Lajmet e fundit

Takim i GGD-ës me Gratë për Gratë Internacionale

E Mërkure, 17.04.2013




Sot, në Kuvendin e Kosovës, Grupi i Grave Deputete, priti një grup prej 25 grash nga shoqatat e ndryshme. Ky takim u realizua në bashkëpunim me Gratë për Gratë Internacionale (WfWI) me qëllim të bashkëbisedimit të grave deputete me gratë bashkëveprimtare me WfWI.

Grupi i Grave Deputete është grup gjithëpërfshirës, i cili pikësëpari synon që ta fuqizojë gruan me anë të ligjeve, tha në fillim kryetarja e GGD-ës znj., Teuta Sahatqija. "Para disa ditësh ne kemi trajtuar edhe çështjen e grave të dhunuara dhe ne pretendojmë të rregullojmë statusin e këtyre grave, duke i pranuar si kontribuuese në lirinë e Kosovës", tha znj. Sahatqija, e cila në vijim foli edhe për angazhimin e deputeteve për fuqizimin ekonomik të gruas përmes shfrytëzimit të fondeve strukturale, të cilat do të kenë efekt të trefishtë duke krijuar të mira materiale, duke pavarësuar ekonomikisht gruan dhe duke zbatuar të drejtën në posedim të pronës.

Më pastaj znj. Ilirjana Jaka Gashi drejtore për Kosovë në WfWI , tha:"Ne e kemi ndjekur punën e deputeteve në parlament dhe shprehim admirimin tonë për të rregulluar me ligj statusin e grave të dhunuara gjatë luftës". Në vazhdim ajo theksoi nevojën për hartimin e një ligjit për ndërmarrësit social, i cili do të ishte ndihmesë e madhe për të nxitur kooperimin e bizneseve të grave.

Më pastaj gratë paraqitën përvojat e tyre, por edhe parashtruan shumë pyetje që lidheshin me çështjen e të drejtës në trashëgimi, për hapjen e bizneseve të reja, arsimimin, punësimin dhe diskriminimin gjinor dhe sipas moshës që ndodh në punësim etj.

Në fund, znj. Sahatqija, tha se këto kontakte duhet të jenë më të shpeshta.

 

Takim i GGD-ës  me Gratë për Gratë Internacionale