Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 17.04.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetari Ali Sadriu, u shqyrtua raporti i auditimit të analizimit të pengesave në implementimin e programit DANIDA - "Promovimi i punësimit tek të rinjtë përmes biznesit dhe shkathtësive zhvillimore 2008-2012".
Të pranishëm në këtë takim ishin ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, Auditori Gjeneral, Lars Lage Olofsson, si dhe përfaqësues të DANIDA-s.
Fillimisht anëtarët e komisionit duke falënderuar qeverinë daneze për fondacionin, të cilin e ka ofruar në një sferë të rëndësishme për Kosovën, kërkuan sqarime të shumta nga ministri Buja, përfaqësues të DANIDA-s dhe nga Zyra e Auditorit Gjeneral, lidhur me fondin dhe projektet të cilat janë realizuar dhe që janë në realizim e sipër.

Me këtë rast u theksua se ZAP-i ka dhënë tri rekomandime dhe se është trasuar rruga drejt finalizimit të këtij projekti.

Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Oloffson duke prezantuar raportin para anëtarëve të komisionit tha se ZAP-i ka përfunduar auditimin e Rregullsisë dhe se ka hasur një numër sfidash gjatë katër viteve. "Të gjithë partnerët e përfshirë janë munduar t'i adresojnë sfidat në mënyra të ndryshme, në mënyrë që të kryejnë projektin dhe të arrijnë objektivat, por një vit e gjysmë më parë kuptuam se duhet të shihnim pak me thellë se cilat janë shkaqet e vërteta të problemeve dhe se cilat do të jenë mësimet për projektet e reja.
Gjatë kësaj periudhe janë bërë shumë ndryshime, për mënyrën se si projekti është mbikëqyrur, menaxhuar dhe kryer.", tha mes tjerash Olofsson, duke shtuar se në të ardhmen do të vijnë dy projekte të rëndësishme në fushën e pylltarisë dhe arsimit, të cilat sipas tij do të kryhen përmes regjimit të njëjtë.
Ndërsa, përfaqësues të DANIDA-s, theksuan se ata mbështesin plotësisht këtë raport dhe se pajtohen me rekomandimet. "Në të ardhmen do të mundohemi që të sigurohemi se do të punojmë me kushtet e paraqitura", tha Lars Ranfeld. Me këtë rast, ai theksoi se ka qenë paksa e vështirë që të punohet me Ligjin e Prokurimit dhe sistemin financiar, por shtoi, ka qenë proces që na ka bërë të mësojmë. "Dhe, sot sigurisht që do të arrijmë ta finalizojmë programin, në mënyrë që t'i përmbushim të gjitha synimet e programit, edhe pse ky program është vonuar për një vit. Ka pasur vonesa, por ne do t'i përmbushim synimet tona", tha Ranfeld.

Më tej foli edhe ministri i MASHT-it, Ramë Buja. Ai me këtë rast sqaroi se marrëveshja bazë e MASHT-it dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Danimarkës është nënshkruar që nga viti 2007 dhe se programi për promovimin e punësimit te të rinjtë përmes biznesit dhe shkathtësive zhvillimore 2008-2012 I DANIDA-s në bashkëpunim me MASHT-in, ka filluar të zbatohet nga nëntori i vitit 2008.
"Gjatë periudhës nëntor 2008-2013 janë arritur rezultate të dukshme dhe të prekshme në këtë drejtim", tha Buja, duke numëruar tutje projektet të cilat janë realizuar dhe që janë në implementim e sipër.

Më tej nënkryetarët e komisionit Ramiz Lladrovci e Murselj Halili, si dhe anëtarët Valbona Dibra, Ymri Ahmeti, Afrim Hoti e Albert Kinolli, kërkuan sqarime të shumta nga të pranishmit lidhur me këtë çështje.
Lladrovci duke përgëzuar përfaqësues të DANIDA-s dhe qeverinë daneze për programin që është zhvilluar në Kosovë, kërkoi sqarime rreth shumës së përgjithshme të këtij projekti, ndërkaq Valbona Dibra adresoi kritika ndaj ZAP-it për shkak se në raport nuk janë shfaqur shifrat e fondit të audituar, duke vlerësuar se nisur nga ky fakt, raporti nuk pasqyron asgjë.
Ndërkaq, Ymri Ahmeti, tha se raporti vë në pah problemet të cilat kanë ekzistuar në menaxhimin e këtij fondi duke vënë dyshimin e tij se ka pasur shkelje në menaxhimin e këtij fondi.
Pasi dha sqarime në shqetësimet që u ngritën gjatë këtij takimi nga anëtarët e komisionit, ministri Buja tha se që nga viti 2008 është shtuar efektshmëria e shkollimit dhe punësimit. "Efekti është i dukshëm dhe prezent", tha Buja.

Kryetari i komisionit Ali Sadriu, sqaroi se ZAP-i në përfundim të këtij projekti do të bëjë një raport përfundimtar, duke shtuar se është një projekt i cili për herë të parë bazohet në ligjshmërinë e Kosovës.

Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit shqyrtuan propozimin e deputetes Valbona Dibra, lidhur me kërkesën për Raport nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për menaxhimin e stafit në këtë institucion.
Me këtë rast ajo kërkoi nga ZAP-i raport me shkrim lidhur me keq-menaxhimin e stafit që po bëhet nga ZAP-i.
Po ashtu pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të komisionit u theksua edhe fakti se në fund të këtij muaji do të ketë raport vjetor të përfomancës së ZAP-it dhe në këtë raport do te jetë i përfshirë edhe opinioni i auditorit.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike