Lajmet e fundit

Mbledhje e Komisionit për Punë të Jashtme

E Mërkure, 17.04.2013




Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Pacolli, ka shprehur kënaqësinë që i është dhënë për të raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme, megjithëse, siç u shpreh ai, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e obligon për diç të tillë. Pacolli ka përmendur faktin se vetë kryeministri Thaçi e ka ngarkuar atë për lobim ndërkombëtar dhe njohje të reja për Kosovën e për promovimin e mundësive për investime të ndërsjella. Ai ka pohuar se edhe duke qenë në opozitë ka lobuar për njohjen e Kosovës nga shtete të ndryshme të botës, duke theksuar se aso kohe në Zyrën e partisë së tij (AKR) patën ardhur 11 nota verbale për njohjen e Kosovën. Ai ka theksuar se aktiviteti i tij në këtë fushë vetëm sa është shtuar si zv.kryeministër i parë i vendit, duke ia atribuuar vetës meritat për dhjetëra njohje nga Afrika, Amerika e Jugut dhe Azia Juglindore. Tutje ka theksuar se ai është fokusuar në kontakte me presidentë dhe kryeministra nga vendet e këtyre rajoneve, në të cilat është përqendruar për shkak të njohjeve të mëhershme, për shkak të begraundit të tij personal dhe për shkak të mundësive të mëdha të atyre vendeve.

Në pyetjet e kryetarit të Komisionit, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, se kujt i raporton për aktivitetet e tij në lëmin e politikës së jashtme, z. Pacolli është përgjigjur se i raporton kryeministrit Thaçi dhe se konsultohet edhe me presidenten Jahjaga dhe me ministrin e Jashtëm Hoxhaj. Ai ka pranuar se për angazhimet e tij në lëmin e politikës së jashtme të vendit nuk ka ndonjë rregullativë ligjore, por ka theksuar se është i interesuar vetëm ta ndihmojë vendin. Pyetjeve të deputetëve, ndërkaq, lidhur me numrin e njohjeve u është përgjigjur prerë se janë 99. Ndërkaq kur deputetët i janë referuar deklaratave të ministrit Hoxha për 96 njohje, Pacolli, ka theksuar se vendin tonë në mënyra të ndryshme e kanë njohur edhe Nigeria dhe Uganda, por të cilat për shkaqe të ndryshme nuk e kanë zyrtarizuar me notë verbale, si dhe, Mali, i cili e ka njohur Kosovën, por që për shkaqe të luftës civile atje, nuk përfillet.

Duke folur për investimet e huaja në Kosovë dhe gjendjen ekonomike në vend, Pacolli ka deklaruar se në këtë plan janë bërë gabime të shumta, duke përmendur projektin utopik për Kosovën C prej më shumë se dy mijë megavatesh dhe aplikimin e privatizimit të egër. Ai është shprehur i bindur se ka qenë e suksesshme shitja e telefonisë mobile"Vala", por ka pohuar se është kundër privatizimit të ndërmarrjes "Trepça" në gjendjen e sotme, duke kërkuar investime të ndryshme për funksionalizim të saj, në mënyrë që t'i rritet vlera dhe t'i shtohen mundësitë për investime të huaja. Ai, ndërkaq, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së deputetit Sabri Hmiti që të vijë nesër në seancë dhe t'i shprehë qëndrimet e tij për "Trepçën", në debatin parlamentar që do të zhvillohet në këtë temë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të shtruara dhe shqetësimeve të ngritura nga anëtarët e Komisionit, numri 2 i Qeverisë ka polemitzar me tone të ngritura, sidomos me deputetët: Skënder Hyseni dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Deputeti Berat Buzhala , duke e vlerësuar lart kontributin e zv.kryeministrit në lobimin për njohjen e Kosovës, ka pohuar se edhe vetë është dëshmitar i sigurimit nga z.Pacolli të, së pakut, dy deri në tri njohjeve , siç është shprehur ai, të pakorruptuara për Kosovën. " Shihet qartë se qenka përgatitur opinioni për pjekjen e z. Pacolli, por po na mungon vetëm "vegeta", ka thënë në fund të takimit Buzhala.

Po sot Komisioni për Punë të Jashtme ka diskutuar lidhur me Draft-Rezolutën e Komisionit për Punë të Jashme të Parlamentit Evropian për procesin e integrimit evropian të Kosovës, e cila pritet të miratohet ditëve të ardhshme. Anëtarët e Komisionit duke konstatuar se në draft-rezolutën në fjalë Kosova figuron me fusnotë, me gjithë faktin që Parlamenti Evropian e ka njohur Kosovën; se në te theksohet "deklarata e njëanshme e pavarësisë"; dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë figuron si :"dialogu Beograd-Prishtinë", e ku nuk thuhet asgjë për struktura paralele të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, kanë vendosur se lidhur me këto të gjetura negative në këtë dokument të PE-së t'i shkruajnë Komisionit homolog të PE-së. Anëtarët e Komisioni e kanë ngarkuar z. Kurti që ta hartojë shkresën, si dhe të kërkojë takim me zyrtarët në Bruksel që të ndikohet në përmirësimin e tekstit të kësaj draft-rezolute.

Anëtarët e Komisioni janë përcaktuar që nga fushëveprimi i tyre ta monitorojnë zbatimin e Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe kanë formuar grupin e punës për të.

 

Mbledhje e Komisionit për Punë të Jashtme