së". Pyetjeve parlamentare ndërkaq, iu përgjigjën anëtarët e Kabinetit Qeveritarë, përkatësisht ministrat: Vlora Çitaku, Besim Beqaj, Ramë Buja dhe Mahir Yagcilar.
Pas kësaj, deputeti Sadri Ferati, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, sipas kërkesës së të cilit është iniciuar debati për ndërmarrjen "Trepça", tha: "Trepça", në të kaluarën jo shumë të largët, me dekada ka qenë promotor i zhvillimit ekonomik në Kosovë. Deri në fillim të vitit 2009, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë 71 milion tonë xehe me vlerë të përafërt prej 17. 7 miliard dollarësh dhe ka pasur rreth 15 mijë të punësuar". Trepça, tha në vijim Ferati, në të kaluarën ka qenë një nga eksportuesit më të mëdhenj në ish Jugosllavi dhe kontribuuesi më i madh në buxhetin e Kosovës. Ai me këtë rast shprehu mirënjohje për punëtorët dhe menaxhmentin e këtij gjiganti, duke sjellë në kujtesë marshin e minatorëve në vitin 1988 si dhe grevën e organizuar prej tyre n vitin 1999, veprime këto, me ndikim të drejtpërdrejtë në bërjen e shtetit të Kosovës. Kontributin e minatorëve në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe në zhvillimet politike në Kosovë, Ferati e vlerësoi, kolosal. Për kontributin e dhënë , tha në vijim ai, sot minatorët e Trepçës kërkojnë mbështetjen e Parlamentit, Qeverisë, Odës së Veçantë dhe AKP-së, për t'ua krijuar mundësinë që me profesionalizimin dhe përvojën e tyre të menaxhojnë me resurset e tyre, në interes të punëtorëve dhe të shoqërisë kosovare. Ai në vijim foli edhe për gjendjen aktuale të kësaj ndërmarrjeje, për të cilën vlerësoi se nuk është e mirë dhe në pamundësi për të shfrytëzuar potencialet që posedon. Ai për këtë fajësoi edhe AKP-në, e cila edhe pse ka pasur obligim ligjor që brenda 18 muajve të përcjellë në Kuvend Planin e Riorganizimit të Trepçës, ata ende se kanë bërë këtë. Duke folur për gjendjen e ndërmarrjes" Trepça" sot, ai tha se rezervat e identifikuara të saj aktualisht janë 53 milion ton. Sipas tij, niveli i këtyre rezervave, është i mjaftueshëm për 100 vjet të prodhimit me potenciale të plota të kësaj ndërmarrjejeje. Ai foli edhe për statusin aktual të ndërmarrjes "Trepça" dhe numrin e punëtorëve që aktualisht janë të angazhuar në eksploatimin e xeheve. Duke folur për përmirësimin e gjendjes në Trepçë, Ferati nënvizoi pengesat që sjellin pretendimet e disa kreditorëve, sipas të cilëve ky kombinat nuk ka i shlyer borxhet. Për zgjedhjen e mirëfilltë të statusit të këtij gjiganti ekonomik, Ferati tha se duhet të miratohet një Ligj i veçantë, me të cilin do të krijohej e drejta e menaxhimit dhe vendimëmëmarrjes së pavarur në këtë ndërmarrje. Deputeti Ferati me këtë rast, në emër të Grupit Parlamentar që përfaqësonte, paraqiti edhe një rekomandim për Qeverinë lidhur me ndërmarrjen "Trepça". Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, foli ministri i ministrisë së Zhvillimit Ekonomik(MZHE), Besim Beqaj, i cili fillimisht njoftoi se kompetencat e Qeverisë mbi kombinatin "Trepça" janë të limituara në nivel të krijimit të politikave afatgjate dhe të strategjive afatgjate, sepse për menaxhimin e saj të përditshëm dhe vendimet rreth saj i merr AKP-ja. Për këtë shkak, sipas tij në debat do të ishte e nevojshme të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e AKP-së. Duke folur për MZHE-në, Beqaj tha se ajo është e përkushtuar për funksionalizim të ndërmarrjeve të cilat në pjesën më të madhe të tyre kanë qenë të bllokuara, duke marrë shembull me këtë rast ndërmarrjen "Trepça". Këto ndërmarrje tha ai, një kohë janë menaxhuar me rregullore të UNMIK-ut dhe kanë pasur status të veçantë. Ai foli edhe për angazhimin e Ministrisë, e cila ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në ndërtimin e infrastrukturës ligjore. Lidhur me këtë, ai përmendi Strategjinë Minerare të Republikës së Kosovës 2012-2025, e cila është miratuar nga Kuvendi si dhe miratimin e Ligjit për miniera dhe minerale, i cili po ashtu është miratuar në Kuvend. Si pengesë të zhvillimit të ndërmarrjes së "Trepçës", Beqaj nënvizoi menaxhimin e kësaj ndërmarrje nën memorandumin ndërkombëtar, i cili buxhetit të Kosovës i ka kushtuar shumë për mirëmbajtjen dhe vitalizmin e ndërmarrjes. Qeveria tha në vijim ai, pret nga AKP-ja që të njoftoi Kuvendin për hapat që janë ndërmarrë. Ligjet e miratuara sqaroi ai, këtë moratorium nuk e lejojnë që të marrë vendime në nivel ndërkombëtar për ndërmarrjen "Trepça", por atë mund ta marrë AKP-ja në bashkëpunim me Gjykatën Supreme.
Pas kësaj, u deklaruan përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Në emër të PDK-së, foli deputeti Zenun Pajaziti, i cili tha se falë Ligjit të miratuar në Kuvend, Trepça gjendet në një pozitë më të mirë. Ai kritikoi stërzgjatjen e memorandumit, për të cilin tha se ka ndikuar në zhvleftësimin e aseteve dhe ka qenë pengesë për tërheqjen e investitorëve. Ai me këtë rast vlerësoi lartë hyrjen në fuqi të Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve publike në nëntor të vitit 2011. Ai në vijim i bëri thirrje AKP-së për hartimin e një plani sa më të realizueshëm për kombinatin "Trepça", duke kërkuar gjithashtu që AKP-ja të mos mikromenaxhoj Trepçën.
Në emër të LDK-së, ndërkaq, foli deputeti Ali Sadria, i cili iu referua raporteve të Auditorit Gjeneral. Ai tha se ndërmarrja "Trepça" nuk është kompani publike, ndërsa bazuar në raportet e lartë përmendura ajo ka funksionuar e ndarë: në atë të veriut dhe jugut. Për atë të pjesës së veriut, Sadria njoftoi se as Zyra e Auditorit Gjeneral nuk ka arritur të bëjë raport, përkundër asaj që në vitin 2011 i është premtuar se do t'i mundësohet qasja edhe në atë pjesë. Bazuar në raportet e vitit 2011 dhe 2012, ai njoftoi se në ndërmarrja "Trepça" ende nuk ka arritur të forcojë sistemin e kontrollit të brendshëm financiar.
Në emër të VV-së, foli deputeti Glauk Konjufca, i cili vlerësoi se ndërmarrja "Trepça" nuk përkufizohet vetëm në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe në rrafshin politik. Ai foli për angazhimet e minatorëve në zhvillimet politike, me theks të veçantë në angazhimet e tyre për mos ndryshim të Kushtetutë së vitit 1998. Për sa i përket gjendjes aktuale në këtë ndërmarrje, ai ngriti dyshimin në Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij mund të jetë e involvuar në keqpërdorime të pasurive në resurset e saja, përkatësisht në shitjen ilegale të mineraleve. "VV, konsideron se "Trepça" nuk duhet të privatizohet, sepse ajo përbën një resurs shumë të vlefshëm në aspektin ekonomik, si dhe shumë të rëndësishëm në aspektin strategjik", tha ai. Ai paraqiti edhe një analizë të ekspertëve vendor, sipas së cilës në një investim prej 177 milion euro nga Qeveria në këtë ndërmarrje, do të rezultonte me tetëmijë vende pune. Arsyetimin e Qeverisë se nuk ka mjete të mjaftueshme për të investuar, Konjufca e hodhi poshtë me faktin e investimeve në infrastrukturën rrugore.
Ardian Gjini, në emër të AAK-së, nga ana e tij kritikoi Qeverinë për shuarjen e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave. Sipas tij ky vendim i Qeverisë tregon nivelin e prioritetit që i është dhënë këtij sektori. Përfaqësuesi i AAK-së, u shpreh në favor të mocionit të propozuar nga iniciuesi i debatit.
Myzejene Selmani, në emër të KKR-së vlerësoi se është me dobi për ndërmarrjen "Trepça", që Qeveria dhe AKP-ja, së bashku me grupin punuese për caktimin dhe vlerësimin e rezervave, me grupin punues për çështje të kontabilitetit dhe financave si dhe me grupin punues për çështje ligjore, të kenë qëndrim unik lidhur me njësitë e ndërmarrjes "Trepça" që mund të largohen nga moratoriumi.
Në vijim të debatit, unanimisht u vu në pah rëndësia e ndërmarrjes "Trepça", duke e cilësuar atë si pasuri të veçantë kombëtare në zhvillimin ekonomik të vendit. Duke bërë thirrje për trajtim të veçantë të kësaj ndërmarrjeje, kryeparlamentari Krasniqi, ishte i mendimit se AKP-së, nuk duhet t'i lihet në barrë privatizimi i saj, sepse siç tha ai, "Trepça" kalon përmasat e një mekanizmi me aftësitë që posedon AKP-ja. Kryeparlamentari, me këtë rast foli edhe për mungesën e një mekanizmi mbikëqyrës të performancës së AKP-së. Për sa i përket privatizimit, kryeparlamentari tutje shtoi se ai që në fillim ka nisur me parregullsi të shumta, duke sjellë në mendje privatizimin e "Feronikelit", sektorët energjetik dhe tash së fundmi privatizimin e PTK-së, për të cilin edhe një herë tha se është pa bazë ligjore. " Kushdo që mbështet këtë privatizim, mbështet një privatizim të pa ligjshëm", tha kryeparlamentari, Krasniqi.
Në këtë debat, u angazhua edhe nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti. Ndërmarrjen "Trepça" dhe minierën e linjitit në komunën e Obiliqit, ai i cilësoi si "Inteligjencë teknike të Kosovës", ndërsa ishte i mendimit se ndërmarrja "Trepça", më së miri do të ruhej me një Ligj të veçantë për të.
Në vijim folën edhe deputetët: Justina Pula-Shiroka, Sabri Hamiti, Alma Lama, Muhamet Mustafa, Sali Morina, Ali Sadria, Albulena Haxhiu, Sadri Ferati, Albulenë Haxhiu, Ramiz Lladrovci, Vjosë Osmani, Sala Berisha-Shala, Albin Kurti, Xhevahire Izmaku, Hahim Deshishku, Donika Kadaj-Bujupi, Ramë Vataj, Bekim Haxhiu, e të tjerë.
Pas debatit, kryesuesi hodhi në votim mocionin e propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së, me këtë përmbajtje: Obligohet Qeveria e Kosovës, që në afat prej 90 ditësh të sjellë në parlament për miratim Ligjin e veçantë për Trepçën.
Gjatë procesit të votimit, deputetët me shumicë votash miratuan mocionin e LDK-së lidhur me ndërmarrjen "Trepça".
Në këtë mbledhje, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi edhe Projektligjin për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit, të cilin e paraqiti deputeti, Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.
Po ashtu, Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për Avokatinë, i cili në rend dite u fut sipas mocionit të ngritur nga deputeti, Halit Krasniqi. Këtë Projektligj, para deputetëve e prezantoi ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Pas shqyrtimit të tij, deputetët miratuan në parim Projektligjin.
Në fund të mbledhjes së sotme, deputetët shqyrtuan edhe Raportin me Rekomandime të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Këtë Raport, para deputetëve e paraqiti, Xhevahire Izmaku, anëtare e Komisionit. Pas shqyrtimit të tij, deputetët me shumicë votash e miratuan Raportin me Rekomandime.